Eurodeputetja, njëherësh raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka folur për mundësinë që Kosova ka për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimit Evropian.
E pyetur për shanset për aplikim për statusin e vendit kandidat nga Kosova këtë vit, ajo është përgjigjur: “Nuk e shoh këtë. Nuk e di çka planifikon Kosova të bëjë, por them se është shumë e vështirë që të spekulohet për këtë. Nuk kam guxim ta bëj këtë”.
“Është shumë herët për të spekuluar. Duhet parë fillimisht çfarë po ndodh me dialogun, çfarë do të ndodhë me procesin e liberalizimit të vizave. Duhet parë se cili do të jetë përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për mënyrën e vazhdimit”, ka thënë Fajon në KTV.
E pyetur se a është Kosova larg nga plotësimi i kritereve, Tajon është përgjigjur: “Nuk do të thosha që është larg. E përsëris, që vitin e kaluar kemi pasur arritje të jashtëzakonshme. Ky vit do të ishte i jashtëzakonshëm gjithashtu nëse arrijmë liberalizimin e vizave. Shkon hap pas hapi. Procesi i pranimit në BE është më kërkues tani se sa që ka qenë para ca vitesh. Shkon hap pas hapi, më shumë përkushtim. Por, nëse i kthehemi liberalizimit të vizave, do ta them qartë sot se topi është në fushën e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që politikanët e Kosovës të jenë të bashkuar në qëllimin për pranim në BE. Nuk mund t’ju them data dhe as të flas në emër të Kosovës sa shpejt do të ecë përpara me këtë proces”.
Tajon është shprehur e bindur se BE do të jetë e këtillë siç është kur Kosova të jetë e gatshme të bëhet pjesë e saj.
“Po, dua që BE-ja të jetë aty, sepse nuk kemi alternativa të tjera. Unë besoj sinqerisht se BE-ja nuk mund të kompletohet pa Ballkanin Perëndimor. Na duhet Ballkani Perëndimor, sot ndoshta më shumë se kurrë, sepse kemi sfida të përbashkëta, sfida për të cilat pajtohemi, si globalizimi, për ekonomi më të shpejta dhe më të forta, kemi sfidat e ambientit dhe energjisë, terrorizimin, migrimin. Të gjitha këto janë sfida që asnjë shtet i BE-së, e as Kosova nuk mund të ballafaqohen si të vetme. Ndoshta sot Bashkimi Evropian nuk është i njëjtë, siç ka qenë disa vite më parë, por jam e bindur se do të mbetet fuqishëm e lidhur në fushat e interesit të përbashkët”, ka thënë Tajon./ Gazeta Express
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.