Fati i familjeve hungareze

16/03/2019 10:03 PM 0 komente

Planet e Viktor Orban për të rritur shkallën e lindshmërisë në Hungari mund të mos funksionojnë

 

Nëse ne do të pranojmë fluksin e madh të emigrantëve, kjo do të thotë që ne të dorëzohemi, u shpreh Kryeministri hungarez, Viktor Orban, në një konferencë për shtyp. Ai shprehu edhe teoritë konspirative që po thuren kundër shtetit të tij, të cilat synojnë që ta mbushnin Hungarinë me një numër të madh emigrantësh, shumica e të cilëve janë kriminelë apo terroristë, shkruan The Economist.

Por nëse pranimi i emigrantëve është një çështje e cila po refuzohet fort dhe në mënyrë të vazhdueshme, cilat do të jenë masat që do të marrë qeveria për të ulur numrin e popullsisë që po shkon drejt plakjes?

Përgjigjja që dha Kryeministri i vendit, z. Orban, babai i pesë fëmijëve për këtë pyetje, ishte rritja e shkallës së lindshmërisë. Ai shtoi se shteti do të ndërmarrë politika mbështetëse në drejtim të familjeve me shumë fëmijë, të cilat do t’i kushtojnë këtij të fundit rreth 150 miliardë forinta (500 milionë dollarë amerikanë), ose 0.3% të PBB-së në vitin 2020. Z. Orban premtoi se gratë me më shumë se katër fëmijë nuk do ta paguajnë kurrë taksën mbi të ardhurat. Të gjitha çifteve të reja që martohen nën 40 vjeç do t’u mundësohet marrja e kredive me këste të ulëta.

 

 

Për të gjitha familjet me shumë fëmijë do të zbatohet një skemë që do t’u mundësojë atyre blerjen e shtëpive dhe të makinave 7-vendëshe me kredi me këste të ulëta mujore dhe me përqindje të ulët interesi. Do të rritet edhe sigurimi i kujdesit shëndetësor për fëmijët. Ashtu si edhe në shumë shtete të tjera të Europës Qendrore, popullsia e Hungarisë pritet të bjerë me shpejtësi gjatë këtij shekulli. Në vitin 2016, shkalla e lindshmërisë ishte nën 1,5 fëmijë për grua. Sipas qeverisë, kjo normë duhet të rritet deri në 2.1 fëmijë për grua deri në vitin 2030.

Sipas OECD -së, Hungaria është aktualisht një prej vendeve me nivelin më të lartë të shpenzimeve në drejtim të politikave sociale dhe të përfitimeve të ndryshme të familjeve. Pavarësisht kësaj, mundësitë që shkalla e lindshmërisë të shënojnë rritje në vitet e ardhshme janë të pakta, shprehet Balazs Romhanyi nga Instituti i Përgjegjësisë Fiskale.

Nga të gjitha masat e premtuara, nga shteti hungarez, vetëm ajo që do të sigurojë rritje të kujdesit shëndetësor ndaj fëmijëve mund të ndikojë në rritjen e shkallës së lindshmërisë, vë në dukje Agota Scharle nga Instituti i Budapestit. Disa analistë të tjerë shprehen se edhe rritja e lindshmërisë nuk do të ketë ndikim pozitiv, sepse edhe ata do të emigrojnë dhe një zgjidhje mjaft e mirë dhe mbi të gjitha lehtësisht e arritshme, do të ishte pranimi i fluksit të emigrantëve. Por, të paktën tani për tani, z. Orban duket se nuk do të ndryshojë mendim.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of