Partia e Presidentit fiton zgjedhjet legjislative, por katër ministra të kabinetit japin dorëheqjen
Ky duhet të kishte qenë një moment triumfues. Së bashku me aleatët e saj, La République en Marche! (LRM), partia e Presidentit Emmanuel Macron, fitoi 350 nga 577 vende në Asamblenë Kombëtare në zgjedhjet e 18 qershorit. E vetme, LRM-ja fitoi 308 vende, një mazhorancë absolute dhe për një
parti e cila ka veshur petkun politik vetëm vitin e kaluar, rezultati është befasues, shkruan The Economist.
Disa muaj më parë, përveç të guximshmit Macron, të paktë ishin ata që guxonin edhe ta mendonin si të mundshëm një rezultat të tillë. Megjithatë, ai pati shumë pak kohë për ta shijuar momentin triumfues, si dhe për t’u përgatitur për seancën e tij të parë legjislative që u mbajt më 27 qershor. Kjo erdhi si pasojë e vështirësive të shumta me të cilat u përball partia e tij, duke qenë se katër prej ministrave të tij të kabinetit dhanë dorëheqjen. Më 19 qershor, Richard Ferrand, një prej ministrave të LRM-së, i cili u kap në një skandal financiar, dha dorëheqjen. (Ai do të bëhet kryetari i partisë në Parlament.)
Në ditët më pas, tre ministra nga MoDem, një aleat i qendrës, gjithashtu dhanë dorëheqjen. Hetuesit janë duke vëzhguar me kujdes nëse ata kanë keqpërdorur apo jo, fondet parlamentare europiane. Humbja e Sylvie Goulard si ministre e Mbrojtjes është një goditje e rëndë, sepse ajo tregoi të ishte vërtet e zonja, edhe pse në një periudhë të shkurtër kohore. Ndërsa largimi i të papërgjegjshmit, François Bayrou, ministrit të Drejtësisë dhe njëkohësisht udhëheqës i MoDemit, është një lehtësim për të gjithë.
Në muajin qershor, ai pagoi një gazetar radiofonik për të provokuar kryeministrin, Edouard Philippe, duke i thënë se ai nuk po e kryente siç duhej detyrën e tij. Z. Bayrou, i cili ishte iniciator për të pastruar politikën duke vendosur rregulla më të rrepta mbi përdorimin e parave publike, ishte nën trysni, sepse edhe vetë akuzohej për një gjë të tillë.
Gjithsesi, ai mbetet një forcë politike: 42 deputetët e tij do të vazhdojnë të mbështesin z. Macron, i cili i detyrohet shumë z. Bayrou për mbështetjen e madhe që i dha në fushatën presidenciale.
Megjithatë, dorëheqjet kanë ngritur dyshime rreth mirorganizimit të administratës së re. Për shembull, z. Philippe deklaroi se z. Bayrou do të
vazhdonte të qëndronte në krye të detyrës, vetëm pak orë përpara se ai vetë të thoshte se do të largohej. Më 21 qershor, z. Macron riorganizoi qeverinë e tij, duke u kujdesur që të ruante ekuilibrin midis ministrave të majtë dhe atyre të djathtë.
Kjo është thelbësore për një president, popullariteti i të cilit nuk është i madh dhe mund të ulet edhe më shumë nëse ai gabon në një drejtim të caktuar, shprehet Laurent Bouvet, një analiste politike në Universitetin e Versajës. Republikanët e qendrës së djathtë dhe aleatët e tyre do të formojnë opozitën kryesore me 136 deputetë, shumë më pak në krahasim me pritshmëritë e tyre përpara fushatës. Por situata për ta është edhe më keq sesa mund të duket në pamje të parë, sepse ata janë përballë një pozite, e cila ka pjesën më të madhe të ish-kolegëve të tyre: ish-kryeministrin, z. Philippe; ministrin e Financave, Bruno Le Maire dhe ministrin e Buxhetit, Gérald Darmanin, të gjithë ish-republikanë. Edhe linjat ideologjike mund të jenë të vështira për t’u ruajtur. Republikanët favorizojnë pjesën më të madhe të programit të z. Macron, i cili përfshin reformën e punës dhe atë të pensioneve, uljen e taksave dhe një rol të reduktuar të shtetit në disa zona.
Më 21 qershor, Thierry Solère, një republikan, njoftoi se një grup prej 40 deputetësh nga partitë e ndryshme të qendrës së djathtë do të ofronte mbështetje ‘konstruktive’ për reformat e z. Macron. Kjo lëvizje e përkeqëson më shumë situatën e republikanëve. Ngushëllimi i saj i vetëm është se, Partia Socialiste, është në një situatë edhe më të keqe se ajo. Socialistët dhe aleatët e tyre kanë vetëm 45 deputetë, rezultatin më të keq të arritur ndonjëherë në historinë moderne.
Udhëheqësi i tyre i larguar, Jean-Christophe Cambadélis, i cili humbi vendin e vet, thotë se “Kolapsi i Partisë Socialiste është i sigurt”. Opozita më e zhurmshme ndaj administratës së z. Macron mund të vijë nga ekstremet. Marine Le Pen, udhëheqësja e së djathtës ekstreme të Frontit Kombëtar që ka tetë deputetë, fitoi garën në një rajon të Francës së Veriut.
Jean-Luc Mélenchon, udhëheqësi i ekstremit të majtë, partia e të cilit ka fituar 17 vende, u zgjodh në Marsejë. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë deputet më parë dhe që të dy do të përdorin vëmendjen mediatike dhe vendet e tyre në Parlament për të shkaktuar protesta kundër reformave të zotit Macron.
Z. Mélenchon pohoi javën e kaluar se pjesëmarrja tejet e ulët në votimin legjislativ shpreh edhe “grevën e përgjithshme qytetare” kundër z. Macron. Shumë pak francezë bien dakord me një pohim të tillë. Pjesëmarrja ishte me të vërtetë e ulët me rreth 43%, ku theksohej mungesa e të rinjve, qytetarëve të varfër dhe atyre të klasës punëtore.
Janë të shumtë votuesit që supozojnë se fitorja e LRM-së ishte një marrëveshje e bërë. Pavarësisht problemeve të fundit të z. Macron, ekuilibri i pushtetit në Parlament i mundëson atij mjetet e nevojshme për të ecur përpara.