Ministria e Financave njofton se ka forcuar kontrollin e brendshëm për të mbajtur lart përgjegjshmërinë qeverisëse në përdorimin e burimeve publike, përmes zbatimit të rekomandimeve të auditimit. Qëllimi është të realizojë vetëvlerësimin e efiçiencës së drejtimit të financave publike, duke kontribuar në shtimin e vlerës së parasë publike dhe në forcimin e sistemit tw kontrollit mbi të.
Janë aplikuar metodologjitë dhe teknikat më të mira bashkëkohore për të përmirësuar planifikimin për auditim, maksimizimin e kapaciteteve audituese dhe zgjerimin e mbështetjes në arritjen e objektivave të ministrisë dhe sektorëve në vartësi të saj.
Rezultat i kësaj është përmirësimi i imazhit të këtij shërbimi, duke informuar publikun, mediat, dhe të interesuarit e tjerë, për një shërbim profesional dhe të pavarur dhe për rezultate konkrete.
Kështu, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare të fushës, në garantimin e një efiçience sa më të lartë dhe, duke i kushtuar vëmendje procesit të vlerësimit paraprak të riskut, ka vlerësuar se gjatë auditimit janë vërejtur shkelje të procedurave të vlerësimit për qëllime doganore me efekt, në mbledhjen më pak të të ardhurave buxhetore. Nga kontrolli i ushtruar për vitin 2015 është vënë re se ende ka një bazë rregullative të paharmonizuar në fushën e kontrollit tatimor, ka ende shkelje të procedurave të kontrollit dhe rikontrollit tatimor etj.
Eshtë evidentuar se ka munguar totalisht baza e të dhënave (rregjistrim i borxhit) mbi kreditë e këqija në vite në Agjensinë e Trajtimit të Kredive, duke e bërë pothuajse të pa mundur mbledhjen e tyre deri në vitin 2013.
Po në këtë institucion, për pagesë të vendimeve gjyqësore për largime të padrejta nga puna të punonjësve deri në vitin 2013, i është shkaktuar buxhetit të ATK-së një dëm prej 14.9 milionë lekësh.
Si rezultat i kontatimit të mungesës së veprimtarisë së Bursës së Tiranës për rreth 20 vjet është mbyllur kjo strukturë, e cila në kwtw mënyrë vetëm ka shpenzuar para publike.
Nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së kontrollit të brendshëm/auditit edhe fenomentet e shmangies së procedurave të prokurimit të fondeve të huaja, tejkalimet e buxhetit, apo edhe abuzim me fondet dhe shtesë kontrate në mënyrë të paligjshme
Referuar rasteve konkrete, auditi i brendshëm i Ministrisë së Financave ka faktuar parregullsi në zhdoganimin e mallrave, në rastet kur është pranuar vlera sipas transaksionit, disa herë me e ulët se çmimi, duke përdorur për disa artikuj të dhëna të procesverbaleve të vlerës të para mbi 10 viteve të pa përditësuara. Zbulimet për mospërputhje të Kodit Tarifor me Kodin e Emertesës, janë të ardhura të munguara, kryesisht nga TVSH.
Ka pasur gjithashtu shkelje të procedurave të zgjedhjes për kontroll, zgjatje të pa justifikuara në kryerjen dhe raportimin e kontrolleve tatimore dhe kontrolle në proces për rreth një vit, propozime mbi dy herë për rikontroll për të njëjtët tatimpagues, rikontrolle të rekomanduara nga auditimi i brendshëm dhe të pa kryera, kontrolle tatimore arbitrare në DRT Vlorë të periudhës 2012-2013.
Në Drejtoritë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave janë vërejtur shkelje të rregullave të prokurimit publik, për të cilat janë dënuar me gjobë nga 50 mijë deri në 300 mijë lekë, 8 zyrtarë, ndërsa janë dhënë masa disiplinore për 4 të tjerë.
Bazuar në raportet e auditimeve të kryera titullaret e institucioneve, kanë dhënë masa disiplinore të të gjitha niveleve, për më shumë se 100 punonjës, gjoba për shkeljet në 9 raste, si dhe kallzim penal për zyrtarët publikë në dy raste.
Forcimi i kontrollit dhe auditimit të brendshëm publik të Ministrisë së Financave, i fokusuar jo vetëm në raportim të parregullsive, shkeljeve administrative apo penale, por edhe në dhënien e rekomandimeve dhe këshillave të dobishme për ndreqjen e tyre dhe përmirësimin e menaxhimit financiar, kontrollit dhe drejtimit, ka bërë që ky shërbim të jetë më i dobishëm dhe në ndihmë të institucionit të ministrisë dhe ato vartëse në shtimin e vlerës dhe mbrojtjen e aseteve publike.
Kjo mënyrë e kontrollit të brendshëm ka bërë që të evidentohen shkeljet e bëra në vite dhe disa herë të paaudituara, por të parandalohen në kohë edhe tendencat për shkelje të procedurave ligjore dhe abuzim në sektorë të caktuar.
Ministria e Financave vlerëson se ky proces auditimi do të forcohet më shumë në të ardhmen, me synimin për siguruar një menaxhim të mirë të financave publike, rritjen e sigurisë për të gjitha fushat e veprimtarive të financave publike si dhe përgjegjshmëri të qeverisjes në përdorimin e burimeve publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.