Ndërmarrja “NewCo Ferronikel”, e cila vite më parë u privatizua nga “Cunico Group” i siguroi 900 punëtorët e saj, se nuk do t’u rrezikohen vendet e punës, por do të shikohet mundësia që kjo kompani ta shtojë më shumë numrin e tyre nëse do të nisë nga puna miniera e Çikatovës dhe nëse çmimet e nikelit do të rriten në tregjet ndërkombëtare.
“Ferronikeli”, i cili ishte motor i zhvillimit, jo vetëm i Drenicës, por i gjithë Kosovës, që nga privatizimi ka bërë shumë investime që ia kanë parë hairin jo vetëm punëtorët që punojnë aty, por edhe shoqëria e atij rajoni. “Ferronikeli” që nga ndërrimi i pronësisë ka përkrahur edhe shumë grupe shoqërore, sportive, kulturore dhe ka investuar në projekte të ndryshme të Drenasit, duke bërë që në përgjithësi të përfitojë komuniteti vendor. Drejtori i “Ferronikelit”, Ioanins Moutafis, ka vlerësuar se sa i përket mundësisë për të bërë biznes, Kosova ka ofruar kushte të mira por, sipas tij, tatimet janë pak të larta. Kjo kompani eksporton në disa vende. “Kryesisht eksportojmë në Itali dhe në shtetet aziatike, me theks të veçantë në Indi”, ka thënë ai. Sipas tij, për të eksportuar kjo kompani kryesisht i shfrytëzon portet detare të Greqisë, pasi janë më afër dhe kanë kushte më të mira.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.