Intervistë/ Flet Aida Cacaj, eksperte ligjore në Shoqatën e Bashkive
Shoqata e Bashkive gjykon se ligji i ri “Për financat e vetëqeverisjes vendore” është një hap pozitiv në drejtim të sigurisë, por nuk i zgjidh plotësisht çështjet e njësive vendore.
Ekspertja ligjore pranë kësaj shoqate Aida Cacaj, në një intervistë për “Monitor”, vlerëson se ky ligj bashkekziston me një sërë të tjerësh, duke mos shteruar njëherë e mirë përfshirjen në një të vetëm. Risia e vetme në aspektin e taksave është ajo e 2 përqindëshit të tatimit mbi të ardhurat personale, që do të ndahet me vendorët nga ana e qeverisjes qendrore.
Por sipas Cacajt, ka një ngërç që lidhet me decentralizimin që aq shumë lakohet për njësitë vendore: këto të fundit marrin më shumë kompetenca, por nuk ka një faturë financiare që të përcaktojë sesa para duhen për ta ofruar fillimisht dhe me cilësi më pas një shërbim të caktuar. Ndërkohë që kompetencat shtohen, kjo duhet të shkojë në raport të drejtë edhe me burimet financiare që bashkitë duhet të përpiqen t’i gjejnë edhe vetë përmes paketave fiskale “të zgjuara”.
Çfarë sjell ligji i ri “Për financat e vetëqeverisjes vendore” krahasuar me kuadrin e kaluar?
Një nga shtysat kryesore, për hartimin e një ligji për financat vendore, ka qenë krijimi i një kuadri rregullator shterues për financimin e njësive vendore dhe menaxhimin e këtyre financimeve, në funksion të prodhimit të të mirave publike dhe shërbimeve. Çështjet, ku ky ligj sjell risi, lidhen së pari me konsolidimin e autonomisë fiskale me përcaktimin e një kufiri minimal të transfertës së pakushtëzuar, me ndarjen e disa prej taksave dhe tatimeve kombëtare mes pushtetit qendror e vendor, por këtu risi është vetëm taksa mbi të ardhurat personale, 2% e së cilës tashmë i kalon bashkive. Taksat dhe tatime të tjera janë të mbartura nga legjislacioni i mëparshëm. Së dyti, ligji synon rritjen e disiplinës fiskale me procedura të mirëpërcaktuara për hartimin dhe zbatimin e buxheteve vendore, si dhe me procedura dhe rregullat për parandalimin e rritjes së borxhit nga njësitë vendore e për menaxhimin e borxhit aktual.
Nga ana tjetër, ligji vë vazhdimisht theksin tek mjaftueshmëria financiare e njësive vendore. Zgjerimi i bazës së të ardhurave për njësitë vendore në këto nivele nuk i përgjigjet faturës financiare që bashkitë duhet të paguajnë për ofrimin e shërbimeve të parashikuara specifikisht dhe të tjera që mund të ndërmarrin me iniciativë. Në tre dekada të funksionimit të një pushteti vendor të decentralizuar ka munguar dhe vazhdon të mungojë një analizë financiare e shërbimeve publike vendore e rrjedhimisht dhe një rakordim mes kësaj fature, fondeve reale të bashkive dhe performancës së tyre. Ligji “Për Financat Vendore” bashkekziston me ligjin “Për Taksat Vendore”, ligjin “Për Huamarrjen” e ndonjë tjetër, e një gjë e tillë duhet të ishte shmangur, për të pasur një ligj të vetëm dhe shterues mbi çështje të financave vendore.
Një ndër argumentet kyçe që sillet në vëmendje është ajo e reformës territoriale. Kemi njësi më të mëdha që do të garantonin shërbim më të mirë për qytetarët dhe projekte me kthim më të shpejtë. Po funksionon kjo reformë nga ajo që shihni dhe sa lidhet pjesa e financimit të vetëqeverisjes vendore me reformën territoriale?
Vetë diskutimet publike mbi reformën territoriale, politike ose jo, kanë krijuar pritshmëri të mëdha që duhet të realizoheshin në një kohë të shkurtër. Por nuk duhet të dalim nga konteksti i Shqipërisë, nga ritmet e zhvillimit, nga faktorë politikë, ekonomikë, socialë etj. Le të jemi pak më të duruar për të parë bashkitë e forta që t’ju përgjigjen këtyre pritshmërive.
Reforma administrative – territoriale nuk është vetëm ndryshimi i kufijve, por një tërësi ndryshimesh ligjore, që kanë nisur e që duan kohë për zbatimin e plotë dhe efikas.
