Rezerva Federale do t’i japë fund programit të stimujve monetarë, pasi ekonomia amerikane është mjaftueshëm e fortë për t’ju dalë e vetme, parashikojnë Ekspertët në Wall Street.
Banka Qendrore Amerikane e filloi programin e blerjes së aseteve në Shtator të vitit 2008, për të përballuar falimentimin e gjigandit financiar, Lehman Brothers në njërën anë dhe recesionin ekonomik në anën tjetër. Më pas, Rezerva Federale ndërmori tre programe të njëpasnjëshme, të njohur si lehtësim sasior.
Duke parë gjendjen e ekonomisë amerikane, analistët mendojnë se banka qendrore do ta mbyllë përfundimisht këtë program, në takimin dyditor që fillon të martën. Vendimi, që do të publikohet të mërkurën, është i pritshëm nga tregjet dhe për këtë arsye fokusi do të jetë tek detajet që do të jepen për rritjen e normës bazë të interesit, që ka qenë në intervalin 0-0.25 për qind që nga fundi i vitit 2008.
Rezerva Federale aktualisht blen 15 miliardë dollarë asete në muaj, nga 85 miliardë dollarë që ishte ky program në dhjetor të vitit të kaluar.
Që nga Shtatori i vitit 2008, Rezerva Federale ka hedhur rreth 3.5 trilionë dollarë në tregjet financiare, kryesisht duke blerë bonot e Thesarit amerikan dhe bonot e sektorit hipotekor dhe ekzistojnë shqetësime se mbyllja e këtij programi mund të shkaktojë “flluska” në tregjet e aksioneve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.