Falimentimi, si do funksionojë Agjencia

21/07/2012 11:14 0 komente
Flet Brikena Kasmi, zëvendësministre e Drejtësisë
ABSA

Ministria e Drejtësisë është duke ndërmarrë një reformë në lidhje me procesin e falimentimit, cilat janë aspektet më të rëndësishme?

Reforma e falimentit është një nga më të rëndësishmet e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë gjatë viteve të fundit, në kuadër të nxitjes së investimeve të huaja, përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri. Reformat fillojnë gjithmonë me ndërtimin e një “shtëpie” nga themelet dhe qeveria shqiptare ka bërë pikërisht këtë. Është krijuar kuadri i përshtatshëm ligjor në lidhje me fillimin e një biznesi me mbështetjen dhe vazhdimin e tij. Fillimi dhe vazhdimësia e biznesit janë dy katet e para të “shtëpisë”, që janë mundësuar nëpërmjet miratimit të ligjit “Për shoqëritë tregtare”, krijimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit si dhe krijimin e Qendrës Kombëtare të Licencimit. Ndër të tjera do të përmendja reformat e “Shqipëria një euro”, si dhe mbrojtjen e investitorëve të huaj, nëpërmjet ligjit për mbrojtjen e investimeve që garanton posedimin e qetë të pronës. Finalizimi i ciklit të biznesit lidhet me procedurat e falimentimit. Këto janë procedura që lidhen me mbylljen e ciklit të të bërit biznes, por dhe me mbrojtjen e shoqërisë shqiptare nga fenomene si mungesa e likuiditetit, mospagimi i borxheve, pasiguria ekonomike, si dhe deformimet e tregut.
Për këtë arsye, në mbështetje të ligjit nr. 8901, datë 23.5.2002 “Për falimentimin”, i ndryshuar me ligjin nr. 9911, datë 19.05.2008, është krijuar Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit.
Ligji “Për falimentin” ka si qëllim kryesor standardizimin e procedurës së falimentit, duke i ardhur në ndihmë shoqërive tregtare në radhë të parë, por dhe autoriteteve financiare, licencuese, prodhuese si dhe të punësimit, të cilat evidentojnë dhe kryejnë një rol mbikëqyrës të këtyre veprimtarive.
Ligji ka caktuar rregulla, të njëjta dhe të barabarta, që duhet të aplikohen nga subjektet tregtare për shlyerjen e detyrimeve të debitorëve në një procedurë falimentimi të detyrueshme.
Në ndihmë të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe trajtimit me drejtësi të qytetarëve të tij, kërkohet respektimi i procedurave të falimentimit.
Gjatë analizave krahasuese me vendet e rajonit, por dhe me vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2008, u evidentuan mangësi të legjislacionit tregtar në respektimin e procedurave të falimentit. Këto mangësi u adresuan me anë të ndryshimeve të ligjit “Për falimentimin”. Këto ndryshime prezantuan dhe ngritjen dhe funksionimin e një strukture të posaçme për mbikëqyrjen e administratorëve të falimentit, sikundër është Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit.
Pjesë e reformës janë zbatimi i rregullave të detyrueshme për:
licencimin e administratorëve; promovimin e standardeve të njëjta; mbajtjen e regjistrit të administratorëve të falimentit si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre.
Agjencia kujdeset që administratori i licencuar të kryejë detyrat e tij në përputhje me ligjin, standardet kombëtare të masës së falimentit, si dhe Kodin e Etikës.

Përse u pa e nevojshme kjo reformë, në një kohë kur ligji ka vetëm pak vite që është miratuar?

Ndryshimet ligjore të vitit 2008 janë në tërësinë e tyre një përshtatje e ligjit “Për falimentin”, sipas modelit gjerman.
Gjatë analizave krahasuese u vu re se ligji (pra kuadri normativ rregullator) është i njëjtë me atë të Gjermanisë dhe të disa vendeve të rajonit, por statistikat e përfundimit të procedurave të falimentit nga gjykatat shqiptare mungonin. Kjo si pasojë e mosrregullimit të profesionit të administratorit të falimentit, i cili, sipas ligjit është personi që kryen procedurat e falimentit.

Cila ka qenë ecuria e deritanishme e zbatimit të ligjit? Sa raste kanë shkuar në gjykatë?

Deri më tani, mbi baza qyteti, ka pasur rreth 12 kërkesa të kërkimit të procedurës së falimentit. Ky është një tregues i mirë në fillimin e aplikimit të procedurave të kontrolluara dhe rigoroze sipas standardeve. Fillimi i aplikimit të këtyre procedurave lidhet dhe kushtëzohet nga shumë faktorë, ndër të cilët do të veçoja: njohuritë e nevojshme të administratorëve të falimentit; funksionimin e shoqërive tregtare dhe përgjegjësia për finalizimin e procedurave; stabilitetin e tregut; krijimin e shoqërive të reja, mbijetesa në treg, por edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht apo pozitivisht në drejtim të statistikave të finalizimit të procedurave të falimentit.

Çfarë pritet të sjellë miratimi i administratorit të falimentimit? Cilat janë avantazhet?

