Tatim fitimi 0%; ngrirje e pagës minimale për katër vjet; pagesë sigurimesh për vendet e reja të punës; lehtësi doganore etj janë disa nga propozimet e industrisë së përpunimit aktiv….
Sektori që punon me material porositësi në vend, ai i tekstile e këpucëve i ka drejtuar qeverisë shqiptare një paketë me masa për të nxitur eksportet.
Në fund të vitit të kaluar, LSI kërkoi që tatim fitimi të mbetej 10% për këtë sektor, por që nuk u pranua, ndërkohë që qeveria premtoi se brenda pak muajsh do të hartojë një plan për mbështetjen e industrisë së përpunimit aktiv.
Ndërkohë vetë fasoni i ka tashmë gati kërkesat për qeverinë, si më poshtë:
PAKETA E PROPOZUAR
Pikat e detajuara të paketës së propozuar nga industria e përpunimit aktiv:
1)Qeveria shqiptare duhet të sigurojë nëpërmjet ministrive të saj të linjës apo agjencive publike mbrojtjen e këtij sektori në fushën e respektimit të kontratave dypalëshe me kontraktorët e huaj. Sot një numër i konsiderueshëm kompanish humbasin mijëra euro nga mosrespektimi i kontratave. Nevojitet një zyrë shtetërore për depozitimin e kontratave tona dhe mbikëqyrjen qeveritare për realizimin e tyre.
ARGUMENTIMI: Kontratat e lidhura mes bizneseve të këtij sektori dhe nënkontraktorëve të huaj nuk bazohen në asnjë legjislacion ndërkombëtar që ka të bëjë me ndonjë konventë të nënshkruar edhe nga qeveria shqiptare apo ndonjë ligj ndërkombëtar të shoqërive tregtare. Kontratat janë të bazuara në Kodin Shqiptar të Procedurave Civile dhe, si të tilla, nuk kanë asnjë referencë ligjore ndërkombëtare, në rast kur duhet të ngresh një çështje të caktuar për t’u mbrojtur e kërkuar shlyerjen e dëmit nga mungesa e korrektësisë në realizimin e kontratës së nënshkruar me kontraktorët e huaj. Qeveria duhet të ofrojë një kontratë TIP për këtë sektor, ose duhet të integrojë në projektligjin e ri “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore”, që është duke u diskutuar me grupet e interesit. Në të kundërt, numrit të kufizuar që iu janë shkaktuar dhjetëra e qindra mijë euro dëm nga mungesa e këtyre kontratave do t’u shtohen edhe të tjera.
2) Qeveria duhet t’i afrojë këtij sektori një status special, që realizohet nëpërmjet një pakete politikash lehtësuese specifike për regjimin e përpunimit aktiv. Në këtë paketë fiskale duhet të përfshihet:
a)Ngrirja e pagës minimale për një periudhë të paktën katërvjeçare, si një nga faktorët që ndikon edhe në rritjen e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë dhe që ka të bëjë me një shpenzim që llogaritet në rreth 80% të shpenzimeve të përgjithshme të kompanive tona;
ARGUMENTIMI: Ndërsa pagat mesatare te ne janë më të ulëta se në vendet e rajonit, paga minimale është më e lartë sesa mesatarja rajonale. Ne kemi një pagë minimale të barabartë me Bullgarinë dhe pak më të vogël se Rumania, ndërkohë që kemi PBB për frymë respektivisht 1.8 dhe 2.25 herë më të vogël se këto dy vende. Paga minimale dhe pagat në përgjithësi nuk janë rritur për shkak të burimeve të krijuara nga rritja e produktivitetit të punës dhe shtimi i pasurisë. Asnjë rritje page nuk është paraprirë nga një studim që ta përcaktojë atë. Këto politika kanë penguar hyrjen në treg të fuqisë punëtore të re në moshë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të punësuarit deri në moshën 30 vjeç zënë vetëm 11.6% të numrit të përgjithshëm të të siguruarve. Kujtojmë se në 2013-n, numri i të punësuarve në sektorin privat shënon 83% të totalit të të punësuarve.
Sipas nesh, rishikimi i politikave të pagave duhet të ndjekë një nga pesë skenarët e mëposhtëm:
i) Heqja e pagës minimale kombëtare dhe zëvendësimi i saj me pagën minimale sipas sektorëve, të negociuar midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. (Ky model zbatohet në Austri, Finlandë, Suedi, Danimarkë, Islandë, Norvegji, Zvicër);
ii) Ngrirja për një periudhë katërvjeçare e aplikimit të pagës minimale, në sektorët, të cilët gjenerojnë vende pune. Ky është skenari që garanton rritjen e punësimit, mundëson hyrjen në treg të fuqisë punëtore të re në moshë, të pakualifikuar. Për industrinë tonë kjo masë shërben për rritjen e ndjeshme të të punësuarve.
