“Fasonët të rrisin çmimin, amortizohet rënia e euros, biznesi jo optimist”

08/01/2019 1:41 PM 0 komente

Flet Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler

Bizneset e fasonit duhet të bashkohen për të bashkërenduar masat, duke kërkuar përveçse politika mbështetëse, edhe rritje të çmimit që imponojnë mbi partnerët për punët që marrin përsipër.

Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler, që operon prej vitesh në sektor, nënvizon se Shqipëria duhet ta shohë faktin që është 40% më e lirë se vendet e rajonit, si një armë, që mund t’i sjellë përfitim. Rritja me të paktën 10% e çmimeve, sipas Hoxhës, do të amortizonte humbjet që i kanë ardhur sektorit këtë vit, kryesisht nga rënia e euros.

Si ka qenë ecuria e vitit 2018 lidhur me sektorin e fasonëve, çfarë e ka përkufizuar këtë vit në përgjithësi nga ajo që keni vënë re?

Me aq sa shoh në këtë sektor, qoftë dhe nga komunikimet me kolegët që punojnë në të, 2018 ishte një vit me një lloj frenimi dhe mendoj se edhe viti 2019 do të jetë vazhdimësia e atij të kaluar për shumë arsye. Së pari, sepse është rrudhur edhe sipërmarrja, po vendosen gjithmonë e më shumë kushte për partnerët që të jenë korrektë me pagesat.

Kjo ka bërë që të mos shfrytëzohen në maksimum kapacitetet sepse ka shumë probleme me vonesa në pagesa apo humbje e klientit, për shkak të po këtyre mungesave në pagesë. Një faktor tjetër është edhe tendenca e rënies së euros. Brenda sektorit duhet të ketë organizim, që të ketë rritje të çmimit me të paktën 10%, pasi zhvlerësimi i euros ka mbi 6-7 muaj që vazhdon.

Duhet të kemi parasysh që kontratat me partnerët nuk bëhen njëvjeçare, por janë nga 3-5-vjeçare dhe çmimet që kanë qenë tre vitet e mëparshme kur euro ishte 140 do t’i kenë edhe për dy vite të tjera, por tani euro është 123 lekë dhe diferenca është e konsiderueshme. Duhet të kërkojnë të gjithë rritje çmimi, sepse jemi shumë të lirë në raport me tregje të tjera si Bullgaria apo Rumania, që janë 40% më shtrenjtë, flasim gjithmonë për kosto për njësi. Fakti që jemi kaq të lirë pra 40%, është një armë që duhet të shfrytëzojë sipërmarrja dhe të imponohet e gjitha njëkohësisht, për ta amortizuar efektin e kursit të këmbimit, në mënyrë që të ruajë fitimin dhe të punojë më tepër.

Ka pasur një shqetësim të vazhdueshëm lidhur me krahun e punës, por ndërsa më herët ka qenë pjesa cilësore, sot duket sikur ka një problematikë edhe për mungesë të theksuar të tij, pa kaluar te cilësia?

Gjërat janë vështirësuar shumë gjërat, sidomos edhe te krahu i punës. Vala e emigracionit bën që ndërmarrja të zbrazet nga mëngjesi në darkë dhe ty si biznes të duhet të gjesh mënyrën sesi t’i zëvendësosh. Kjo situatë është shumë e dukshme, sidomos në disa zona në vend si Librazhdi, Puka apo të ngjashme. Kompanitë sot nuk mund të shkojnë dhe të hapin një filial të ri në këto zona, sepse nuk ka forcë të mjaftueshme pune. Edhe ata që kanë tentuar, janë kthyer sërish në Tiranë.

Vetë profili i biznesit kërkon forcë të madhe pune dhe nuk ia vlen të spostosh një filial kur ti nuk gjen njerëzit që ke nevojë për ta hapur dhe që të funksionojë ky biznes. Sot për sot, vetëm Tirana dhe Durrësi janë zonat e vetme ku mund të gjesh krah pune dhe nuk shohim ndonjë dritë të gjelbër në ndonjë zonë tjetër të Shqipërisë, që të kërkosh zgjerim apo të mendosh spostim për një filial të ri.

A ka pasur mbyllje kompanish në sektor dhe cilat janë problematikat që çojnë në këtë situatë?

Po edhe mbyllje si në çdo sektor tjetër ka pasur dhe kuptohet kjo lidhet me pjesën financiare të kompanive, jo eficencën, problemet mes ortakëve në rastet e kompanive që lindin si joint-venture

Flitet aq shumë për mbyllje cikli, por pak kompani arrijnë ta bëjnë këtë, si mund të kapërcehet kjo hallkë?

Mbyllja e ciklit nuk është një gjë e thjeshtë, shumë kompani nuk e bëjnë, sepse s’kanë fitime të shëndosha. Duhet të jesh kompani shumë e fuqishme që të përballosh të mbyllësh ciklin ku kostoja trefishohet në lidhje me marketimin dhe elementë të tjerë si këto. Ekspozimi financiar automatikisht e vë biznesin para një dileme të madhe ndërkohë që të ardhurat vijnë pas 3-6 muajsh. Edhe taksat kanë dhënë ndikimin e tyre në sektor dhe nuk janë të vogla. Kjo është një sipërmarrje e rrezikuar nga disa anë dhe ka shumë të çara nga mund të vijnë risqet si nga barra e taksave nga mospagesa në kohë e klientit, ndërkohë që duhen paguar sigurimet, punonjësit që kanë atë pagë për të mbajtur familjet apo faturat e energjisë.

Si ka qenë kuadri ligjor në aspektin e lehtësimit apo mbështetjes së sektorit fason?

Taksat kanë ndikuar negativisht, duke mos e lehtësuar aspak rrugën drejt rritjes së sektorit në përgjithësi. Kujtojmë këtu paketën shto ujë e shto miell të 42 pikave për sektorin fason, që nuk u zbatua apo nuk dha efekt në këtë sektor. Është në vullnetin e qeverisë që nëse do të japë mbështetje, të marrë vetëm tre masa që e nxisin këtë sektor, zero taksa, subvencion për çdo punonjës dhe t’i krijohet mundësi sipërmarrjes që të gjejë treg, duke prezantuar Shqipërinë si mundësi përmes atasheve. Shqipëria duhet të prezantohet si një vend biznesi me dinjitet dhe ku partneritetet të jenë të barabarta, jo ku partneri shqiptar hyn në marrëdhënie biznesi me minus 20 pikë.

Në finale, si e prisni vitin 2019, duke pasur parasysh edhe situatën aktuale të biznesit?

Viti 2019, sikurse e përmenda edhe më parë, mendoj se do të jetë njëlloj, madje pak më i rrudhur sepse ka një problem, që është rënia e entuziazmit. Vonesat që janë të pranishme prej 23 vitesh, në aspektin e pagesave kanë arritur një fazë lodhjeje dhe sipërmarrësit nuk janë më kaq pozitivë. Kompanitë nuk pranojnë të punojnë për shumë sasi, por pak cilësi (të punojnë lirë) kjo automatikisht çon në një situatë ku ulet shkalla e punësimit dhe eksporteve.

Rreziku për këtë sektor sot është më i lartë, sepse është rritur mosbesimi drejt klientit, pasi kështu është situata jashtë në përgjithësi dhe risku, më i lartë. Ky lloj mosbesimi e vë në pozita biznesin, që do të dorëzojë mallin, por që ndoshta nuk merr në kohë pagesën. Nuk ka ndërmarrje në Shqipëri që të mos ketë marrë në të kaluarën goditje të tilla.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of