Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj, të angazhuara në luftën kundër korrupsionit, si një nga prioritetet themelore të Qeverisë për forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e interesave të taksapaguesve shqiptarë, kanë paraqitur në organet e prokurorisë 192 kallëzime penale për 569 autorë, të cilat i referohen veprave penale në fushën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe fshehjes së detyrimeve tatimore, kontrabandës, ushtrimit të veprimtarive të pa ligjshme në fushën e lojërave të fatit si dhe ato në fushën e pastrimit të parave, sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria e Financave.
Por, Ministria e Financave shpreh shqetësimin se ajo dhe dhe njësitë në varësi të saj janë informuar nga organet e prokurorisë vetëm për 10 raste nga 192 gjithsej, ndër të cilat, përkatësisht, për 1 rast është njoftuar vendimi për mosfillim hetimi, për 2 raste është njoftuar pushimi i çështjes, si dhe 7 janë deleguar. Nga 192 kallëzime gjithsej, 65 prej tyre i takojnë kallëzimeve të paraqitura gjatë 3 mujorit të fundit të vitit 2013.
Për këtë situatë, Ministri i financave Shkëlqim Cani i ka dërguar këto ditë një letër Prokurorit të Përgjithshem ku shpreh shqetësimin per ecurinë ligjore të këtyre rasteve.
Sipas letrës, ministri Cani ka kërkuar vëmendjen e prokurosrit të përgjithshëm, z.Ardiatik Llalla lidhur me këtë situatë dhe për mungesën e informimit lidhur me çështjet e kallëzuara prej saj dhe institucionet në varsi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.