Shqiptarët zgjodhën t’i kalonin festat e Nëntorit jashtë atdheut. Agjencitë e udhëtimit raportuan prenotime të larta në krahasim me një vit më parë, duke qenë se ishin katër ditë pushim (26-29 nëntor). Pjesa më e madhe e prenotimeve u bënë rreth një muaj më parë, gjë që i favorizoi për të marrë çmime më të lira. Drejtuesit e agjencive turistike thanë për “Monitor” se këto ditë pushimi u dhanë mundësi shqiptarëve që të realizonin udhëtime, disi më të largëta. Krahas Mavrovës e Kolashinit (ku mungesa e borës zhgënjeu disi) shqiptarët udhëtuan deri në Dubain e largët, por edhe në Spanjë, Gjermani, Bullgari etj. Familjarët ishin ata që preferuan destinacione të afërta, ndërsa grupet kishin përzgjedhur ture që përfshinin vizita në disa destinacione.
Drejtuesit e agjencisë “Sava Tours” thanë se katër ditët e pushimit mundësuan ndërmarrjen e këtyre udhëtimeve. “Ndodh shpesh që njerëzit kanë dëshirë të udhëtojnë, por nuk kanë mundësi dhe fakti që fundjava pasoi dy ditët e festave, atë të Pavarësisë dhe Çlirimit, e bënë më të lehtë organizimin e tureve edhe në destinacione të largëta. Dubai ishte një destinacion që u preferua nga grupe turistësh shqiptarë. Qëndrimi për 5 ditë kushtoi rreth 650 euro për person dhe ky ishte një çmim i favorshëm. Kryesisht u zgjodhën ato destinacione që mund të arriheshin me një avion të vetëm, pra pa bërë tranzit. Si të tilla, e që vijuan listën e preferencave, ishin edhe Italia (Pizë, Romë, etj.), por edhe Greqia (Selanik, 150 euro për person, tri ditë) e Spanja. Prenotime pati edhe për Stambollin, me tri ditë qëndrimi. Vendet fqinje, si Maqedonia apo Mali i Zi, duke qenë afër vizitohen kryesisht në mënyrë individuale. Megjithatë në tërësi ne kemi konstatuar një kërkesë më të lartë për të udhëtuar jashtë, në këtë periudhë, në krahasim me një vit më parë”.
Edhe drejtuesit e agjencisë turistike “Union Travel” konfirmuan kërkesën e lartë për rezervime, dhe shtuan se shqiptarët edhe këtë herë nuk hoqën dorë nga vesi i të lënët të gjërave në minutë të fundit. Natyrisht në këtë sektor kjo kushton, pasi do të thotë më shumë para. “Ata që rezervuan herët, rreth 3 apo 4 javë më parë, arritën të merrnin oferta të leverdishme. Por, e kundërta ndodhi me ata të cilët kërkonin oferta minutën e fundit, kur edhe çmimet ndryshojnë”, thonë drejtuesit e kësaj agjencie. Sipas tyre, pati më shumë udhëtime në grup, por edhe familjarë. Ndërsa destinacionet që u preferuan për Festat e Nëntorit ishin Sofja (99 euro, për person për 3 ditë), Bukureshti (199 euro, për 5 ditë), Italia (Piza 199 euro për person), apo edhe udhëtime që kishin dy apo më shumë destinacione. Më i veçanti ishte ai i Gjermani – Vjenë, që iu dha mundësinë vizitorëve të shihnin disa destinacione.
Për drejtuesit e agjencisë “Explorer Travel”, vendet fqinje e kanë studiuar këtë trend të shqiptarëve për të lëvizur në këto festa dhe u përpoqën që të tërhiqnin me oferta të mirëmenduara me çmime të favorshme. Sipas tyre, kjo tregon për strategjitë e tyre të prenotimeve, që duhet të ndiqet edhe brenda vendit nëse do të duam që të mbajmë më shumë turistë këtu. “Ofertat ishin tejet tërheqëse, pasi pati çmime që llogariteshin nga 89 – 189 euro. U preferuan udhëtime në destinacione si Stambolli (189 euro për person), por edhe Kroacia, Bullgaria, Greqia etj. Mali i Zi dhe Maqedonia u zgjodhën kryesisht për fundjavën dhe nga familjarë. Por, mund të konfirmojmë se këtë vit, kërkesa dhe prenotimet kanë qenë më të larta. Dy janë arsyet: çmimet e favorshme të paketave dhe katër ditët e pushimit, që nuk është se ndodh shpesh. Shqiptarët, ditën si t’i shfrytëzonin”.
Sipas drejtuesve të agjencive, kjo tendencë pritet të vazhdojë edhe për festat e fundvitit.
Operatorët turistikë: Rrugët ku duhet të ndërhyhet
Por, përtej atmosferës festive e udhëtimeve relaksuese, qëndrojnë gjithmonë problemet me të cilat vazhdon të përballet turizmi brenda vendit, ku ndër më kryesorët është infrastruktura rrugore.
Drejtuesit e të Shoqatës së Tur Operatorëve Shqiptarë u shprehën se janë disa akse rrugore, nga Veriu në Jug, që kanë ndikim të rëndësishëm në turizëm e që duhet të përmirësohen. Nëpërmjet një letre ata i janë drejtuar drejtuesve të ministrive të linjës për t’i marrë në konsideratë e për të parë mundësinë e ndërhyrjes në to.
Disa nga akset rrugore, përmirësimi i të cilave do të lehtësonte turizmin janë:
- Segmenti Poçem-Bylis është një aks i rëndësishëm, pasi do të lidhte rrugën kryesore me një nga zonat arkeologjike më të rëndësishme në vend si Bylisi, i cili aktualisht gjendet pothuajse i izoluar pas ndërtimit të rrugës së re, Fier-Tepelenë.
- Këlcyrë-Ersekë është segmenti rrugor më i kërkuar për turet e Shqipërisë që lidhin Jugun (Gjirokastrën) me zonën lindore të vendit (Korçën). Ky është segmenti rrugor më i vështirë dhe më i dëmtuar, në raport me segmentet e tjera rrugore të kësaj kategorie.
- Të përmirësohet infrastruktura rrugore dhe ura në Manastirin e Zvërnecit. Vlora nuk ka shumë zgjedhje për turistët e kulturës, ndaj dhe Zvërneci është një pikë që pothuajse sugjerohet nga të gjithë tur-operatorët gjatë qëndrimit në Vlorë. Gjendja aktuale e rrugës për në Manastir dhe ura e bëjnë të pamundur atë vizitë, gjë e cila dëmton produktin kulturor.
- Vau i Dejës-Koman është ndoshta rruga më e keqe në Shqipëri, rrugë që na prezanton në një mënyrë jo të denjë para turistëve të huaj. Ajo është në gjendje pothuajse të pakalueshme për mjetet. Është i nevojshëm ndërtimi i një platforme në Fierzë, që të plotësojë standardet minimale të ankorimit të anijeve, sepse ajo që është sot, është në gjendje pothuajse primitive.
- Rruga që të çon për tek Syri i Kaltër. Janë vetëm 2 km që prezantojnë imazhin e keq të vendit, në një nga destinacionet turistike më të vizituara nga të huajt. Në të njëjtin qark, edhe rruga për në Kalanë e Lëkurësit lë për të dëshiruar. Këto segmente rrugore kanë ndikim në zhvillimin e mëtejshëm të dy destinacioneve turistike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.