Procedura e falimentit duhet të trajtohet jo si një rast fatkeq i mbylljes së veprimtarive, por si një mundësi për bizneset apo personat fizikë që deklarojnë falimentimin, për të rimëkëmbur veprimtarinë e tyre, nëpërmjet planit të riorganizimit të administratorit. Për këtë arsye, ministria angazhohet të luajë rol aktiv ndërgjegjësues në drejtim të licencimit të administratorëve të falimentit.
Sa herë që shoqëritë nuk janë në rrugën e duhur të biznesit, më e mira është identifikimi i hershëm. Në rastet kur ata nuk i mbijetojnë më tregut, shpesh procedurat e falimentit mund të minimizojnë vlerën ekonomike të shoqërisë, kapitalet e saj, duke llogaritur debitë dhe detyrimet ndaj kreditorëve.
Nga ana tjetër, koncepti më i mirë për shoqërinë vetë, ortakët por dhe për tregun e një vendi, është riorganizimi i një shoqërie me anë të metodave të ndryshme.
Disa nga metodat janë kombinime të sigurimeve në para apo në kapitale, si dhe rivlerësimi i aktiveve e pasiveve.
Metoda të tjera që lidhen me riorganizimin e shoqërisë kanë të bëjnë me organizimin e ankandeve të ndryshme për vetë ortakët, por dhe ankandet publike.
Mbrojta e aksionerëve në minorancë nga një procedurë falimenti ka rëndësi primare. Vlerësimi objektiv dhe ndarja e barabartë do të sillte në çdo rast minimizimin e humbjeve për themeluesit. Gjithashtu vlerësimi objektiv do të sjellë pushimin e një sërë padive apo pretendimesh, që shpesh shoqëritë apo ortakët kanë ndaj njëri-tjetrit në marrëdhënie detyrimesh. Finalizimi me sukses i procedurës së falimentit bën të mundur krijimin e sigurisë ekonomike për ortakët, kreditorët dhe të tretët, në një marrëdhënie tregtare.
Krijimi i administratorit të falimentit shmang gjithashtu vështirësitë që shpesh ortakët hasin në caktimin e personit të besuar, të aftë dhe profesional për përmbylljen e aktivitetit.

Si është monitoruar deri tani procesi i falimentimit nga Ministria e Drejtësisë?

Roli kontrollues i Ministrisë së Drejtësisë realizohet nëpërmjet Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit, e cila, në bazë të nenit 282/3 ka kompetenca për:
-dhënien, heqjen, rinovimin e licencave për administratorët
-organizimin e provimit
-mbajtjen e regjistrit të administratorëve të falimentit, si dhe
-mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre.
Sa i përket veprimtarisë mbikëqyrëse, Agjencia kujdeset që administratori i licencuar t’i kryejë detyrat e tij në përputhje me ligjin, standardet kombëtare të masës së falimentit, si dhe Kodin e Etikës. Agjencia monitoron edhe zbatimin e ligjit, si dhe përpunon të dhëna statistikore që lidhen me zbatimin e procedurave.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë përgjigjet dhe për:
-krijimin dhe sigurimin e një kuadri ligjor dhe rregullator, eficent dhe efektiv, në fushën e falimentit.
-rritjen e ndërgjegjësimit mbi të drejtat dhe detyrimet e aktorëve pjesëmarrës në fushën e falimentimit (administratorë, kreditorë, debitorë, etj.).
-mbikëqyrjen dhe lehtësimin e procesit të falimentimit, duke nxitur funksionimin sa më efikas, të shpejtë dhe në përputhje me ligjin.
-Krijimin e një burimi të vetëm informacioni mbi çështjet e procedurave të falimentimit në Shqipëri

Si renditet Shqipëria në krahasim me rajonin, në lidhje me zbatimin e procedurës së falimentimit?

Nga pikëpamja e kuadrit ligjor dhe krijimit të strukturës përkatëse (rregullimit të profesionit të administratorit të falimentit) jemi një hap më përpara.
Serbia dhe Kosova zbatojnë një njëjtin sistem sikurse dhe Shqipëria. Ligji i falimentit, me ndryshimet e vitit 2008, e përshtati kuadrin ligjor të vendit tonë me atë të një vendi të përparuar ekonomikisht dhe anëtar i Bashkimit Europian, sikurse është Gjermania.

Si falimentojnë bizneset?

I gjithë thelbi që shoqëron procesin e falimentimit të një subjekti privat, pas vendimit të gjykatës, ka të bëjë me administratorin, i cili e ushtron funksionin në mënyrë të përkohshme. Përcaktohet qartë se, asnjë person fizik nuk mund të ushtrojë profesionin e administratorit të përkohshëm, në rast se nuk përmbush kriteret e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë dhe nuk është i pajisur me licencë.

Kushtet që duhet të përmbushë një administrator falimentimi

– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar
– Të mos ketë qenë i dënuar penalisht
– Të mos ketë detyrime financiare të papaguara pranë organeve tatimore
– Të ketë përfunduar një program të ciklit të dytë të studimeve, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, në profilin ekonomik dhe/ose juridik;
– Të ketë përvojë profesionale jo më pak se 10 vjet në fushën e ekonomisë;
– Të zotërojë një garanci bankare në vlerën 1,000,000 (një milion) lekë për të siguruar dëmet që mund t’i shkaktojë të tretëve, si pasojë e veprimtarisë së tij si administrator falimenti;
– Të mos ketë qenë në proces falimentimi ose anëtar i këshillave mbikëqyrës apo drejtues i shoqërive në proces falimentimi ose likuidimi, të paktën për 5 vitet e fundit;
– Të mos jetë në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin e administratorit, ku përfshihet të mos punojë në Agjencinë e Mbikëqyrjes së Falimentit, të mos jetë përmbarues gjyqësor, apo të mos ushtrojë çdo profesion tjetër që është i papajtueshëm.
Agjencia ka ngritur regjistrin e administratorëve, si dhe ka krijuar bazën ligjore të nevojshme për monitorimin dhe mbikëqyrjen e administratorëve, në përputhje me rregullat e ligjit, por dhe me Kodin Etik të krijuar për administratorët.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.