Faturimi: Ja çfarë duhet të keni parasysh

13/02/2018 2:13 PM 0 komente

Për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar, çdo furnizim malli apo shërbimi dokumentohet në përputhje me përcaktimet e ligjit për TVSH-në. Dokumenti bazë që përdoret është fatura tatimore. Ajo përcakton detyrimin e TVSH-së për furnizuesin dhe shumën e TVSH-së të zbritshëm që do ti lejohet të kërkojë blerësi i regjistruar për TVSH-në. Bazuar në nenin 97 fatura tatimore është e detyrueshme të lëshohet:

  • Për çdo furnizim malli ose shërbimi të kryer kundrejt një personi të tatueshëm ose një personi juridik të pa-tatueshëm;
  • Për çdo pagesë të arkëtuar përpara se të kryhet furnizimi i mallit ose përpara përfundimit të furnizimit të shërbimit.

Në raste të caktuara, për të dokumentuar furnizimin e mallit apo shërbimit përdoren dokumente tatimore të thjeshtuara si p.sh. kuponi tatimor, i cili në mënyrë të detyruar përmban elemente të përcaktuara në ligj. Kuponi tatimor është i detyrueshëm të lëshohet në çdo rast që transaksioni nuk është i detyruar të shoqërohet me faturë tatimore me TVSH-në për transaksione me vlera deri në 40.000 lekë të kryera për individë, përveç kur blerësi individ kërkon faturën tatimore. Për çdo furnizim të tillë të bërë për individët konsumatorë jo-tregtarë, në faturën e lëshuar nga shitësi paraqitet detyrimisht emri, mbiemri dhe adresa e blerësit.

 

Çfarë duhet të përmbajë fatura tatimore

Fatura tatimore duhet të përmbajë të gjithë informacionin e përcaktuar sipas kërkesave të ligjit për TVSH-në dhe konkretisht:

i) datën e lëshimit të faturës;

ii) një numër serial që e identifikon faturën në mënyrë unike;

iii) numrin e identifikimit të TVSH-së të personit të tatueshëm që kryen furnizimin e mallrave dhe shërbimeve;

iv) numrin e identifikimit të TVSH-së të blerësit, kur ai është person i tatueshëm për furnizime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;

v) emrin dhe adresën e plotë të shitësit dhe të blerësit;

vi) emrin, adresën dhe NIPT-in e transportuesit, targën e mjetit dhe orën e furnizimit;

vii)      sasinë dhe përshkrimin e mallrave të shitura dhe përshkrimin e shërbimeve të kryera;

viii)     datën, në të cilën furnizimi i mallrave ose shërbimeve është kryer ose datën, në të cilën pagesa është kryer, në qoftë se kjo datë është e ndryshme nga data e lëshimit të faturës;

ix) çmimin për njësi, pa TVSH-në, për çdo lloj malli apo shërbimi të furnizuar, si dhe çdo ulje të çmimit ose zbritje që nuk është përfshirë në çmimin për njësi;

x) vlerën e tatueshme, sipas shkallës tatimore të zbatuar ose të përjashtuar;

xi) shkallën e zbatuar të TVSH-së, të shprehur në përqindje;

xii)      vlerën e TVSH-së së pagueshme, përveç rasteve kur zbatohet një regjim i veçantë, sipas të cilit, në përputhje me ligjin, kjo vlerë nuk duhet të tregohet në faturë;

xiii)     vlerën totale me TVSH.

 

Përveç sa më sipër, për disa raste fatura duhet të përmbajë edhe informacionin si më poshtë:

 

