Peshën kryesore e mbajnë TVSH dhe kontributet. Edhe me planin e rishikuar, të ardhurat nga tatim fitimi dhe akciza sërish nuk kanë arritur të realizohen, ndonëse barra e tyre tatimore u rrit në janar 2014…
Të ardhurat në buxhet për gjithë vitin 2014 ishin 367.7 lekë, me një rritje prej 12% me bazë vjetore, sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave. Realizimi i të ardhurave ishte rreth 1 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar në shtator 2014 dhe gati 2 miliardë lekë më shumë se plani fillestar në janar 2014. (kujtojmë se në mes të vitit, buxheti u rishikua në rritje, me rreth 3 miliardë lekë më shumë).
Të ardhurat tatimore arritën në 336 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej rreth 12%.
Zërat qënë ka mbajtur peshën kryesore të shtimit së të ardhurave tatimore janë ai i TVSH-së dhe i sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që së bashku kanë ndikuar në gati 90% të rritjes.
Të ardhurat nga TVSH ishin 123.8 miliardë lekë, me një zgjerim prej 10%. Megjithatë financat raportojnë TVSH-në neto, duke zbritur shumën e rimbursuar faktikisht, jo të gjithë shumën e detyruar për t’u rimbursuar, ndaj ky zë pritet të rishikohet me ulje, siç ka ndodhur në muajt e mëparshëm. TVSH ka sjellë në buxhet 37% të totalit të të ardhurave tatimore. Megjithatë edhe të arhdurat nga TVSh janë gati 2 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar, por gjithsesi 5.4 miliardë lekë më shumë se fillestari.
Të ardhurat nga tatim fitimi e mbyllën vitin në nivelin e 21.5 miliardë lekëve, 42% më shumë se 2013-a. Megjithatë, ky zë ishte 420 milionë lekë më pak se plani i rishikuar në ulje në shtator dhe 1.5 miliardë lekë më pak se plani fillestar. Financat nuk kanë arritur të shfrytëzojnë rritjen e kësaj takse nga 10 në 15% në fillim të vitit, për të mbledhur të paktën 50% më shumë të ardhura (duke mos llogaritur që nuk ka pasur rritje nga mirëadministrimi).
Akciza është zëri tjetër, që megjithëse u rrit për disa produkte, nuk arriti të sjellë të ardhurat e parashikuara në buxhet. Ky zë e mbylli vitin në nivelin e 40.9 miliardë lekëve, me një rritje prej 7.2% me bazë vjetore, por që ishte 3.6 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar dhe 7.5 miliardë lekë më pak se ai fillestari.
Një zë tjetër që është realizuar më pak se plani është ai i taksave nacionale dhe të tjera (1.5 miliardë lekë më pak se plani), për shkak të ecurisë së dobët të rentës minerare, si rrjedhojë e ecurisë së dobët të industrisë së naftës nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Ecuri positive kanë reflektuar të ardhurat nga fondet special (sigurimet shoqërore e shëndetësore), të cilat në fund të vitit 2014 arritën në gati 70 miliardë lekë, me një rritje prej 17% me bazë vjetore, duke qenë 6.4 miliardë lekë më shumë se plani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.