Festat e punës nuk bëhen më madhështore, luksoze dhe plot drita. Ato, përkundrazi, po shkojnë drejt personalizimit, drejt hapësirave më të vogla që ju bashkojnë më tepër me kolegët. Ja disa këshilla për të mos bërë apo për të mos iu thënë gjërat e gabuara njerëzve “të duhur”
Jo-të!
Sillni një mik “të paftuar”
Festat e vogla shpesh nënkuptojnë që partnerët apo bashkëshortët nuk përfshihen në këto lloje festash, edhe pse në vitet paraardhëse ata kanë qenë gjithmonë të ftuar. Nëse nuk jeni të sigurt nëse mund të sillni një mik ose jo, atëherë bëni mirë të pyesni. Në qoftë se është udhëzuar që nuk mund të merrni një mik, atëherë tregohuni të sjellshëm dhe respektoni këtë rregull.
Teprimi
Nuk ndodh rrallë që të pihet pa masë edhe nëpër festa pune. Pavarësisht faktit se është një festë, mbani parasysh se jeni ende në një ambient pune. Kështu duhet të silleni në mënyrën më profesionale në qoftë se nuk doni të jeni në qendër të thashethemeve të së hënës në mëngjes. Pavarësisht kësaj, nuk duhet të ndodhë as e kundërta; ju që nuk reshtni duke u përmendur kolegëve tuaj se nuk duhet të pinë shumë alkool. E përmendni këtë kaq shumë, sa kaloni në bezdisje. Jetojmë në një botë të lirë, lejojini të tjerët të bëjnë zgjedhjet e tyre.
Diskutimet e stërzgjatura
Mos e bëni “tregim” historinë tuaj. Diskutoni shkurtimisht. Në qoftë se gjatë festës, në momentin që flisni me një koleg për punë, ndodhen pranë jush partnere apo edhe bashkëshorte, të cilët normalisht nuk e kanë idenë për çfarë po flitet, rrezikoni të bëheni të lodhshëm dhe të mërzitshëm. Kujtoni që ky nuk është momenti i duhur për të diskutuar për punë. Mos “i jepni” kolegut tuaj problemet tuaja. Lëreni “zyrën”, në zyrë.
Thashetheme
Njerëzit janë të prirur të jenë më të çlirët nëpër festa të tilla, dhe në qoftë se e teprojnë pak me pijen, ka shumë mundësi të thonë gjëra të cilat nuk duhet t’i thonë. Kini kujdes me ato që thoni; batutat, komentet etj. Është normale që do të argëtoheni, por sillni gjithmonë në mendje se është një festë në zyrë dhe doni s’doni ngelet paksa “profesionale”.
Po-të!
Merrni një mik në qoftë se mundeni
Është një ide e mirë të sillni një mik me vete në festa të tilla (n.q.s e keni të lejueshme). Është një veprim i cili ndihmon njerëzit të kuptojnë se kush jeni e t’ju njohin më mirë. Lejojini kolegët të shohin një anë tjetër tuajën dhe ata ju lejojnë juve të bëni të njëjtën gjë.
Njihni njerëz
Përdoreni festën në zyrë si një mundësi për të njohur njerëz. Flisni me shefin apo me personel tjetër, me të cilët nuk është se keni kontakte në të përditshmen tuaj në zyrë, për shkak të angazhimeve të tyre. Shefat janë më të hapur për biseda në ambiente shoqërore sesa në ato të punës. Ekspertët sugjerojnë prezantimin me këta njerëz duke folur për vete dhe duke pyetur për hobi dhe interesa. Kjo është një mundësi e shkëlqyer. Përfitoni!
Vishni diçka festive
Problemi më i madh në këto raste është veshja provokuese. Nuk është as rasti dhe as momenti. Dukeni të “tepruar” dhe nuk bini në sy për mirë. Përpiquni të vishni diçka më festive se rrobat që vishni zakonisht në punë, por diçka më konservative nga veshja që do të zgjidhnit për të shkuar në një klub nate. Mundohuni të dukeni ende paksa profesionale, pavarësisht zgjedhjes që bëni.
Flisni për gjëra pozitive dhe të “lehta”
Ashtu si në çdo kompani, edhe në tuajën ka shumë “për të diskutuar”. Përpiquni të injoroni “retë e zeza” duke buzëqeshur. Është e vështirë për njerëzit të qëndrojnë larg këtyre dhe kjo sjell humor të keq. Përqendrohuni në evente pozitive dhe “shpëtoni” mbrëmjen tuaj dhe atë të kolegëve.
loje festash