E PERDITESUAR/Sipas bilancit të vitit 2013, detyrimet afatshkurtra të kompanisë ndaj furnitorëve arrijnë në 8 milionë dollarë…
Asetet e kompanisë më të madhe të supermarketeve e hipermarketeve në vend CMB Albania-Carrefour janë vënë në sekuestro conservative në 17 prill nga Shoqëria Përmbarimore”Studio Permbarimore L.D.C për llogari të dy sipërmarrjeve të tjera, Euronuovo dhe Luku. Lëvizjet bëhen të ditura në Qendrën Kombëtare të regjistrimit. Ndaj kompanisë Luku, Carrefour ka një detyrim prej rreth 5.5 milionë lekësh dhe ndaj Euronuovo 3.52 milionë lekë.
Aktivet e kompanisë do të qndrojnë të sekuestruara deri në një urdhëresë të dytë nga ana e përmbaruesit. Kjo është hera e parë që aktivet e kompanisë vihen nën sekuestro conservative, që nga viti 2011, kur kompania është regjistruar në tregun shqiptar.
Në fakt, prej muajsh furnitorët e Carrefour ishin vënë në radhë për të mbledhur paratë e produkteve që kanë furnizuar, duke krijuar një zinxhir borxhesh dhe mungesë likuiditeti.
Sipas bilancit të rrjetit më të madh në vend për nga xhiroja, Carrefour, (CBM Balkans) për vitin 2013 detyrimet afatshkurtra për vitin 2012 ishin mbi 867 milionë lekë për t’u rritur në vitin 2013 në 892 milionë lekë ose rreth 8 milionë dollarë. Madje detyrimet nga furnitorëve janë më të larta se gjithë detyrimet ndaj bankave për kreditë e mara afatshkutra dhe afatgjata. Kështu detyrimet afatshkutra si kredi të marra janë rreth 168 milionë lekë ndërkohë që kreditë afatgjata rreth 304 milionë lekë duke çuar në një total borxh ndaj bankave në rreth 472 milionë lekë. Ndërkohë vetëm detyrimet afatshkurtra (ndaj furnitorëve) për vitin 2013 janë raportuar 892 milionë pra rreth 2 herë më shumë se kredia. Kompania ka një kapital negativ për shkak të humbjeve të akumuluara në vite, ndërsa ka një raport të totalit të detyrimeve ndaj totalit të pasivit prej gati 120%, çka tregon se zinxhiri i supermarketeve është i zhytur në borxhe. Mjetet e veta të kompanisë (totali i aktiveve) janë më të ulëta se detyrimet ndaj furnitorëve, çka rrit probabilitetin e paaftësisë paguese të kompanisë.
Kompanitë e cigareve, produkteve të bulmetit, higjienës personale, ushqimeve etj., kanë akumuluar borxhe të pambledhura edhe gjatë vitit 2014, çka po I detyron ata t’I drejtohen përmbaruesve për të marrë paratë e tyre.
Burime nga furnitorët bëjnë të ditur se së fundmi, ata po telefonohen nga menaxherët e kompanisë Balfin (që dikur ka qenë pronare e Carrefour) dhe po u propozohet një marrëveshje, sipas të cilës do t’u kthehet 50% e detyrimit. Megjithatë Balfin ka shitur në janar 2015 edhe pjesën e mbetur prej 5% të aksioneve, duke bërë që aksionete Carrefour të zotërohen 100% nga CM Balkans BV. Kjo e fundit në fillim të 2014 kishte blerë dhe aksionet e rrjetit tjetër të supermarketeve, Euromax.
Burime nga Balfin konfirmuan ndërkohë se grupi ka blerë së fundmi Carrefour, ndonëse ky transaksion nuk është reflektuar ende në QKR.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.