Zyrtarët e vjetër nuk japin përgjigje për buxhetin: Do të ndryshojë në shtator, merreni informacionin nga qeveria e re…
Ministria e Financave i ka kthyer përgjigje FMN-së në kuadër të projektit të vlerësimit të financave, i cili do të ndodhë në muajt tetor-nëntor. Në kushtet kur qeveria është në detyrë, shumë përgjigje kanë mbetur pezull, duke ia lënë në dorë ministrit të ri, Shkëlqim Cani. Duke nisur nga deficiti buxhetor, ulja e borxhit, shpenzimet, etj., për qeverinë aktuale nuk bën më sens që të tregojë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa mësohet se sipas parashikimeve, nisur nga treguesit e 7-mujorit, vendit do t’i mungojnë 30 miliardë lekë.
E ndarë në dy kapituj, Politika Fiskale dhe Reforma Strukturore, zyrtarët e FMN-së kanë kërkuar, përmes pyetjeve, të mësohet rreth ndryshimeve te taksat dhe efektet në buxhet, çfarë po bëhet për ekonominë informale, si do të jetë në të ardhmen ecuria e borxhit, deficiti, madje nuk kanë harruar të pyesin ministrin Ridvan Bode edhe për sektorin energjetik, dhe jo pa qëllim, duke qenë se ky sektor i mori arkës së shtetit për blerje të energjisë nga importi, rreth 9 miliardë lekë vitin e kaluar.
Temat më të nxehta nuk kanë marrë përgjigje, ndërsa FMN-ja duhet të presë ministrin e ri të Financave, për të mësuar rreth politikës që do të ndiqet në të ardhmen. Praktikat e lënies pezull të disa pyetjeve, qeveria e re i ka cilësuar papërgjegjshmëri dhe mungesë serioziteti.
Por ajo çfarë pritet të shkaktojë diskutime të forta lidhet me përgjigjen e deficitit fiskal. “Paraprakisht ne projektojmë një mungesë në të ardhurat buxhetore prej rreth 30 miliardë lekësh, në krahasim me ligjin aktual të buxhetit, miratuar në fund të vitit të mëparshëm. Deficiti për vitin 2013, bazuar në ligjin ekzistues, do të jetë të paktën 4.6% e PBB, nga i cili 3.5% e PBB është miratuar fillimisht që të financohet përmes huamarrjes (si e brendshme ashtu dhe e huaj). Pas krijimit të qeverisë së re në fillim të shtatorit, ka të ngjarë që të ndodhë një rishikim i buxhetit, ku do të qartësohen të dhënat e fundit. Për momentin, nuk mund të japim një përgjigje më të qartë të kësaj pyetjeje. Gjithashtu, rishikimi i Kuadrit Makroekonomik e Fiskal për 2014 – 2016 ka të ngjarë që të kryhet në shtator”.
Edhe çfarë do të bëhet me privatizimet, Ministria e Financave i është përgjigjur duke thënë se duhet pyetur qeveria e re në shtator. Pra, në këto kushte, praktikisht qeveria aktuale ka mbyllur kapitullin e përgjegjësive.
Pyetja e FMN-së
Jepni vlerësime lidhur me deficitin fiskal të projektuar (përfshirë tendencën e të ardhurave dhe përbërësit e shpenzimeve). Sa po ndikon ngadalësimi ekonomik në të ardhurat nga taksat dhe shpenzimet?
Përgjigja e financave
Paraprakisht ne projektojmë mungesë në të ardhurat buxhetore prej rreth 30 miliardë lekësh, në krahasim me ligjin aktual të buxhetit, i miratuar në fund të vitit të mëparshëm.
Deficiti për vitin 2013, bazuar në ligjin ekzistues do të jetë të paktën 4.6% e PBB, nga i cili 3.5% e PBB është miratuar fillimisht që të financohet përmes huamarrjes (si e brendshme ashtu dhe e huaj) dhe shtesa prej 1.1% e PBB do të financohet përmes të ardhurave nga privatizimi që do të arkëtohen në vitin 2013 (kryesisht katër hidrocentralet), të cilat nuk ishin përfshirë në planin ekzistues të buxhetit. Ligji ekzistues i buxhetit për vitin 2013 përcakton se burimet shtesë financiare që vijnë nga privatizimi duhet të përdoren ose për shpenzime kapitale, ose për të reduktuar financimin neto të planifikuar për vitin 2013. Duke pasur parasysh buxhetin aktual për gjysmën e parë të 2013-s, ka shumë pak të ngjarë që ndonjë pjesë e këtyre privatizimeve të shkojë për reduktimin e huamarrjes neto.
Deficiti final buxhetor varet nga ecuria e të ardhurave për muajt e mbetur si dhe nga aftësia dhe vendimet për të kontrolluar shpenzimet, duke pasur parasysh gjithashtu hapësirën e lënë për kursime.
Pas krijimit të qeverisë së re në fillim të shtatorit, ka të ngjarë që të ndodhë një rishikim i buxhetit, ku do të qartësohen të dhënat e fundit. Për momentin, nuk mund të japim një përgjigje më të qartë të kësaj pyetjeje.
Gjithashtu, rishikimi i Kuadrit Makroekonomik e Fiskal për 2014 – 2016 ka të ngjarë që të kryhet në shtator.
Cila është perspektiva për privatizime në 2013-‘14 duke pasur parasysh mjedisin e pasigurt global?
Në vitin 2013 nuk mendohet se do të materializohet ndonjë privatizim shtesë, përveç atyre që janë kryer tashmë (privatizimi i katër hidrocentraleve). Lidhur me periudhën e vitit 2014 dhe më tej, një pikëpamje më e saktë për privatizimet gjithashtu dhe për politikat e privatizimeve për periudhën afatmesme do të mund të jepet vetëm në shtator, nga qeveria e ardhshme.
Cilat janë synimet e autoriteteve porsa u përket objektivave të borxhit publik në afatin e mesëm? Cili është kufiri fiskal pas heqjes së tavanit të borxhit prej 60% të PBB-së?
Ky është gjithashtu një vendim që do të merret nga qeveria e re, si rrjedhojë nuk mund të ketë përgjigje të paktën deri në vjeshtë.
Cilat janë synimet e autoriteteve në të ardhmen?
Në shtator 2013, do të fillojmë procesin e hartimit të strategjisë së re të borxhit në linjë me kuadrin e ri makroekonomik dhe ligjin vjetor të buxhetit. Objektivat e strategjisë aktuale për 2013-2015 janë në linkun: http:/www.minfin.gov.al/minfin/Strategies_503_2.php). Synimet janë që të menaxhohen rreziqe të ndryshme duke marrë në konsideratë minimizimin e kostove dhe përmirësimit të tregut të letrave me vlerë të qeverisë, duke zgjeruar bazën e investitorëve. Objektivat do të kuantifikohen nga numri i treguesve të rrezikut dhe objektiva të tjerë të lidhur me raportin e borxhit të brendshëm ndaj atij të jashtëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.