Pas dy muajsh jo të mbarë, financat kanë përmirësuar ndjeshëm ritmin e rritjes së të ardhurave gjatë muajit mars, duke kthyer trendin rënës për tremujorin (në janar-shkurt të arhurat ranë me 1.3% me bazë vjetore).
Sipas të dhënave ende paraprake (shifrat ende po rishikohen), totali i të ardhurave për periudhën janar –mars 2015 ishte 86.6 miliardë lekë, apo 3.6% më shumë se e njëjta periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, të ardhurat nga tatimet e doganat rezultojnë me ulje, ndërsa janë rritur të hyrat nga fondet special dhe ato jo tatimore, që kanë dhënë efektin kryesor në tendencën rritëse.
Të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 56 miliardë lekë për 3 mujorin, me një rënie me 2% me bazë vjetore.
Të ardhurat nga TVSH shënuan një rënie prej 9% në 27.5 miliardë lekë (shifra është ende paraprake dhe mund të rishikohet).
Të ardhurat nga tatim fitimi janë rritur ndjeshëm me 38% në 8.6 miliardë lekë, pas një performance të dobët në dy muajt e parë të vitit. Ministria e Financave sqaron se të dhënat paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve flasin për rritje të arkëtimit të këtij tatimi, i cili ka qenë në vlera negative vetëm për muajin janar 2015 dhe ka shënuar shifra pozitive për muajt shkurt e mars 2015, në raport me planin dhe faktin. Vetëm për muajin Mars 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shënuar si të hyra fiskale për këtë tatim 67.09% më shumë se sa treguesi i shënuar në marsin e vitit 2014. Duke qenë se tatim fitimi paguhet një herë në tre muaj, tremujori i parë tregon saktë tendencën e mbledhjes së të ardhurave të kësaj takse.
Akciza ka ndalur ritmet e rënies duke rezultuar në 7.1 miliardë lekë për janar-mars 2015.
Tatimi mbi të ardhurat personale ka vijuar tendencët e rënies, ndonëse më të ngadalësuara, duke zbritur me 5% në 6.1 miliardë lekë.
Taksat nacionale dhe të tjera kanë shënuar rënien më të lartë prej 20% me bazë vjetore në 6 miliardë lekë, duke reflektuar rënien e prodhimit të naftës në vend, që kanë paguar si rrjedhojë më pak rentë.
Të ardhurat nga fondet special (sigurime shoqërore dhe shëndetësore) janë rritur me 14%, por ndikimin këtu e kanë dhënë sigurimet shëndetësore (të cilave iu hoq tavani i pagës maksimale nga janari i këtij viti), ndërsa sigurimet shoqërore nuk kanë shënuar rritje, pavarësisht shtimit të numrit të të punësuarve, si rrjedhojë e uljes së pagës minimale nga ana e bizneseve, pas heqjes së referencave.
Të ardhurat jotatimore janë zgjeruar me 63% në 8.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave totale në buxhet. Ndikimin kryesor e ka dhënë rritja e zërit “Të ardhura nga Inst.Buxhetore”, që u rrit me 4.5 miliardë lekë, duke kompensuar rënien e të ardhurave nga tatimet e doganat dhe të ndihmave (të ardhurat në total u rritën me gat 3 miliardë lekë).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.