Easy Invest, një nga bursat e investimeve online, ka mbyllur aktivitetin në Shqipëri, duke marrë me vete investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë.
Lajmi u njoftua nga kreditorët e kompanisë pranë ‘Monitor’, të cilët janë braktisur që në korrik të këtij viti pa asnjë sqarim.
Easy Invest që funksiononte si një platformë investimi online, në korrik të këtij viti mbylli web-in “www.easyinvest.al” nën shënimin “under construction”.
Gjithashtu, adresa fizike e kompanisë në rrugën ‘Donika Kastrioti’, pallati 14, kati i parë në Tiranë nuk i përket më kësaj kompanie.
Kompania ka shpallur falimentin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duke kaluar në pezullim statusin e saj, që në korrik të këtij viti, por pa lajmëruar asnjë nga investitorët, duke lënë pas vetëm humbje.
B. Frashëri nga Berati, një nga investitorët e Easy Invest, tha se e nisi lojën me 60 euro investim. Paratë u depozituan në llogarinë e Easy në Bankën Kombëtare Tregtare, në numrin e llogarisë “35 35 68”. Frashëri, një ish-mësues me njohuri të admirueshme për bursat online, tha se e nisi investimin më shumë për hobi se sa për fitim. Por teksa njoftoi se kompania është zhdukur, bashkë me kontaktet, tha se ka shumë investitorë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë që kanë humbur shuma të mëdha parash. Frashëri tha se ishte i interesuar për statusin juridik të këtyre subjekteve, por nuk ka gjetur të dhëna të mjaftueshme.
Easy Invest, edhe pse nuk kishte marrë leje nga autoritetet rregullatore në vend (Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare) u regjistrua në QKR më 24 shkurt të këtij viti. Objekti i aktivitetit është për veprimtari financiare me të gjitha format e kredidhënies, faktoring-ut, qirasë financiare, shërbimet e pagesave dhe të transferimit të parave, ofrimin e garancive dhe marrjen e angazhimeve, këmbimin valutor dhe shërbimet këshilluese, ndërmjetësime etj.
Më vonë gjatë muajit prill, po në QKR, Easy Invest ka raportuar se ka marrë lejen nga Banka e Shqipërisë, por kjo e fundit nuk e ka listuar në subjektet e licencuara jo banka.
Kompania kishte aktivitet edhe në Kosovë. Burimet nga kreditorët pohojnë se disa persona kanë humbur mijëra euro, por nuk po denoncojnë në polici, për shkak se shpresojnë të marrin paratë.
Bursat online janë një fenomen mjaft i përhapur dy vitet e fundit. Teksa interesat në banka janë ulur ndjeshëm dhe është forcuar procesi i kontrollit të burimit të parave në banka, shumë persona kanë zgjedhur bursat online si forma të përshtatshme investimi.
Mirëpo teksa tregu është mbushur plot me këto subjekte që as nuk kanë licencë dhe as nuk mbikëqyren, falimentet kanë nisur.
AMF
Kujdes, mund të humbni vlerën e plotë të investimit
Pas lajmit mbi ndërprerjen e veprimtarisë së shoqërisë Easy Invest si platformë investimi online, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (Autoriteti) ka sqaruar në një deklaratë publike se kjo shoqëri nuk ka qenë e licencuar, pra nuk ka qenë e mbikëqyrur nga Autoriteti.
AMF tërheq vëmendjen e publikut se investimi në aksione, tituj të borxhit, valuta, etj., përmes platformave të tregtimit online shoqërohet me rrezikun e humbjes së plotë të vlerës së investimit, ndaj publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara, të cilat plotësojnë kërkesat rregullative lidhur me aftësitë profesionale, administrimin e rrezikut dhe transparencën ndaj klientit. Në çdo rast, investimi duhet të kryhet mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto investime;
AMF kërkon që përpara se të bëhet regjistrimi si “biznes” i subjekteve të tilla që kryejnë veprimtari financiare online apo në çdo formë tjetër, të kërkohet informacion pranë autoritetit mbikëqyrës përkatës, për të siguruar zbatueshmërinë e plotë të kërkesave ligjore;
Autoriteti fton publikun dhe autoritetet e tjera të interesuara të konsultojë në vazhdimësi listën e subjekteve të licencuara, të cilët veprojnë si agjentë të platformave të investimit online, të cilat gjenden në faqen zyrtare të Autoritetit,
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.