Nuk duhet të harrojmë që bashkitë përballen me sfida të njëjta si ato para reformës dhe kushtet nuk kanë ndryshuar aq shumë sa t’ju kërkojmë bashkive të bëjnë një progres jashtë mundësive të tyre. Për shembull, meqë flasim për financat vendore, ligji i ri nuk përkthehet në rritje të buxhetit të bashkive. Niveli është pak a shumë i njëjti e kjo nuk i ndihmon bashkitë në rritjen apo përmirësimin e gamës së shërbimeve.
Për sa i përket madhësisë së bashkive, ajo pa dyshim e përmirëson performancën duke bashkuar më shumë burime e njohuri për një pushtet vendor afër qytetarit. Një pjesë e bashkive janë në faza të konsolidimit të strukturave të brendshme, të shtrirjes së shërbimeve të munguara në gjithë territorin e tyre. Por dy vjet që nga zgjedhjet e fundit vendore me hartën e re territoriale gjithsesi nuk janë shumë.
A kemi sot parametra të matshëm që tregojnë ndikimet pozitive që ka reforma dhe ligji për vetëqeverisjen vendore?
Për mendimin tim, suksesi i bashkive, aty ku ka, realisht lidhet më shumë me vizionin e kryetarit, mbështetjes së Këshillit e punës së administratës bashkiake sesa të konsiderohet pasojë e ndryshimeve të sjella nga reforma.
Dhe pse kemi një ligj të ri për vetëqeverisjen vendore duhet të bëjmë të qartë se roli dhe kompetencat e bashkive nuk kanë pësuar ndryshime thelbësore, pasi dhe me ligjin e mëparshëm kompetencat kanë qenë mjaft të gjera. Çështja çalon në krijimin e burimeve financiare e njerëzore të bashkive, çka në të vërtetë nevojitet për shërbime më të mira vendore, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës, zbatimin e projekteve të reja, shërbimeve sociale.
Në vazhdim, burimet njerëzore në bashki janë pa dyshim më cilësore pasi dhe bashkitë janë punëdhënëse të preferuara në tregun e punës. Kjo është pasojë e reformës. Ndërsa për burimet financiare, bashkitë duhet të përqendrohen në rritjen e të ardhurave të tyre përmes paketave “të zgjuara” fiskale dhe shfrytëzimit të pasurive të tyre. Dhe ecuria në këtë aspekt nuk është e kënaqshme. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, bashkitë tona janë shumë më tepër të varura nga fondet që vijnë nga qeveria qendrore. Prandaj, fokusi i tyre duhet të jetë pavarësia financiare e mundësuar nga këto burime tërësisht në dorë të bashkive.
Një problem për t’u adresuar më tej është se ka ende mbivendosje e kontroll të panevojshëm në fushën e veprimtarisë me dhe nga pushteti qendror, që del mjaft qartë me ekzistencën e drejtorive të dekoncentruara dhe kontrollin e prefektit, mjegullën në kufirin mes dy pushteteve në fusha si mjedisi, menaxhimi i pyjeve e kullotave, bujqësisë.
Vizioni
Suksesi i bashkive, aty ku ka, realisht lidhet më shumë me vizionin e kryetarit, mbështetjes së Këshillit e punës së administratës bashkiake sesa të konsiderohet pasojë e ndryshimeve të sjella nga reforma.
A u jep ligji autonomi të plotë njësive vendore, por dhe trajtim të barabartë sepse një nga ngërçet e hasura është ndikimi politik kur bie fjala te mbështetja që jepet nga qeverisja qendrore?
Ligji i ri, pa dyshim mundëson njëfarë sigurie financiare për bashkitë pasi transferta e pakushtëzuar nuk mund të jetë më e vogël se ajo e vitit paraardhës. Por fakti që buxheti i njësive vendore në total nuk shënon rritje të konsiderueshme, është tregues i qartë që autonomia nuk është e plotë. Kjo plotësohet dhe nga fakti tjetër që bashkitë ende nuk shfrytëzojnë në maksimum instrumente ligjore për ngritjen e të ardhurave të veta.
Ligji në vetvete nuk bën dallime mes bashkive përveç përpjekjes pozitive për barazi në llogaritjen e transfertës së pakushtëzuar.
Si ndodh dhe në fusha të tjera, trajtimi i pabarabartë vjen në fazën e zbatimit të ligjit. Menaxhimi i Fondeve për Zhvillimin e Rajoneve ka qenë këto kohë objekt kritikash të argumentuara nga bashkitë e djathta, të cilat kanë përfituar shumë më pak krahasuar me pjesën tjetër të bashkive. Dhe bashkitë në përgjithësi i dedikojnë kohë dhe punë përgatitjes së projekteve cilësore për të kërkuar financime nga ky Fond.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.