Fillon regjistrimi i pasurive të paluajtshme në Durrës e Fier

04/06/2012 13:34 0 komente
Durresi qytet_17_1

Qeveria Shqiptare ka iniciuar Projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP-A2.2/TS/FR/ICB-01). Si pjesë e këtij projekti, në Shqipëri po ndërtohet Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 33/2012, i datës 21. 03. 2012  “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të  Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë, njoftoi Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) .

Në vijim të ndërtimit të Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonat Kadastrale Nr. 8514 të qytetit të Durrësit dhe Nr. 8534, të qytetit të Fierit. Ky afishim bëhet respektivisht në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8514, saktësisht në adresën, Rruga “Hafiz Podgorica”, Pallati  “Niko” sh. p. k, përballë ZRPP-së Durrës dhe në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8534, saktësisht në adresën, Lagja “Apolonia”, Rruga “Xox Andoni” pranë zyrave të rajoneve Fier.

Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike.

Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8514, Durrës dhe Zonën Kadastrale Nr. 8534 Fier, janë të ftuar të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre.

Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara.

Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë respektivisht te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit dhe Fierit.

Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së Afishimit Publik.

Procesi i Regjistrimit Fillestar është FALAS për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.