Reporterja Kerin Hope e Financial Times ka vizituar Shqipërinë në një përpjekje për të pasqyruar situatën me kultivimin e kanabisit. Por çfarë gjeti në Shqipëri reporterja? Çfarë thonë kultivuesit, kryeministri, gazetarët investigativë? Më poshtë reportazhi i plotë.
I dëshpëruar dhe ulur në një kafe të Tiranës, Elezi pranon se e ka me dy mendje kultivimin e kanabisit për të siguruar të ardhurat e jetesës.
“Nuk jam duke fituar para këtë vit dhe kam frikë se do të më arrestojnë. Çmimet (për prodhuesit e kanabisit) kanë pësuar një rënie drastike dhe policia është përhapur kudo në zonën tonë” shprehet 30 vjeçari i papunë në Lushnjë, pjesa qendrore e Shqipërisë.
Elezi parashikon që të fitojë vetëm 250 deri 300 euro nga plantacioni i tij i vogël i kanabisit që është i vendosur në një cep pylli për të mos u shquar nga helikopteri gjatë patrullimit apo vëzhgimit nga ajri të ndonjë misioni policor që operohet në bashkëpunim me Guardia Di Finanza.
Kjo është dukshëm më pak se një vit më parë kur fitoi 3 mijë euro nga prodhimi i një viti më parë rritur në fermën e familjes, pas pagesës edhe të një “taksës” 10 për qind për zyrtarët e asaj zone, që mbyllën njërin sy.
Me mijëra prodhues të vegjël si Elezi e kanë kthyer vendin e dytë më të varfër të Europës prodhuesin më të madh të kanabisit në natyrë që eksportohet jashtë kryesisht në Europën Perëndimore përmes Greqisë dhe Italisë.
Por ndërkohe që Shqipëria kërkon të pastrojë imazhin e saj para hapjes së shpresuar të negociatave për pranimin në BE vitin tjetër, qeveria është duke goditur tregtinë e drogës. Vetëm vitin e fundit sipërfaqja e plantacioneve të mbjella ka rënë me 75%.
Edi Rama, kryeministri socialist që ftioi një mandate të dytë në zgjedhjet e qershorit shprehet se pret që Shqipëria t’i bashkohet BE-së në fillim të viteve 2020. Por para se të nisin bisedimet, Shqipëria – e cila ka reputacionin e një vendi ku ka mbizotëruar paligjshmëria gjatë tranzicionit të dhunshëm nga vete izolimi komunist tek ekonomia e lirë e tregut- duhet të tregojë progres në luftën kundër krimit të organizuar tek korrupsioni në gjyqësor.
Shqipëria, nuk është vetëm një nyje kyçe në prodhimin e kanabisit por edhe rrugë kryesore tranzitimi për kokainën dhe heroinën që hyjë në BE. Kontrabanda menaxhohet nga baronët lokalë të drogës që kanë lidhje me grupet e organizuara të krimit nga Amerika Latine dhe Turqia sipas disa zyrtarëve të perëndimit në Tiranë.
Zoti Rama nuk ndan plotësisht mendimin me shqetësimin e Perëndimit që vendi rrezikon të kthehet në një narko-shtet që varet tërësisht nga të ardhurat ilegale të drogës. “Nuk është se po mohoj që ka një problem droge” tha Zoti Rama për FT. “Por ka një kthesë totale këtë vit sa i përket kanabisit. Zonat e kultivimit janë shumë më të vogla, është rritur mbikëqyrja dhe policia është më aktive kundër kultivueseve”.
Me ndihmën e qeverisë italiane dhe një përfshirje më serioze të forcave të policisë, zyrtarët shpresojnë që impakti i luftës të ndjehet më gjatë sesa përpjekjet e mëparshme të zotit Rama.
Në vitin 2014, ai mbikëqyri një operacion të suksesshëm policor kundër disa bandave kriminale të armatosur me armë anti-tank dhe snajperë për të mbrojtur një qendër magazinimi dhe përpunimi në Lazarat në Shqipërinë e Jugut, pranë kufirit me Greqinë. Disa laboratorë të paligjshëm ku përpunohej kanabis, heroinë dhe kokainë u çmontuan. Më shumë se 100 persona u arrestuan dhe 70 tonë hashash bashkë me 2 milion euro cash u konfiskuan.
Por asnjë nga krerët e bandave nuk u arrestua dhe prodhimi i kanabisit dhe përpunimi i kokainës dhe heroinës thjesht u shpërngul tjetërkund. “Emrat VIP në biznesin e drogës gëzojnë mbrojtje politike të një niveli të lartë” shprehet Artan Hoxha, gazetar investigativ në Tiranë.
Ashtu si në 2014 duket se bosët e drogës nuk janë arrestuar. Goditja e zhvilluar nga qeveria ndihmoi në stabilizimin e çmimeve. “Gjërat dolën jashtë kontollit. Nëse policia nuk do të kishte nisur shkatërrimin e të mbjellave, një kilogram hashash do të kishte kushtuar sa një kilogram domate në Tiranë” shprehet Hoxha.
Paraardhësi i zotit Rama, Sali Berisha ka pranuar se Qeveria e tij e qendrës së djathtë e bëri një sy qorr ndaj rolit të Lazaratit si një qendër për përpunimin dhe shpërndarjen e drogave të paligjshme.
“Kjo ishte një strategji e përpunuar nga qeveria”, thotë Haki Kako, shefi i policisë së Shqipërisë, i cili udhëhoqi sulmin në Lazarat. “Duke përmbajtur prodhimin e hashashit në jug të Shqipërisë, qeveria ishte në gjendje të kufizonte zgjerimin e rritjes së kanabisit në rajone të tjera të vendit. Dhe Berisha mund të pretendonte se ai ishte duke bërë përparim në luftën kundër drogës-kontrabandës.
Dhe në një fshat dëshpërimisht të varfër, ka edhe nevojë të fortë ekonomike të rritet kjo kulturë.
Spartak Ngjela, një ish-ministër i drejtësisë, thekson që kultivimi i kanabisit ofron të ardhura për zonat rurale, ku norma e vlerësuar e papunësisë është 70 për qind. Kultivuesit lokale vlerësohet të kenë fituar rreth 300 milionë euro gjatë vitit të kaluar, një sasi të ngjashme me dërgesat vjetore të emigrantëve që punojnë në Evropën Perëndimore. “Dy vitet e fundit autoritetet, faktikisht u tërhoqën dhe lejuan fermerët të siguronin jetesën, duke bërë pak para nga kanabisit. Por kjo doli jashtë kontrollit dhe tani ka marrë fund, “tha Z. Ngjela.
Arben Ahmetaj, ministri i financave, dëshiron të luftojë kanabisin, duke nxitur prodhimin me vlerë të lartë të eksporteve bujqësore të tilla si vaj ulliri dhe luleshtrydhe. Prodhimi bazë bujqësor është rritur me gati 30 për qind në tre vitet e fundit, duke treguar se fermerët janë duke u bërë më të efektshëm, thotë ai. “Kultivimi i kanabisit është një e keqe për vendin dhe i keq për shoqërinë,” thotë ai. “Me organizim më të mirë ka potencial të madh këtu për bujqësinë ligjshme.”
Për shumë njerëz në fshatin e tij, kanabisi mbetet një kulturë me e lehtë për tu rritur, por Elezi është duke shqyrtuar opsionet e tij. “Unë jam duke menduar e duke u përpjekur për një tjetër kulture, ndoshta sherebelë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.