Shqipëria emetoi me sukses vitin e kaluar një Eurobond 7 vjeçar me një interes historikisht të ulët prej 3.5%. Suksesi Eurobondit u përshëndet nga shumë partnerë ndërkombëtarë si FMN, BB dhe BE që vlerësuan përmirësimin e profilit të borxhit në zgjatjen e maturitetit.
Një pjesë e Eurobondit rreth 200mln Euro u përdorën pikërisht për të ulur ri-pagesat e Eurobondit të vitit 2020 duke lehtësuar ndjeshëm financimin e Eurobondit të atij viti. Pjesa tjetër shkon për shlyerjen e kredive të huaja të viteve të kaluara pa rënduar tregun e brendshëm apo deficitin, njoftoi sot Ministria e Financave.
Borxhi publik ra ndjeshëm në 2018 në 67% të PBB dhe është në drejtimin e duhur për të arritur objektivin afatmesëm poshtë 60% të PBB. Kjo ka ulur ndjeshëm rrezikun por dhe koston e shërbimit të borxhit. Shqipëria përballoi me sukses një periudhë relativisht të vështirë financimi 2013-2015 pa rrezikuar asnjë pagesë të brendshme dhe të jashtme. Tani rreziqet financiare, falë dhe reformave strukturore (pensionet, energjia) janë ulur ndjeshëm duke rritur sigurinë e shlyerjes të çdo detyrimi publik edhe detyrimeve të huaja në kohë. Gjendja e likuiditetit të qeverisë që prej vitit 2016 ka qenë shumë e shëndetshme për të mos munguar asnjë pagesë të planifikuar në buxhet.
Shqipëria qëndron në nivelin B1/B+ nga agjencitë e vlerësimit duke reflektuar karakteristikat e ekonomive në zhvillim. Si çdo ekonomi në zhvillim investimi në Shqipëri mund të mbarti rreziqet e kësaj fashe gjë që bëhet transparente ndaj investitorëve nga agjencitë e vlerësimit dhe në dokumente shoqëruese si prospektusi . Thënë kjo, investitorët përtej rreziqeve të klasifikimit të vendeve sipas zhvillimit të tyre, vendosin në bazë të besueshmërisë që ata krijojnë nga situata ekonomike dhe reformat e një vendi të caktuar. Dhe suksesi i Eurobondit të fundit edhe për nga kërkesa e lartë e investitorëve, tregon që Shqipëria ka fituar një besueshmëri të madhe në tregjet ndërkombëtare.
T’u referohesh risqeve të përgjithshme të ekonomive në zhvillim në tërësi, për të përcaktuar rrezikun e Shqipërisë.
Për këtë mjafton të vërehet sa shumë ndryshon vlerësimi i investitorëve për vende në të njëjtën kategori. Nga tregjet dhe investitorët Shqipëria vlerësohet një shkallë më lart se ajo e agjencive të vlerësimit që tregon dhe njëherë drejtimin e duhur të reformave dhe zhvillimit të ekonomisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.