Ministri Cani: Ju jeni njohur me disa nga alternativat që kishim, si p.sh. do të jetë në dollarë, në euro, eurobond apo sukuk. Potencialisht mund të ketë edhe ndërhyrje ligjore…
Teksa në nëntor 2015 maturohet eurbondi me afat 5 vjeçar, prej 300 milionë eurosh që Shqipëria ka marrë në vitin 2010, financat kanë filluar punën për emetimin e eurobondit të ri, i cili do të mundësonte shlyerjen e eurobondit të maturuar, apo dhe do të siguronte para shtesë për investimet.
Puna me eurobondin ka nisur që në fillim të këtij vit, ka pohuar ministri i financave, Shkëlqim Cani, në një intervistë për revistën Monitor. “Kemi bërë një program, me të cilin jemi në rrugën e zbatimit. Kemi bërë takime me disa banka dhe do të marrim vendimin në kohën e duhur. Nuk është vetëm eurobondi si Eurobond, sepse kërkohen disa zgjidhje. Ju jeni njohur me disa nga alternativat që kishim, si p.sh. do të jetë në dollarë, në euro, eurobond apo sukuk. Disa nga këto alternativa i kemi hequr, jemi përqendruar në pak prej tyre, ende nuk e kemi ndarë mendjen deri në fund se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare, por potencialisht mund të ketë edhe ndërhyrje ligjore. Po punojmë dhe në këtë drejtim, në mënyrë që të jemi në kohë”, ka pohuar Cani.
Në tetor 2010, Shqipëria debutoi në tregun e eurobondeve, duke arritur të shesë shumën prej 300 milionë eurosh, me një normë interesi prej 7.5%. Planet fillestare të financave kanë qenë për të emetuar një shumë më të lartë prej 300 milionë eurosh, me qëllim për të përdorur diferencën për investime.
Aktualisht situata paraqitet e favorshme, me agjencinë e renditjes Standard&Poors, që rriti ditët e fundit vlerësimin për Shqipërinë në pozitive, nga stabël. Në të njëjtën kohë agjencia ka konfirmuar renditjen e kreditit afatgjatë dhe aftashkurtër në monedhën lokale dhe vendase në ‘B/B’.
Sipas raportit të publikura në 10 tetor, Agjencia vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në rrugën e saj të konsolidimit fiskal në 2014-2016 dhe ka filluar të reduktojë borxhin në raport me PBB. Ky përmirësim e ndihmon qeverinë të sigurojë para në tregun ndërkombëtare me një kosto relativisht të ulët.
Planet e financave janë që në prill të dalin publikisht me kërkesën e tyre për emetimin e eurobondit në tregjet ndërkombëtare, në mënyrë që deri në nëntor të kenë përfunduar të gjitha procedurat për sigurimin e shumës së kërkuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.