Do ta kishin zili edhe filantropët më të mëdhenj. Shqipëria dhuron që herët. Mes veti ndihmojnë njëri-tjetrin, fqinjët, të afërmit. Sot ndihmojnë shumë emigrantë e biznesmenë, por ndryshe nga bota moderne, shqiptarët edhe kur janë sipërmarrës e mbajnë bilance, nuk i shënojnë vlerat e bamirësisë. Kjo shpjegon pse renditemi të fundit në rajon për bamirësi
Kadri Morina, sipërmarrës, u kthye nga jashtë dhe dëgjoi për sëmundjen e dhjetëvjeçarit Kristi Maze. Shkoi për të dhuruar një mijë euro, por mundësia e dhurimit ishte mbyllur. Në pak ditë, Kristi, me sëmundje të rëndë dhe nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale, arriti të sigurojë 160 mijë eurot e nevojshme për të.
Ky është një rast “i freskët”, i zemërgjerësisë së shqiptarëve, por, po të shfletojmë në të shkuarën tonë, nuk ka asnjë pikëpyetje për shpirtin bamirës të shqiptarëve, mishëruar edhe në fjalën e urtë popullore “bukë e kripë e zëmër të bardhë”. Sot, në botën moderne, motor i filantropisë po bëhen sipërmarrjet e mëdha, të cilat jo vetëm kanë më shumë mundësi, por edhe përgjegjësi sociale për zonën ku operojnë. Një “modernizim” i konceptit të bamirësisë duket se ka lënë në hije traditën e vjetër shqiptare, duke bërë që vendi ynë të renditet i fundit në rajon për shumën që shkon për filantropi në një vit, apo edhe vlerën e saj për frymë. Një konferencë për rajonin e Ballkanit mbajtur në Beograd, me mbështetjen e programit europian TASCO, nxori në pah se Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të filantropisë në rajon. “Catalyst” është një organizëm që mbështet filantropinë në rajon dhe sipas raportit të fundit të saj, mes 6 vendeve të Ballkanit, donatori më i madh për nga vlera është Serbia, ndërsa Mali i Zi kryeson në donacionet për frymë.
Nathan Koeshall, drejtori i “Catalyst”, prezantoi raportin rajonal për filantropinë. Sipas këtij raporti, vitin e kaluar individë e biznese nga Shqipëria dhuruan vetëm 1.28 milionë euro, ndërsa në Serbi, vlera i kalon 18 milionë euro. Në total, shuma e dhuruar në rajon ishte mbi 36 milionë euro. Niveli i filantropisë së raportuar zyrtarisht në të gjithë rajonin u rrit me rreth 6% në një vit.
Shqipëria mbetet prapa, si për nga vlera totale, edhe nga shuma e raportuar e dhurimit për frymë popullsie. Sipas këtij raporti krahasues në rajon, shqiptarët dhurojnë vetëm 0.46 euro për frymë në vit, ndërsa në Mal të Zi, dhurohen mbi 5 euro për frymë. Duhet të saktësojmë prej tani, se të dhënat u referohen raportimeve, ndërsa shqiptarët duket se i japin më shumë dhurimit dhe nuk e vlerësojnë raportimin e tij. Një prej faktorëve që nuk i nxit të deklarojnë dhurimin është mungesa e lehtësive fiskale, veçanërisht për individët.
Përmbytjet, prova e zemërgjerësisë
E mbani mend takimin e kryeministrit me biznesmenët shqiptarë pak pas përmbytjeve të muajit shkurt në Jug të vendit. Me fondet e sipërmarrjeve dhe mbështetjen materiale, qeveria shqiptare ia doli të rimëkëmbë zonën, pa pasur nevojë të nxjerrë para shtesë nga arka e shtetit. Përmbytjet rezultojnë të jenë një moment i ndjeshëm edhe në rajon. Serbia e vuajti një vit para nesh këtë fakt, aq sa kaloi në recesion.
Përmbytjet kanë marrë shuma edhe më të mëdha se totali i filantropisë së bërë në një vend, në një vit. Sipas “Catalyst”, vlera e parasë dhe mallrave të dhuruara vitin e kaluar në rajon i kaloi 88 milionë eurot, për shkak të mbështetjes pas përmbytjeve në Serbi.
