Janë rreth 230 milionë euro borxhe që kompania Kurum, e cila shpalli kërkesën për faliment me qëllim ristrukturimi në shkurt 2016, u ka të tretëve, kryesisht banka vendase dhe të huaja. Rreth 18% e kësaj shume, apo 42 milionë euro, është kredi e marrë në bankat shqiptare dhe rreth 600 mijë euro ndaj furnitorëve në Shqipëri. Pjesa tjetër është hua e marrë në bankat ndërkombëtare (IFC dhe Banka e Detit të Zi dhe bankat turke).
Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka përcaktuar zyrtarisht se cilët do të jenë kreditorët që do të njihen si të tillë nga procesi i falimentimit për riorganizimin e Kurum, një prej eksportuesve më të mëdhenj në vend. Janë rreth 27 subjekte që u është njohur pretendimi, ndërsa është përjashtuar nga kjo e drejtë për shumën e rreth 149 milionë lekëve, IFC-ja.
Kreditori më i madh është Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) me 55 milionë euro, por kjo kredi është e siguruar.
Më pas vjen Banka e Detit të Zi, me 30.5 milionë euro, edhe këto të siguruara. Nga bankat vendase, kreditori më i madh është Raiffeisen, me 21 milionë euro, nga të cilat vetëm 5.2 mln euro janë të siguruara.
I dyti është Banka Kombëtare Tregtare, ndaj të cilit Kurum ka një hua të pashlyer prej rreth 10.2 milionë eurosh, gjysma e së cilës është e siguruar.
Më pas janë Societe Generale me 5 milionë euro, NBG me 3.6 milionë euro dhe Pro Credit me 500 mijë euro.
Totali i kredisë që Kurum ka në bankat shqiptare është 42 milionë euro (kredi + interesa). Shtimi i huasë së Kurum në listën e kredive me probleme ishte një nga faktorët kryesorë që rriti treguesin e NPL-ve përgjatë 2016-s.
Ndaj kompanive vendase, detyrimet që ka Kurum janë rreth 600 mijë euro, ku pjesa më e madhe i përket A&V GAS, me rreth 506 mijë euro.
Kurum ka kredi të mëdha edhe ndaj bankave turke e të tjera, me rreth 85 milionë euro.
Gjykata, në vendimin e saj, argumenton se: “Në përputhje me nenet 145 e vijues të ligjit nr.8901, datë 23.05.2002 cilësohen “TË VËRTETUARA” të gjitha pretendimet e kreditoreve të pakundërshtuara nga administratorja e falimentit dhe nga kreditorët e tjerë, si dhe pretendimet që bazohen në titull ekzekutiv, nëse shumat e kërkuara nuk tejkalojnë kufijtë e shumës së përcaktuar në titullin ekzekutiv përkatës apo në urdhrin e ekzekutimit.
Në kushtet e mësipërme në referencë të nenit 145 të ligjit nr.8901, datë 23.05.2002 “Për falimentimin” shënohen në Tabelë pretendimet e depozituara, masa e shprehur në vlerë e shumës së vërtetuar (të pakundërshtuar ) si dhe Statusi i “Siguruar” ose jo.
Në përputhje me nenin 145 të ligjit , pretendimet e vërtetuara për shumën dhe statusin e tyre, regjistrimi në tabelë ka pasojë juridike të një vendimi të formës së prerë për administratorin e falimentimit dhe për të gjithë kreditorët e falimentimit.
Për kreditorin IFC, pretendimi për shumën prej 149, 973,904 (njëqind e dyzet e nëntë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e katër) lekë, është pezulluar sipas vendimit datë 08 nëntor 2016”.
Mbledhja e kreditorëve për t’u njohur me pretendimet e tyre është caktuar në datë 18 janar 2017.
Falimenti i Kurum
Arsyet që e çuan Kurum drejt falimentit janë të shumta. Më herët, Monitor ka zbardhur të gjithë skemën e detyrimeve që ka kjo kompania.
Kompania rezulton me një levë të lartë financiare, me raportin detyrime/kapital i vet që ishte 3.8 në fund të vitit 2014 (çka nënkupton se detyrimet janë gati 4 herë më të larta se mjetet e veta), ndërkohë që një raport maksimal i levës ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm, është 1.5.
Blerja e hidrocentraleve tërësisht me kredinë prej 106 milionë eurosh ka shtuar dukshëm barrën e borxheve të Kurum.
Ajo u zhyt në një krizë likuiditeti, teksa nga njëra anë pret të arkëtojë 19 miliardë lekë nga furnitorët dhe në kahun tjetër ka rreth 17 miliardë lekë detyrime ndaj të tretëve.
