Flet Rigers Greku, menaxher për Jysk Albania
Rigers Greku, menaxher për Jysk Albania, thotë për “Monitor” se shqiptarët po e përqafojnë tendencën e bëje vetë për shkak të kostos së lirë të produkteve, kryesisht për mobilierinë që është edhe artikulli më i shitur. Z. Greku pohon se brenda dy vitesh pritet të hapen 10 dyqane të tjera në rrethet kryesore. Ai shfaq shqetësimin rreth konkurrencës së pandershme nga dyqanet informale…
Si vendosi danezi Jysk të niste aktivitetin e tij në Shqipëri?
Hyrja në tregun shqiptar të Jysk daton më herët se sa hapja pranë TEG. Fillimisht, në 2007 u hap në Casa Italia, asokohe e vetmja qendër tregtare. Sapo nisi aktivitetin Jysk, qendra nisi të shfaqte problematikat e veta financiare, gjë që na bëri që të tërhiqeshim. Kjo përkon me vitet që kriza u ndie në shumë sektorë në Shqipëri dhe nga ana tjetër, ne nuk kishim mundësi për t’ju rialokuar në ndonjë vend tjetër, për shkak të një hapësire të caktuar që duhet të përmbushte Jysk sipas standardeve europiane.
Më vonë, u rikrijuan kushtet dhe në 2015 e hapëm sërish në TEG dhe QTU. Tashmë, Jysk ka disa dyqane, edhe në tre qendra të tjera tregtare brenda qytetit. Prania e Jysk është edhe në Shkodër. Planet tona përfshijnë hapjen e dyqaneve të tjera në disa nga qytetet më të mëdha në vend që të plotësojmë një gjeografi gjithëpërfshirëse të pranisë sonë në Shqipëri. Aktualisht, Jysk ka 2668 dyqane në 50 shtete.
Si është ecuria e aktivitetit tuaj pas rihapjes në 2015?
Ky lloj koncepti në Europë është përqafuar herët, që në vitin 1979 dhe ka parë gjithnjë rritje të aktivitetit, shtim të numrit të dyqaneve etj. Kjo, sepse koncepti i produkteve të Jysk në Europë është për shtresën e mesme dhe të ulët. Në Shqipëri, disa produkte të linjës sonë ende konsiderohen si produkte të shtrenjta, por që në fakt nuk është kështu, pasi vlerësimi bëhet në raportin çmim/cilësi. Një produkt për arredimin e shtëpisë së Jysk ofron garanci dhe jetëgjatësi që në tregun e lagjes nuk e gjen.
Me këtë lloj koncepti po luftojmë ende, ndonëse klientët besnikë janë në shifra të larta. Nga ana tjetër, edhe mobilieria ka kosto të ulët kundrejt cilësisë, si dhe faktit që montohet vetë nga klienti, duke zvogëluar kostot. Edhe paketimi i një mobilieje, në rastin konkret, klientit i bëhet i përshtatshëm në varësi të mjetit të transportit, që të heqin koston e transportit nga kompania. Këtu kursehet shumë, i shoqëruar me manualin dhe setin e veglave, gjë që përputhet me filozofinë e ‘bëje vetë’. Dyqani në TEG gjeneron të ardhurat më të larta, me hapësirën më të madhe por gama e produkteve është e njëjtë në secilin dyqan. Rritja në total është e qëndrueshme, me rreth 15-20% nga viti në vit.
Cilët janë produktet më të preferuara nga shqiptarët?
Në katalogun tonë ne kemi mbi 8 mijë artikuj aktivë, por sigurisht jo të gjithë kanë të njëjtën ecuri shitje. Në Jysk, që me hapjen e dyqanit të parë, trendi konsumator është së pari mobilieria, së dyti dyshekët, së treti jorganët dhe jastëkët. Këtë tendencë e kemi vënë re në të gjithë dyqanet në këto tre vite. Kjo përputhet edhe me trendin e kompanisë mëmë në vendet e tjera europiane. Duhet theksuar që produktet e shtëpive janë në tre nivele, për t’iu përshtatur konsumatorëve: basic, plus dhe gold. Për çudi, gold që është më i shtrenjti, ecën më mirë se sa të tjerët.
Cilat janë problematikat e tregut? Po konkurrenca?
Vështirësi ka, që me hapjen e dyqaneve që duam të bëjmë. E kemi shumë të vështirë të gjejmë hapësira të përshtatshme për të hapur Jysk sipas standardeve që kërkon marka. Ndër kriteret kryesore për çeljen e një dyqani JYSK është hapësira. Në rrethe po hasim vështirësi që të gjejmë një ambient rreth 1500 m².
Një ndër problemet që lidhet më këtë çështje, është bashkëpronësia. Shumë pronarë kanë vështirësi të bien dakord për të lënë një hapësirë të përbashkët me qira, në rastin konkret të një kati në një pallat ekzistues. Kjo duke marrë në konsideratë që nëpër rrethe nuk ka qendra të mirëfillta tregtare. Konkurrencë ka, por ajo që na dëmton më tepër janë dyqanet apo tregjet informale, me produkte të një cilësie jo të mirë dhe me çmimet më të ulëta.
Çfarë planesh keni në vijim?
Planet janë që brenda dy viteve do të mbulohet i gjithë territori i Shqipërisë me dyqanet tona, sidomos qytetet kryesore, me projeksionin për të pasur 15 dyqane në të gjithë Shqipërinë. Me kalimin e viteve do të kemi një databazë më të pasur të produkteve më të pëlqyera, gjë që do të na udhëzojë drejt ofrimit më të pasur të tyre, sipas tendencës blerëse të konsumatorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.