  • kur fatura është lëshuar për pagesë të kryer në avancë dhe TVSH-ja bëhet e kërkueshme në momentin e marrjes së pagesës, si dhe e drejta e zbritjes lind në këtë moment, në faturë duhet të shkruhet “Pagesë në avancë”;
  • kur fatura lëshohet nga blerësi për furnizimin e marrë nga furnizuesi në faturën e lëshuar duhet të shkruhet “Vetëfaturim”;
  • në rast se personi i tatueshëm furnizon mallra ose shërbime të përjashtuara nga TVSH-ja, fatura duhet të tregojë dispozitën e këtij ligji, sipas së cilës përjashtohet;
  • në rast se personi i tatueshëm në cilësinë e blerësit apo klientit është përgjegjës për pagesën e TVSH-së, në faturë duhet të shkruhet “auto-ngarkesë e TVSH-së”(reverse-charge);
  • në rast të zbatimit të regjimit të veçantë për agjencitë e udhëtimit, në faturë duhet të shkruhet “TVSH- ja është zbatuar mbi marzhin, regjimi i agjencive të udhëtimit”;
  • në rast të zbatimit të njërit prej regjimeve të veçanta për mallrat e përdorura dhe për objektet e artit, koleksioneve ose antikitetit, në faturë duhet të shkruhet respektivisht “TVSH-ja është zbatuar mbi marzhin, regjimi i mallrave të përdorura”; “TVSH-ja është zbatuar mbi marzhin, objektet e artit”; “TVSH-ja është zbatuar mbi marzhin, objektet e koleksioneve dhe antikitetit”;
  • në rast se personi përgjegjës për pagesën e TVSH-së është një përfaqësues tatimor, duhet të tregohet në faturë numri i identifikimit të TVSH-së të përfaqësuesit tatimor, së bashk me emrin dhe adresën e tij të plotë.

 

Të tjera për përmbajtjen e faturës

Personi që kryen furnizime të tatueshme, detyrohet të njoftojë në mënyrë të dukshme nëpërmjet shpalljes, kontratës apo reklamës nëse çmimi i mallrave ose shërbimeve të furnizuara ose çmimi që duhet të paguhet për furnizimin përfshin ose jo TVSH-në. Personi i tatueshëm detyrohet të evidentojë në mënyrë të dukshme në, zbritjen apo skonton tregtare, duke evidentuar gjithashtu dhe kushtet e saj.

Për qëllime të TVSH-së është kusht që vlera e tatueshme dhe vlera e TVSH-së për t’u paguar sipas faturës tatimore, të jenë shprehur në monedhën kombëtare shqiptare (Lek). Nëse fatura është hartuar në një monedhë të huaj ajo duhet të konvertohet në Lek me kursin e këmbimit në ditën që është kryer furnizimi (është lëshuar fatura) dhe kursi i këmbimit duhet të shënohet në faturë.

Fatura lëshohet në origjinal dhe jo më pak se dy kopje, origjinali i faturës është për blerësin ndërsa kopjet janë për shitësin dhe transportuesin. Nëse lind e nevojshme fatura tatimore mund të lëshohet edhe në më shumë se dy kopje. Vetëm origjinali i faturës i jep të drejtë blerësit për të zbritur TVSH-në e paguar në blerje. Për qëllime të zbritjes së TVSH-së të shënuar në faturë, në rastet kur kopja e parë origjinale humbet, do të konsiderohet e vlefshme për blerësin kopja e noterizuar e faturës së blerjes, me kusht që shitësi të zotërojë origjinalin dhe ta ketë deklaruar atë.

Në qoftëse fatura nuk përmban të gjitha të dhënat e përcaktuara më lart, blerësi nuk ka të drejtë të zbresë TVSH-në e paguar në blerje, kurse shitësi  nga ana e tij  do  të paguajë TVSH-në e detyrueshme për t`u paguar. Faturat që mund të justifikojnë zbritjen janë vetëm ato që janë lëshuar në mënyrë të rregullt nga furnizuesit e të mallrave/shërbimeve. Për ushtrimin e të drejtës së zbritjes, fatura përbën një dokument themelor sepse mundëson të justifikojë formalisht ekzistencën e një TVSH-je të zbritshme. Për këtë qëllim fatura tatimore duhet të jetë e saktë dhe të përmbajë të gjithë informacionin e kërkuar në zbatim të kërkesave të ligjit për TVSH-në. Zbritja e tatimit mund të vihet në dyshim kur rëndësia apo natyra e mungesave dhe pasaktësive të konstatuara nuk mundësojnë që dokumenti të konsiderohet si faturë. Ndërkohë që vetëm një mungesë apo pasaktësi e informacioneve të detyrueshme nuk sjell domosdoshmërisht vënien në dyshim të vlefshmërisë së një fature për ushtrimin e të drejtës së zbritjes së tatimit përderisa operacioni justifikohet në realitet dhe përmbush kushtet e tjera të vendosura për ushtrimin e të drejtës së zbritjes. Në çdo rast, fatura duhet të mundësojë justifikimin e lindjes dhe ushtrimit të së drejtës së zbritjes nga klienti.