Udhëheqin sipërmarrjet
E ndiejnë për detyrë, por janë edhe dyert ku trokitet më shpesh ato të biznesit. Kjo është panorama e përgjithshme e rajonit, ku çdo vend ka sipërmarrjen si donatorët kryesorë. Sipas studimit të “Catalyst” pesha e bizneseve apo biznesmenëve, luhatet nga 33-55% të totalit të dhurimit. Interesante është se në vendin tonë kryesojnë individët. Vrojtuesit e tregut vlerësojnë se edhe në këtë rast, donatorët janë sipërmarrës, por dhurojnë në emrin e tyre personal e jo si drejtues biznesi. Edhe në këtë rast, shpjegimi është te fakti që sipërmarrësit nuk kanë për objektiv që shuma e dhuruar të pasqyrohet si një aktivitet bamirësie i kompanisë, apo të përjashtohet nga taksat.
Edhe qëllimi i dhurimit është i ngjashëm mes vendeve. Pjesa më e madhe e fondeve shkon për grupet e margjinalizuara, për të vijuar më tej për shëndet, ulje të varfërisë dhe edukim. Në vendin tonë rreth 60% e financimit ka shkuar për grupet e popullsisë në nevojë.
Edhe pse pa ndonjë vëmendje të veçantë për t’u dukur tek të tjerët për atë që bëjmë, në tre vitet e fundit kemi bërë hapa para në renditjen botërore të indeksit të dhurimit. Sipas këtij indeksi (të dhënat e krahasuara nga Partnerët Shqipëri), në katër vite kemi zbritur mbi 60 vende në renditje, duke kaluar nga vendi i 144-t në vitin 2011 në vendin e 83-të vitin e kaluar. Shumë hapa para kemi bërë në ndihmën ndaj të huajve, ndërsa vullnetarizmi, edhe nëse bëhet, nuk pasqyrohet.
Filantropia shqiptare shkon përtej shifrave
Intervistë me Juliana Hoxhën, drejtore e Partnerët Shqipëri
Ju monitoroni mediat mbi aktivitetet filantropike. A mendoni se këto janë nivelet e filantropisë në vend, apo është vetëm maja e ajsbergut?
Të gjitha të dhënat e raportit të monitorimit tonë janë për vitin 2015. Të dhënat publike janë siguruar nga monitorimi i medias së shkruar dhe vizive, për të hulumtuar raste të aktivitetit filantropik. Ne besojnë fort se aktiviteti filantropik shkon përtej shifrave publike dhe këtë e lidhim me Çmimin e Filantropisë. Është i pesti vit organizimi i tij dhe rastet e identifikuara nga nominimet e marra janë të ndryshme nga ato që publikohen në media. Ajo që vërejmë nga ky monitorim është që media e shkruar publikon kryesisht raste filantropike që janë identifikuar nga mediat vizive.
Në raportet rajonale renditemi të fundit për bamirësi, ndërsa ju po thoni që raportohet pak bamirësia te ne?
Është shumë e vështirë që të jesh shumë i saktë dhe preciz, sidomos kur flet për trende, për tri arsye kryesore: së pari, ka mangësi në aksesin mbi të dhënat. Studimi që ne kemi kryer varet nga intervistat e marra për 151 biznese mbi të dhënat që ata na kanë dhënë. Së treti, mungon identifikimi i dhurimit individual. Edhe pse individët dhurojnë, nuk ka fakte sepse nuk njihet dhe rregullohet me ligj.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, ajo që vërejmë është se ka një trend rritës të aktivitetit filantropik. Tashmë media ka marrë një rol të rëndësishëm për të promovuar aktivitetet filantropike dhe të bëhen çështje publike.
Cilat janë karakteristikat e dhurimit te ne? Kush dhuron më shumë dhe përse?
Dhurimi nga ana e biznesit në pjesën më të madhe ka qenë larg vëmendjes së medias. Pavarësisht nga sasia e dhurimeve, kemi një numër të lartë të rasteve të aktiviteteve filantropike të ndodhura nga biznesi dhe ky është një zhvillim pozitiv kur ekonomia shqiptare është duke hasur sfida dhe kjo shihet qartë edhe te “World Giving Index”. Një pjesë e bizneseve nuk e deklarojnë dhurimin si të tillë, sepse vendosin të qëndrojnë anonim. Tek institucionet fetare janë shumë individë dhe biznese që dhurojnë, por nuk bëhen publikë, sepse nuk është pjesë e moralit deklarimi i tyre. Si dhurimet që shkojnë në institucionet fetare ashtu edhe ato që dalin prej institucioneve fetare, nuk bëhen publike.
Duhet ndërgjegjësim për punën vullnetare. Edhe pse kryhet, ajo nuk vlerësohet nga aktorët, sidomos nga media.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.