Ndonëse konsumi i brendshëm vlerësohet në rritje në gjysmën e parë të 2014-s, sipas Bankës së Shqipërisë, konsumi i familjeve shqiptare vlerësohet të ketë qenë më i orientuar tek mallrat e konsumit të përditshëm dhe tek mallrat afatgjatë sesa tek shërbimet, bazuar në informacionin e marrë nga tregues të tërthortë dhe llogaritë kombëtare.
Indeksi i tregtisë me pakicë30 u rrit me 5.7% në tremujorin e parë të këtij viti, pasi kishte shënuar rritje me 1.7% dhe 4.4% dy tremujorët paraardhës. Rritja e treguesit të besimit në sektorin e tregtisë dhe rritja e besimit konsumator në tremujorin e dytë sugjeron vijim të rritjes së volumit të tregtisë edhe në tremujorin e dytë.
Bazuar në informacionin nga vrojtimet e besimit, balanca e “blerjeve të mëdha” është rritur me 1.4 pikë përqindje në tremujorin e dytë. Importi i mallrave për konsum ka pësuar rënie në këtë periudhë, por gjatë viteve të fundit është vërejtur një preferencë e konsumatorit për prodhime vendase, siç dëshmohet nga rezultatet e vrojtimeve dhe nga rritja e prodhimit bujqësor në vend. Konsumatorët kanë shpenzuar më pak në tremujorin e parë të vitit për shërbime. Vlera e shtuar e nëndegëve “Transport”, “Hotele dhe restorante” dhe “Shërbime të tjera” u tkurr me 0.2% në tremujorin e parë të vitit. Përmirësimi i treguesit të besimit të shërbimeve në tremujorin e dytë të vitit sinjalizon për rikuperim të mundshëm të kësaj kategorie shpenzimesh, raporton Banka e Shqipërisë.
Megjithatë, thekson BSH, rritja e shpenzimeve të konsumatorëve vazhdon të frenohet nga ecuria e të ardhurave të disponueshme, nga hezitimi në kryerjen e shpenzimeve afatgjata dhe nga kushtet ende të shtrënguara të financimit. Rekuperimi i qëndrueshëm i konsumit do të varet nga ecuria e këtyre treguesve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.