Rënia e çmimeve të hekurit në tregjet ndërkombëtare dhe tkurrja e kërkesës së brendshme si rrjedhojë e krizës së ndërtimit duket se i ka dhënë goditjen përfundimtare kompanisë. Në bilancin e 2014-s, Kurum konstaton se sektori i ndërtimeve, me të cilin Kurum e ka të lidhur ngushtësisht aktivitetin, ka rënë për dy arsye, se pari shteti ka pezulluar lejet e ndërtimit dhe së dyti ka rënë shitja e apartamenteve.
Efektet e krizës globale financiare kanë vijuar të kenë ndikim të rëndësishëm në likuiditetet e kompanisë. “Kohëzgjatja e krizës dhe rritja e vonuar e industrive dhe sektori bankar mund të shkaktojë një reduktim në para të gatshme nga operacionet, disponueshmërinë e kredisë, një rritje të kostove dhe një vonesë në kohën apo zvogëlimin e shpenzimeve kapitale të planifikuara”, thuhet në bilanc.
Kompania ka qenë ndërkohë në fokusin e autoriteteve për mosrespektim të standardeve mjedisore, që e detyruan Ministrinë e Mjedisit të bllokonte aktivitetin e Kurum në maj të vitit të mëparshëm.
TABELA: LISTA E KREDITORËVE TË CILËVE U ËSHTË NJOHUR PRETENDIMI
KREDITORI | SHUMA E PRETENDIMIT (KREDI+INTERESA) SIPAS VALUTES | DETYRIMIM TOTAL NE LEKE | PRETENDIMET E SIGURUARA NE LEKE NENI 141.142 | MASA E VERTETIMIT NE LEKE NENI 145 |
BLACK SEA TRADE | € 17,071,048 | 2,366,559,425 | I SIGURUAR | 2,366,559,425 |
BLACK SEA TRADE | € 13,393,925 | 1,856,799,837 | I SIGURUAR | 1,856,799,837 |
RAIFFEISEN BANK | € 7,035,210 | 975,291,122 | 975,291,122 | |
RAIFFEISEN BANK | € 5,207,253 | 721,881,456 | I SIGURUAR | 721,881,456 |
RAIFFEISEN BANK | $ 8,764,934 | 1,079,051,014 | 1,079,051,014 | |
BANKA KOMBETARE TREGTARE | € 4,986,163 | 691,231,793 | 691,231,793 | |
BANKA KOMBETARE TREGTARE | € 5,208,001 | 721,985,123 | I SIGURUAR | 721,985,123 |
IFC | € 55,124,526 | 7,641,913,095 | I SIGURUAR | 7,641,913,095 |
SOCIETE GENERAL ALBANIA | € 5,072,901 | 703,256,278 | 703,256,278 | |
TIRANA BANK | € 1,995,096 | 276,580,220 | 276,580,220 | |
PROCREDIT BANK | € 503,125 | 69,748,219 | 69,748,219 | |
DENIZ BAHREYN BANK | € 19,512,991 | 2,705,085,884 | 2,705,085,884 | |
HALK BANK MAKEDONYA | € 4,014,179 | 556,485,603 | 556,485,603 | |
KUVEYT TURK BANK | € 9,624,327 | 1,334,220,452 | 1,334,220,452 | |
KUVEYT TURK BANK | $ 1,991,938 | 245,227,451 | 245,227,451 | |
ALTERNATIF BANK | € 5,142,637 | 712,923,765 | 712,923,765 | |
ALTERNATIF BANK | $ 5,012,561 | 617,096,423 | 617,096,423 | |
CREDIT EUROPE | € 10,573,197 | 1,465,762,238 | 1,465,762,238 | |
CREDIT EUROPE | $ 4,966,237 | 611,393,443 | 611,393,443 | |
GARANTI BANKASI | $ 4,127,864 | 508,181,336 | 508,181,336 | |
YAPI KREDI BANK | $ 3,755,274 | 462,311,819 | 462,311,819 | |
NBG | € 3,619,451 | 501,764,437 | 501,764,437 | |
BURGAN BANK | € 1,303,041 | 180,640,638 | 180,640,638 | |
HALK BANK TURKIYE | € 6,224,499 | 862,902,283 | 862,902,283 | |
HALK BANK TURKIYE | $ 9,102,972 | 1,120,666,869 | 1,120,666,869 | |
A&V GAS | 69,889,223 | 69,889,223 | ||
IS BANKASI | € 5,966,010 | 827,067,966 | 827,067,966 | |
FINANS KATILIM | € 9,243,323 | 1,281,401,857 | 1,281,401,857 | |
ALBARAK BANK | $ 162,150 | 19,962,340 | 19,962,340 | |
KEVIN GAZ SHA | 1,285,760 | 1,285,760 | ||
IMPULS 95 SHA | 104,997 | 104,997 | ||
ALBA GAZ SHA | 2,579,793 | 2,579,793 | ||
AL GAZ 2015 SHA | 10,180,208 | 10,180,208 | ||
TOTAL | ALL 31,201,432,367 | ALL 31,201,432,367 |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.