Aktivet në rënie, por shtimi i fitimeve të sistemit bankar dhe rënia e ndjeshme e kredive me probleme premtojnë një fillim të mbarë…
Aktivet e sistemit bankar kanë shënuar rënie në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me fundin e 2016-s, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Edhe kredia ka ngecur, teksa dhe rritja e depozitave është e dobët.
Pavarësisht këtij ngadalësimi të sistemit, fillimi ka qenë i mbarë. Treguesi më pozitiv është ulja e kredive me probleme, që kanë zbritur në 16.6%, niveli më i ulët në gati 6 vjet. Edhe fitimi i bankave është rritur, duke përmirësuar treguesit e rentabilitetit të sistemit.
Teksa sistemi po pastrohet nga kreditë me probleme dhe situata politike është qetësuar dhe pritet të jetë më stabël pas zgjedhjeve, bankierët vlerësojnë që huadhënia për ekonominë do të gjallërohet, duke e nxjerrë sistemin nga ngërçi ku është futur prej disa vitesh.
Aktivet në rënie
Aktivet e sistemit bankar kanë shënuar rënie në tre muajt e parë të këtij viti, ndërsa bankat janë treguar të kujdesshme, duke i vendosur paratë jashtë vendit, në mungesë të kreditimit të ekonomisë dhe rënies së kërkesës së qeverisë për blerjen e letrave me vlerë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.4 trilionë lekë në fund të tremujorit të parë të 2017, duke shënuar një rënie prej 2.8%, në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Kjo rënie vjen pas disa tremujorëve radhazi me rritje të shpejtë.
Paratë që mbledhin nga depozituesit, bankat i investojnë në dhënien e kredisë për biznesin dhe individët, blejnë letra me vlerë të qeverisë, apo i vendosin në institucionet e huaja financiare, ose pranë Bankës së Shqipërisë.
Rënia e aktiveve në tremujorin e parë të vitit ka ardhur për dy arsye: së pari, si rrjedhojë e uljes së veprimeve me Bankën e Shqipërisë (-13 miliardë lekë) dhe së dyti, bankat kanë ulur investimet në blerjet e letrave me vlerë të qeverisë (edhe ky zë është ulur me 13 miliardë lekë. Në muajt e parë të këtij viti, buxheti i shtetit ka rezultuar me suficit, çka ka bërë që kërkesa për borxh nga financat të jetë më e ulët. Kjo është reflektuar dhe në uljen e yield-it, (interesave) të bonove, të cilat u rritën me shpejtësi në fund të vitit të kaluar dhe në janar, në gati 3% për bonot 12-mujore, për të zbritur në rreth 2% aktualisht.
Teksa kanë ulur vendosjet në Bankën Qendrore dhe në blerjen e letrave me vlerë, bankat u janë rikthyer investimeve në institucionet financiare jashtë vendit, ndonëse interesat në bankat e huaja janë tepër të ulëta, ose dhe negative. Ky zë është rritur sërish me 22 miliardë lekë në tremujorin e parë 2016, pas një rënieje të fortë që kishte shënuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Ndërsa veprimet me klientët (huaja për bizneset dhe individët) kanë shënuar rritje fare të lehtë, me vetëm 616 milionë lekë, duke sinjalizuar se kredia për ekonominë vijon të mbetet në ngërç. Ky zë tregon ecurinë neto të kredisë, duke përjashtuar efektin e fshirjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave.
Dobët huadhënia
Huaja për ekonominë nuk po arrin të gjallërohet, në një tregues që kryesisht bizneset kanë stepur investimet, por as individët nuk po kërkojnë më kredi për blerje të mëdha, apo konsumatore. Kjo po ndodh, pavarësisht se normat e interesit janë pranë niveleve më të ulëta historike.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 545 miliardë lekë, duke u reduktuar me 2.5 miliardë lekë, apo rreth 0.5% në raport me muajin e mëparshëm.
Tkurrja e stokut në prill ka ardhur nga rënia e zërit kredia për korporatat jofinanciare në valutë (-2.2 miliardë lekë) dhe reflekton deri në njëfarë mase edhe zhvlerësimin e euros ndaj monedhës vendase. Por, edhe huaja në lekë për këtë kategori është zvogëluar me 340 milionë lekë. Huaja për korporatat financiare ka hyrë në një trend të dukshëm rënës që prej dhjetorit të vitit 2014, pra prej më shumë se dy vitesh, teksa biznesi duket se i ka frenuar investimet, por edhe bankat janë më të kujdesshme. Këtu ka ndikuar gjithashtu dhe fshirja e huave që nuk ktheheshin prej të paktën 3 vjet në bilancet e bankave, një proces që është intensifikuar dy vitet e fundit.
