Edhe muaji qershor konfirmon krizë në arkën e shtetit, sakaq, Ministria e Financave lëshon alarmin e “ngrirjes” së disa shpenzimeve
Ku po shkon ekonomia dhe deri sa do të mbajë? Të gjithë presin nga “qeveria e re”, pasi e “vjetra”, pra ajo aktualja, duket se është dorëzuar. Megjithatë, kryeministri i ardhshëm i ka paralajmëruar shqiptarët se “nuk disponon shkop magjik për zgjidhjen e të gjitha halleve”, por është ngushëlluar me faktin e një qeverie “të transparencës”. Rama është zotuar se do t’i thotë të gjitha të vërtetat dhe se “së bashku, me sakrificë” do t’u jepet drejtim problemeve.
Deri atëherë, dy muaj nga qeveria e re, duken shumë dhe situata aktuale imponon për marrje masash, pasi muaji qershor paraqet të dhëna aspak optimiste. Ashtu si në maj, 5-mujor, kur buxhetit i mungonin rreth 3 miliardë lekë në tërësi, duket se edhe qershori ka ecur në mënyrë “progresive” të rënies, plot 5.5 miliardë lekë.
Nëse vijohet kështu, me shumë gjasa do të përballemi me situatë tepër të vështirë, ndërsa sakaq, zërat për ardhjen e FMN-së janë përforcuar, në fillim nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, më pas dhe nga lideri socialist, Edi Rama. Ajo që bie në sy është heshtja e gjatë e ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili me sa duket është angazhuar në zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike.
Pasqyra e së vërtetës?
Edhe pse Ministria e Financave pranon përmes shifrave të certifikuara nga ajo vetë se 5-mujori paraqet një nivel arkëtimesh më negativin e 10 viteve të fundit, për skeptikët kjo nuk mjafton. Mazhoranca e re beson se të dhënat reale fshihen dhe se nuk është kjo pasqyra origjinale që na tregon se ku jemi me situatën buxhetore, por jo vetëm, pasi diskutohet niveli i papunësisë, inflacioni dhe i rritjes ekonomike.
Duke u ndalur tek të ardhurat, qeveria jo vetëm që nuk ka mundur të realizojë planin, por paraqitet dobët edhe në raport me vitin 2012, si 6-mujor, me rreth 2.6 miliardë lekë. Duket se tatimet kanë dhënë goditjen më të madhe, me afro 3 miliardë lekë më pak se plani, kurse diferenca tjetër negative i takon administratës doganore.
Gjithsesi, këto janë të dhënat paraprake të muajit qershor 2013, dhe u përkasin vetëm të ardhurave nga tatimet dhe doganat, pasi në tërësi, edhe sa u takon shpenzimeve apo deficitit, Ministria e Financave nuk i ka mbyllur ende së përllogarituri. Gjithnjë, vetëm nga tatimet dhe doganat, si 6-mujor kemi afro 8 miliardë lekë më pak se plani.
Në programimin vjetor të buxhetit, të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360,6 miliardë lekë, shpenzimet në 409,5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48,9 miliardë lekë.
Nuk dihet ende me saktësi se si paraqitet gjendja me shpenzimet, por burime nga ministria thonë se deficiti po ecën në rrugë pa krye dhe nuk dihet se deri ku do të ndalë.
Auditimi dhe shpenzimet
Sikurse është kthyer në traditë, por ndryshe nga herët e kaluara, qeveria ka kaluar nxitimthi një VKM, të hartuar nga Ministria e Financave që tenton disiplinimin e shpenzimeve, duke ndalur një sërë blerjesh për shërbime të ndryshme, ndërsa pritet një saktësim se çfarë do të ndodhë me tenderët.
Sakaq, lideri socialist ka paralajmëruar se do të kontraktojë një shoqëri të njohur në fushën e auditimit për të mësuar të vërtetën rreth gjendjes së arkës së shtetit. Kjo është edhe frika më e madhe, pasi pritet, sipas ekspertes, të mësohen shifrat reale të ekonomisë.
Nga ana tjetër, INSTAT tenton të zbusë “krizën e besimit”, duke optimizuar me parashikimet e veta, për rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto. Si tremujor i parë, mësohet se kemi një rritje me rreth 1.7 për qind, aq sa ishte norma mesatare e rritjes vjetore në 2012. Banka e Shqipërisë ka deklaruar së fundmi që pret një rritje të njëjtë si me atë të 2012-s, për 2013-n, por parashikimet e qeverisë flasin për rritje në 3 për qind, duke u bazuar kryesisht te zgjerimi i eksporteve, që gjithsesi, duhet thënë që kanë pasur një trend pozitiv në pjesën e parë të vitit.
Tatimet
Vetëm nga tatimet, në muajin qershor, të dhënat paraprake tregojnë se mungojnë rreth 3 miliardë lekë në raport me planin e fillimvitit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.