 

Formati i faturës tatimore dhe procedurat e administrimit të tyre

Formati i faturës tatimore me TVSH është sipas modelit të miratuar nga Ministri i Financave dhe tërhiqet pranë drejtorive rajonale tatimore, ku tatimpaguesi është i regjistruar.

Faturat tatimore me TVSH përdoren vetëm nga personat e tatueshëm të regjistruar për TVSH-në. Personi i tatueshëm i cili sipas ligjit për TVSH-në duhet të pajiset me fatura tatimore me TVSH, i drejtohet me një kërkesë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar, duke i bashkëngjitur kërkesës fotokopjen e NIPT-it, kopjen e kartës së identitetit, si dhe një autorizim për personin që do të tërheqë bllokun e faturave tatimore.

Drejtoria Rajonale Tatimore pajis personin e tatueshëm me bllok faturash tatimore, pasi ka verifikuar faktin që personi i tatueshëm është aktiv dhe subjekt deklarues në përmbushje të përgjegjësive për të cilat është regjistruar. Blloku i faturave përdoret nga personi i tatueshëm duke ruajtur rendin kronologjik të faturave pjesë e këtij blloku. Drejtoria Rajonale Tatimore nga ana e saj i regjistron në një regjistër të gjitha faturat tatimore me TVSH të tërhequra nga çdo person i tatueshëm duke evidentuar emrin e personit të tatueshëm, Nipt-in, intervalin e Numrave serialë të faturave të tërhequra, si dhe emrin e personit i cili u paraqit për të tërhequr faturat. Edhe në rastin kur personi i tatueshëm nuk ka paraqitur një kërkesë me shkrim për të tërhequr faturat tatimore me numër serial, Drejtoria Rajonale Tatimore procedon në të njëjtën mënyrë si më sipër.

 

KUJDES!

“Në rastin kur personi i tatueshëm që përdor blloqe të faturave tatimore të emetuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kalon në pasiv ai detyrohet të deklarojë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore numrat serial të blloqeve të papërdorur deri në momentin e kalimit në pasiv.

Në rastin kur personi i tatueshëm mbyll veprimtarinë ekonomike, ai detyrohet të dorëzojë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore blloqet e faturave me numra serial të papërdorur. Drejtoria Rajonale Tatimore mban një akt për këtë qëllim duke i shpallur numrat serial të pavlefshëm dhe njëkohësisht kryen procedurën e asgjësimit të këtyre blloqeve duke mbajtur procesverbalin përkatës.”

Nëse një person i tatueshëm shet një sasi të konsiderueshme artikujsh në të njëjtën kohë e për të njëjtin klient, ai mund të lëshojë faturë kompjuterike për qëllime të evidentimit në mënyrë analitike të artikujve ose karakteristikave të veçanta të tyre. Në këtë rast, faturën kompjuterike me të njëjtin numër duhet t`ia bashkëngjisë faturës tatimore me numër serial të parashtypur. Në këtë mënyrë, për çdo klient lëshohet detyrimisht fatura tatimore e emetuar nga autoriteti tatimor, e cila plotësohet normalisht me të gjitha të dhënat e kërkuara, të dhënat e shitësit dhe blerësit, ndërsa vlera e transaksionit të kryer me klientin do të paraqitet në vlera totale, duke evidentuar përkatësisht vlerën e tatueshme, TVSH dhe vlerën totale.

Personi i tatueshëm lejohet të përdorë fatura tatimore me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve, sipas kushteve dhe procedurës të përcaktuara për këtë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of