Të punësuar gjithsej në vitin 2013 janë 1.024 mijë persona ku femrat përbëjnë 45 përqind të të punësuarve ndërsa meshkujt 55 përqind, bwhet e ditur nw publikimin e fundit tw INSTAT, “Femra dhe Meshkuj 2013”. Sipas rezultateve të Anketës së Forcave të Punës 2013, shkalla e punësimit për femrat në moshë 15-64 vjeç është 43,1 përqind ndërsa për meshkujt ku tregues është 57,3 përqind.
Duke e analizuar punësimin gjithsej sipas sektorëve të ekonomisë, është e dukshme që në sektorin privat jobujqësor, dominojnë meshkujt ku të punësuarit meshkuj përbëjnë 66,6 përqind të të gjithë të punësuarve në këtë sektor. Në sektorin privat bujqësor janë femrat ato që zënë përqindjen më të lartë të të punësuarve në këtë sektor (54,4 përqind) ndërsa në sektorin shtetëror, femrat përbëjnë 48 përqind të punësimit total në këtë sektor.
Po t’i referohemi punësimit sipas aktivitetit ekonomik rezulton se në sektorët e Shëndetësisë dhe Arsimit femrat zënë peshën më të madhe të të punësuarve, përkatësisht 68,2 përqind dhe 72,4 përqind. Ndërsa në Ndërtim dhe Transport e Telekomunikacion meshkujt përbëjnë përkatësisht 97,3 përqind dhe 80,5 përqind të të punësuarve.
Papunësia
Sipas rezultateve të Anketës së Forcave të Punës në vitin 2013 rezultojnë si të papunë 194 mijë persona ku femrat përbëjnë 37,2 përqind të të papunëve. Referuar Anketës së Forcave të Punës 2013, shkalla e papunësisë 15-64 vjeç është 16,4 përqind, ku për femrat ky tregues është 13,5 përqind ndërsa për meshkujt është 17,8 përqind.
Shkalla e papunësisë për femrat e grupmoshës 15-29 vjeç është 23,6 përqind ndërsa kjo shifër rezulton më e ulët për femrat e grupmoshës 30–64 vjeç me 11,2 përqind. Shkalla e papunësisë për meshkujt e grupmoshës 15-29 vjeç është 29,7 përqind ndërsa për meshkujt e grupmoshës 30-64 vjeç është 14,6 përqind.