Këtë muaj, në rënie ka qenë edhe huaja për individët, ndryshe nga periudhat e mëparshme, kur ky segment njohu zgjerim, duke sinjalizuar një rritje të konsumit. Huaja në valutë për individët ka qenë në rënie, ndërsa ajo në lekë ka shënuar një rritje fare minimale. Ndonëse bankat kanë publikuar oferta shumë të mira për individët, sërish ata nuk duket se janë në humor për të marrë kredi për blerje të vogla, apo për pasuri të paluajtshme. Edhe vëzhgimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat kanë lehtësuar standardet e huasë për individët, në krahasim me bizneset, ku vijojnë t’i mbajnë të shtrënguara.
Me bazë vjetore (prill 2017/prill 2016), kredia për ekonominë i është rikthyer rënies, duke u reduktuar me 0.4%.
Depozitat, rikthehet rritja e lekut
Depozitat në sistemin bankar kanë shënuar një rritje të lehtë në muajin prill, duke u zgjeruar me 981 milionë lekë, për të arritur në 999 miliardë lekë. Ky përmirësim vjen pasi kursimet e bizneseve dhe individëve shënuan rënie për 4 muaj radhazi.
Ndryshe nga muajt e kaluar, kur ishin kursimet në valutë ato që orientonin rritjen e valutave, në prill ka qenë leku që ka mbizotëruar.
Depozitat në lekë janë zgjeruar me 2.6 miliardë lekë me bazë mujore, apo me 0.5%, kryesisht si rrjedhojë e shtimit të kursimeve të korporatave financiare. Megjithatë, kursimet me afat të individëve në lekë kanë vijuar tendencën rënëse që e kanë nisur prej shumë muajsh radhazi, që kur interesat e depozitave u ulën në vlera minimale (për kursimet 12-mujore ato janë rreth 1%).
Ndryshe nga kursimet në lekë, ato në valutë kanë shënuar tendencë rënëse, edhe si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros, që është monedha kryesore që ruhet valuta. Në prill, rënia ishte me 1.6 miliardë lekë.
Gjithsesi, depozitat në valutë vijojnë të zënë peshën më të lartë, me 52.3% të totalit. Kjo tendencë ka shqetësuar Bankën e Shqipërisë, e cila po harton së fundmi një strategji të de-euroizimit, teksa synon që të ulë përdorimin e euros në vend.
Ndonëse një nga vendet me të ardhura për frymë ndër më të ulëtat në Europë, shqiptarët rezultojnë një popull mjaft kursimtar dhe kanë një pasuri të lartë në depozita.
Sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga Banka Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të depozitave në banka, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në rajon, prej 70%.
Pas nesh, në renditje është Bullgaria, me depozita sa 68% e PBB-së, Kroacia me 64% dhe Mali i Zi me 60%.
Në vendet e tjera, kursimet e popullsisë në banka janë minimale, ku më të ulëtin e ka Kosova, me 32% të PBB-së, Serbia me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 50%. Pak më lart është Sllovenia me 53%.
Mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas Bankës Botërore, është rreth 43% e PBB-së dhe Europa në zhvillim e ka 41%.
Kreditë me probleme zbresin në 16.6% në prill
Kreditë me probleme kanë shënuar një tjetër rënie të fortë në muajin prill, duke zbritur në 16.6%, niveli më i ulët që nga tremujori i dytë 2011, sipas statistikave të fundit nga Banka e Shqipërisë.
Rënia e këtij treguesi ishte bërë e ditur më parë edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Sipas një interviste të fundit të Sejkos për Reuters, kjo ulje ka ardhur falë fshirjes së kredive të humbura prej tre vjetësh, ristrukturimit të tyre dhe performancës së klientëve ekzistues.
Huatë me probleme janë ulur ndjeshëm nga niveli i tyre më i lartë prej gati 25%, që arritën në tremujorin e tretë të vitit 2014.
Dy vitet e fundit, bankat kanë zbatuar procesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, bankat kanë larguar nga bilancet një portofol prej 14.6 miliardë lekësh, ndërsa në vitin 2015 u fshi një rekord prej 26.7 miliardë lekësh.