iii) Bllokimi i rritjes së pagës minimale.
iv) Aplikimi i shkallëzuar i pagave minimale vetëm për grupmoshat e reja.
v) Decentralizimi dhe diferencimi i pagës minimale sipas territorit dhe nivelit të varfërisë në kontekstet rajonale.
b) Me qëllim rritjen e shpejtë të të punësuarve të rinj në këtë sektor propozojmë që qeveria të sigurojë pagesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vendet e reja të punës mbi mesataren e numrit të punonjësve të vitit të kaluar për çdo ndërmarrje (pra, nëse një ndërmarrje në vitin 2013 ka pasur të punësuar mesatarisht 200 punonjës dhe në vitin 2014 punëson dhe 50 të tjerë, qeveria të financojë taksën e punës për këtë shtesë punonjësish). Ky financim nuk është fitim për kompanitë tona, por ai shërben për trajnimin dhe përgatitjen profesionale të punonjësve të rinj, që aktualisht e bëjmë me kostot e ndërmarrjes. Kjo kërkon rishikimin e praktikave të sotme të nxitjes së punësimit dhe formimit profesional që vlerësohen të dështuara.
c) Importi i makinerive dhe pajisjeve për nevoja të rinovimit të teknologjisë apo të rritjes së prodhimit, edhe pse është tashmë një import me ‘TVSH ZERO’, duhet të sigurojë një gamë të plotë të nomenklaturës së këtyre importeve dhe jo sipas një liste klienteliste, sikundër është deri më sot.
ARGUMENTIMI: Ripërtëritja teknologjike dhe investimet e reja, kur kanë mundësi, nuk mund të bllokohen dhe burokratizohen nga një listë e tillë pajisjesh dhe makinerish që nuk ka asnjë autoritet të njohur në vend që ta përgatisë. Panairet e teknologjisë ofrojnë çdo ditë pajisje e makineri të reja, që mund të mos jenë pjesë e asnjë liste. Kompania që importon, mjafton të dorëzojë në organet doganore faturën e blerjes dhe ajo duhet të rimbursohet menjëherë, duke ia lënë barrën e provës importuesit dhe duke eliminuar burokracitë e papranueshme dhe kërkesat e pamotivuara shkresore të derisotme. Pra, procedura doganore për zhdoganimin e këtyre makinerive të bazohet mbi Faturën e Blerjes dhe Deklaratës Personale (e cila vërteton që këto makineri janë blerë për procesin e prodhimit).
d) Tatimfitimi për kompanitë e fasonit, duhet të jetë 0%, për të stimuluar rritjen e prodhimit, gjetjen e kontraktorëve të rinj e diversifikimin e tregjeve, si dhe rritjen e numrit të të punësuarve; Kostoja e kësaj lehtësie është e pandjeshme në buxhetin e shtetit.
ARGUMENTIMI: Ne mendojmë se duhet të veçohet sektori i veshjeve dhe këpucëve nga i tërë sektori i regjimit të përpunimit aktiv, kur bëhet fjalë për këtë lehtësi. Barra buxhetore pas këtij rregullimi është jo më shumë se 4 milionë euro, ndërsa kostoja administrative për ta mbledhur është më e lartë, sipas perceptimit tonë. Zerimi i tatimfitimit ka efekte në imazhin e sektorit dhe në ofertën për investitorët e huaj që kanë shprehur dëshirën për të investuar në sektorin e veshjeve dhe këpucëve. Kjo masë e sjell sektorin në një konkurrencë reale në rajon dhe më gjerë, (një praktikë e aplikuar më parë me efikasitet gjatë viteve 1995-2000). Ajo do të duhet të shoqërohet me akte që sigurojnë rritjen e punësimit nga ndërmarrjet që e përfitojnë këtë masë.
e)Ministria e Financave, nëpërmjet DPT, duhet të rimbursojë në mënyrë automatike nga sistemi TVSH e rimbursueshme, sapo kjo shumë të jetë 400.000 lekë, sipas akteve ligjore në fuqi, pa e shoqëruar këtë me një sërë procedurash burokratike që e kanë penguar deri më sot zbatimin e ligjit dhe kanë rritur borxhin e qeverisë ndaj bizneseve;
ARGUMENTIMI: Ndryshimi i fundit që iu bë akteve ligjore në fuqi, duke rritur nga 30 ditë në 60 ditë afatin e administratës tatimore për verifikimin e kërkesës për rimbursim duhet të sjellë rimbursimin e menjëhershëm të tepricës kreditore, duke zbatuar ligjin që këtë tepricë e rimburson si pagesë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të periudhës në vijim, si pjesë të tatimfitimit të kompanisë, apo duke e transferuar në llogarinë bankare të subjektit brenda këtij afati. Biznesi kërkon thjesht zbatimin e këtyre akteve ligjore dhe nënligjore.
f)Arsimi dhe formimi profesional i punonjësve, ngritja e shkollave profesionale, në mënyrë të veçantë për këtë sektor, duke siguruar partneritetin publik-privat.
