Zëri me rënien më të madhe është ai i tatim fitimit, ku janë mbledhur 60% më pak se e njëjta periudhë e një viti më pare. Negative dhe TAP, taksat nacionale, të ardhurat jotatimore dhe të ardhurat vendore…
.
Të ardhurat në buxhet kanë shënuar rënie me bazë vjetore për herë të parë që kur e majta filloi të administronte financat, pas ardhjes faktike në pushtet në shtator të vitit 2013.
Sipas statistikave paraprake të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave të mbledhura në buxhet për janarin 2015 ishte 26.38 miliardë lekë, 904 milionë lekë, apo 3.3% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Të ardhurat nga grantet kanë rënë me 492 milionë lekë.
Të ardhurat nga tatimet e doganat kanë pasur gjithashtu një rëniment negative, duke qenë 454 milionë lekë, apo 2.7% më pak se janari i vitit 2014. Zëri që ka ndikuar më negativisht në këtë performancë ka qenë ai i tatim fitimit, ku janë mbledhur mbledhur 614 milionë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, me një rënie prej 60%. Ndonëse tatim fitimi mblidhet mbi baza tremujore, njëjta praktikë ka nisur që në janar të vitit të kaluar, ndaj të dhënat janë në bazë të njëjtë krahasimi. Kjo situatë duket se po reflekton situatën e vështirë të bizneseve shqiptare, që presin më pak fitime, ndërsa barra e tatim fitimit është rënduar në 15%, që nga janari 2014.
Të ardhurat nga TVSH kanë vijuar me performancë positive, duke u rritur me 10%.
Edhe të ardhurat nga akciza kanë shënuar një rritje prej 10%, duke reflektuar më shumë politikën e rritjes së nivelit të tyre.
Rënie të fortë kanë shënuar dhe të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale, që ishin 25% më pak se janari i një viti më parë.
Krahas TVSH-së, zëri i dytë me ecuri positive është ai i kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që është zgjeruar me 9.4%.
Të ardhurat jo tatimore kanë rënë me 9.4%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.