Një tjetër element që ka ndikuar në reduktimin e huave me probleme është procesi i ristrukturimit të 35 kompanive të mëdha, që deri pak kohë më parë zotëronin 60% të kredive me probleme.
Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre.
Nga 21 kompanitë e ristrukturuara, 10 prej tyre nuk janë më në vonesë, duke bërë që ato të dalin përfundimisht nga lista e sipërmarrjeve problematike. Ndërsa për 11 të tjera, procesi i ristrukturimit ka ecur, por do të duhet të kalojnë edhe pak muaj derisa ato të dalin nga lista e të këqijve.
Burime nga Banka e Shqipërisë pohojnë se procesi i ristrukturimit ka qenë kompleks dhe për këtë arsye, ai është asistuar nga institucioni monetar qendror. Ristrukturimi ka përfshirë zgjatje të afateve të kthimit të huasë, apo ka pasur dhe raste kur bankat kanë marrë pronësinë e aseteve dhe i kanë dhënë ato me qira.
Si rrjedhojë, numri i kompanive të mëdha që kanë nivel të lartë të kredive me probleme, aktualisht ka zbritur në 25. Ndërsa 11 janë në proces ristrukturimi, siç u përmend më sipër, mbeten edhe 14 të tjera jashtë këtij procesi.
Nga këto 14 sipërmarrje, një pjesë nuk kanë më shpresë për arkëtim, ndërsa për të tjera nuk është gjetur zgjidhje.
Banka e Shqipërisë, në raportin e saj vjetor, thekson se viti 2016 shënoi progres të dukshëm në drejtim të zbatimit të Planit të Veprimit për uljen e huave me probleme. Krahas ndryshimeve në disa akte rregullative të Bankës së Shqipërisë, fundi i vitit solli edhe miratimin në Kuvend të disa përmirësimeve ligjore të rëndësishme, ku veçojmë ligjin “Për falimentimin” dhe ndryshimet në ligjin “Për zyrat e përmbarimit”. Banka e Shqipërisë vlerëson që këto përmirësime ligjore, do t’u japin bankave dhe aktorëve të tjerë që përfshihen në procesin e zgjidhjes së huamarrjes problematike, instrumente të rëndësishme për të përmirësuar efektivitetin e procesit dhe për të përshpejtuar uljen e huave me probleme në sektorin bankar.
Fitimi katërfishohet
Pas një viti negativ, bankat iu janë rikthyer fitimeve të larta në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit për periudhën janar-mars ishte gati 4.8 miliardë lekë, me një rritje prej 303% (ose 4.3 miliardë lekë) në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fitimi i sistemit në këtë tremujor i është afruar nivelit rekord të tij, të arritur në tremujorin e parë 2015 prej 4.86 miliardë lekësh.
Sipas të dhënave të detajuara, janë dy arsyet kryesore që kanë çuar në rritjen e fitimeve:
-Së pari, të ardhurat neto nga veprimtaritë e tjera shënuan një rritje me 2.4 miliardë lekë. Këtu përfshihen veprimet nga kursi i këmbimit, si dhe komisionet e bankave.
-Së dyti, shpenzimet për provigjione kanë rënë me 1.9 miliardë lekë. Shpenzimet e larta që bankat lënë mënjanë për kredinë e pakthyer në afat kanë qenë një nga arsyet kryesore që kanë ndikuar në rënien e fitimeve të bankave vitet e fundit. Por, në tremujorin e parë të vitit, sistemi pa një rënie të ndjeshme të nivelit të kredive me probleme në 17.4%, çka ka lehtësuar dhe barrën e shpenzimeve për provigjione.
Për vitin 2016, fitimi i sistemit, i raportuar sipas standardeve lokale, ishte 9.27 miliardë lekë (rreth 67 milionë euro), me një rënie prej 41% në raport me vitin e mëparshëm.
Sipas ekspertëve bankarë, fitimi i arritur në 2016-n u vlerësua i pakënaqshëm për sistemin. Norma e kthyeshmërisë ndaj kapitalit (fitimi/kapitali rregullator) duhet të jetë mesatarisht mbi 15%, që investimi të konsiderohet eficient, ndërsa për vitin 2016, ai llogaritet në 6.6%. Por, për vitin 2017, nëse vijon kjo tendencë, pritet që edhe treguesit e rentabilitetit të përmirësohen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.