ARGUMENTIMI: Pavarësisht hartimit dhe miratimit të strategjive për arsimin dhe formimin profesional, në zyrat e punës në të gjithë vendin nuk gjen punëtorë të trajnuar për këtë sektor dhe oferta e punës është pothuajse zero. Rretheve si Tirana e Durrësi iu mungon një numër i kërkuar punonjësish. Qendrat e formimit profesional janë jashtë këtij tregu, ndërsa duhet këmbëngulur për shkolla e kurse profesionale të formimit specifik në fushën e veshjeve dhe të këpucëve. Ngritja e shkollave profesionale si kontribut i përbashkët i qeverisë dhe biznesit mbetet zgjidhja e vetme, ndërsa Curricula-t e këtyre shkollave nuk duhet të jenë pjesë e agjencisë përkatëse, por e grupit të sipërmarrjeve që kanë kërkesë për profesione të caktuara.
g) Sipërmarrjet ekzistuese që kanë sipërfaqe të ushtrimit të veprimtarisë ekonomike në përdorim dhe subjekte që do të kenë nevojë për mjedise prodhimi e shërbimi në ushtrim të investimeve të reja prodhuese, të favorizohen duke paguar vetëm 1 Euro/vit tarifë qiraje.
h) Administrata e Shërbimit Doganor të sigurojë një paketë lehtësuese për subjektet e regjimit të përpunimit aktiv që fillon nga thjeshtimi i procedurave të import-eksportit, zhdoganimit të mbetjeve teknologjike (zgjidhjes së diferencës së peshës) dhe deri tek orare favorizuese në ditët e shtuna dhe të diela, kur realisht eksportet e fasonit janë me kosto më të lirë dhe më favorizuese për këto biznese.
ARGUMENTIMI: Për shkak të natyrës së punës dhe ngarkesës që vjen nga respektimi i afateve, pjesa dërmuese e kompanive të veshjeve dhe këpucëve preferojnë të kryejnë procedurat e eksportit ditëve të shtuna dhe të diela. Kjo e bën të nevojshme që administrata e Shërbimit Doganor Shqiptar të sigurojë shërbim në pikat e kalimit të kufirit në ditët e shtuna dhe të diela dhe në orare gjatë javës, më të zgjatura se ato zyrtare. Sipërmarrjet marrin përsipër të paguajnë kostot e këtij shërbimi shtesë. DPD duhet të zgjidhë urgjentisht anomalitë që vijnë nga interpretimi i Kodit Doganor për sa i përket klasifikimit të mbetjeve teknologjike dhe diferencës në peshë, si pasojë e vështrimit krejt të ndryshëm që i bëjnë këtij Kodi Drejtoria e Doganave dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
i) Angazhimi i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për të negociuar heqjen e pagesës (me vendet ku dërgojmë apo marrim mallin) e taksës së transportit për mjetet tona – afër 6,20 euro për ton në eksport dhe import.
ARGUMENTIMI: Problemi i sigurimit të lejeve të lëvizjes së mjeteve në import-eksport jashtë territorit të Shqipërisë (DISVOLTA) dhe tarifave të transportit që iu faturohen këtyre mjeteve është një problem i hershëm që nuk ka gjetur zgjidhje në dy dekadat e fundit. Shqetësuese bëhet gjendja me shtetin italian, i cili e aplikon këtë vetëm me Shqipërinë dhe me asnjë vend tjetër që ka shkëmbime tregtare. Ministria përkatëse mund e duhet ta zgjidhë këtë ngërç, ndërsa kompanitë tona duhet të luftojnë të sigurojnë mjete transporti që sigurojnë mbrojtjen e mjedisit në vendet ku transportojnë mallin e tyre.
j)Autoritetet përgjegjëse duhet të hartojnë një program të qartë e specifik për të promovuar arritjet e sektorit të regjimit të përpunimit aktiv në vend e sidomos në rajon e Europë, si dhe të synojnë mbështetjen e këtij sektori nëpërmjet pjesëmarrjes në panaire dhe ekspozita ndërkombëtare për të prezantuar produktet “Made in Albania”. Kërkohet mbështetje logjistike e financiare për këtë synim.
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve vlerëson bashkëpunimin me qeverinë “Rama” dhe është e gatshme të kontribuojë në rritjen e punësimit, duke shprehur besimin se me plotësimin e kërkesave të arsyeshme të këtij biznesi, mund e duhet të bëhet realitet angazhimi i qeverisë për rritjen me 40 mijë të punësuar të rinj në fushën e manifakturave gjatë mandatit të parë të qeverisjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.