Festivalet më të mirë verorë në Shqipëri

10/07/2018 1:30 PM 0 komente

“Culture Trip”, një faqe e cila publikon artikuj për artin, arkitekturën, kulturën, modën, letërsinë etj., nëpër botë, i ka kushtuar një artikull Shqipërisë dhe festivaleve më të mirë verorë që zhvillohen në vend.

“Në vitet e fundit, Shqipëria është shndërruar në destinacionin veror ideal për të gjithë të pasionuarit e festivaleve.

Nga festat që zhvillohen përgjatë Rivierës tek eventet tradicionale në qytetet historike të vendit, në Shqipëri zhvillohen një sërë festivalesh të mrekullueshëm në verë…” – nis artikulli i “Culture Trip”.

 

“Kala Festival”

© Photography by Khris Cowley

Kala është festivali më i ri që zhvillohet në Shqipëri, në qershor (20 – 27 qershor), në fshatin e Dhërmiut dhe rrethinat, duke përfshirë dhe disa nga plazhet më të bukura dhe të fshehta të Rivierës Shqiptare, në të cilat mund të shkohet vetëm me varkë. Kala është Festivali i Parë Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike që u zhvillua në vend, i cili tashmë është vlerësuar ndër festivalet më të mira verore në botë. Gjatë një jave, disa nga DJ më të mirë europianë luajtën muzikën e tyre në këtë event.

 

“South Outdoor Festival”

“South Outdoor Festival” është një ndër festivalet më të bukura që zhvillohen në Gadishullin e Ballkanit. Ai ofron një sërë aktivitetesh në qytetin e Himarës dhe rrethinat. Ai zhvillohet çdo vit nga fundi i prillit, zgjat tre ditë dhe u ofron të gjithë pjesëmarrësve të praktikojnë një sërë sportesh në ajër të pastër si hiking, zhytje, ture me biçikletë, joga etj. Në mbrëmje, do t’ju shoqërojë muzika e grupeve të zonës së bashku me gatime tradicionale.

 

“Turtle Fest”

“Turtle Fest” është Festivali më i madh veror kushtuar muzikës elektronike që zhvillohet çdo vit në fillim të korrikut, në Drimadhes, dhe ndoshta një ndër më të mirët në Europë. “Turtle Fest” bën bashkë disa nga Dj më të mirë vendas dhe të huaj që luajnë muzikën e tyre në një vend të mrekullueshëm përballë Detit Jon.

 

“Peza*n Fest”

Çdo vit, më 16 shtator, në fshatin e bukur të Pezës, vetëm një orë larg Tiranës, zhvillohet “Peza*n Fest”. Një festival i bukur muzikor që shënon fundin e verës, i cili vitet e fundit ka parë të ngjiten në skenë disa nga artistët më në zë vendas dhe të huaj. “Peza*n Fest” është një rast i mirë për të zbuluar periferinë e Tiranës dhe për të vizituar zonat më pak turistike të saj.

 

“Zâ Festival”

Theth, një vend me bukuri përrallore në Shqipëri, mirëpret në gusht “Zâ Festival”. Është një ngjarje muzikore që bashkon këngëtarët më të mirë shqiptarë të momentit.
“Zâ” është edhe festivali i parë kushtuar trashëgimisë natyrore të Alpeve Shqiptare dhe organizatorët nuk mund të gjenin një vend më të mirë se Thethi i bukur, i njohur dhe si perla e Alpeve.

 

“Nyou Festival”

Qershor, koha për muzikë xhaz në Tiranë. “Nyou Festival” (6-7-8 qershor) është një festival muzikor kushtuar muzikës xhaz në Ballkan (u zhvillua tek Amfiteatri, pranë Liqenit Artificial). Është një moment i mirë për të njohur artistët më në zë të xhazit në Gadishullin Ballkanik dhe për të shijuar një atmosferë të mrekullueshme në një nga vendet më të bukura të kryeqytetit shqiptar.

 

“Fustanella Festival”

Për traditën, folklorin dhe muzikën tradicionale shqiptare, shmangni bregdetin dhe shkoni në Gjirokastër, qyteti më i rëndësishëm kulturor në Shqipëri, i cili mirëpret në Kalanë e tij festivalin e muzikës dhe trashëgimisë “Fustanella Festival”. Bëhuni gati të kërceni dhe të këndoni këngë tradicionale shqiptare për tri ditë me radhë.

 

“Beer Festival Korça”

Korça është shtëpia e fabrikës më të famshme të birrës në Shqipëri, “Birra Korça” që çdo vit organizon një ndër festivalet verore më të bukur në Gadishullin e Ballkanit. Kjo ngjarje është një rast i mirë për të zbuluar një ndër qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, shpesh i neglizhuar nga turistët të tërhequr nga destinacionet më të famshme të vendit.

 

Burimi: Culture Trip

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of