Procesi konsiderohet si një turpërim kombëtar për Shqipërinë, në një kohë kur ajo po përpiqet që të bindë Bashkimin Europian se po rrit standardet e transparencës….
Qeveria shqiptare ka anuluar ofertën fituese të kryesuar nga një biznesmen vendas në tenderin për shitjen e firmës shtetërore Albpetrol, pasi ajo nuk arriti që të paguajë, shkruan sot Financial Times, që i ka dedikuar një raport të gjatë shitjes së kompanisë shqiptare të naftës.
Sipas artikullit, vendimi i jep fund asaj që u bë me shpejtësi një turpërim kombëtar për Shqipërinë, në një kohë kur ajo po përpiqet që të bindë Bashkimin Europian se po rrit standardet e transparencës. Por, pikëpyetje serioze ngrihen rreth sjelljes së fituesit të tenderit, manjatit lokal të Vetro Energy, Rezart Taçi dhe të qeverisë.
Ministri i energjisë Edmond Haxhinasto javën e kaluar theu heshtjen dy mujore lidhur me fatin e tenderit të tetorit 2012 për Albpetrol, kur ai tha në televizionin kombëtar se qeveria kishte vendosur që të konsideronte të pavlefshme ofertën e Vetro, pasi ajo nuk arriti të paguante 170 milionë euro, e barabartë me 20% të ofertës fituese.
Kompania Vetro, me bazë në Çikago, që konkurroi përmes konsorciumit të regjistruar në Singapor- Vetro Silk Road Equity, ofroi një shumë të madhe prej 850 milionë eurosh për Albpetrol, që ishte dy herë më e lartë se oferta tjetër më e lartë e dhënë nga konsorciumi kinez Win Business dhe tre herë më e lartë se ajo e vendit të tretë, nga Bankers Petroleum i Kanadasë.
“Ky vendim ka autorizuar grupin e negociatorëve që të vazhdojnë të vlerësojnë ofertat e tjera,” tha Haxhinasto në Top Channel.
Deklarata e fundit publike nga Vetro ishte në dhjetor, kur konfirmoi se i ishte kërkuar nga qeveria shqiptare që të dorëzonte “garancinë” prej 170 milionë euro.
Sipas FT, Taci, aksionari kryesor i Vetro, që është një aleat i kryeministrit Berisha, tha në një deklaratë në 22 nëntor se grupi i tij kishte “finalizuar financimin dhe investimin e kapitalit” për marrëveshjen prej 850 milionë eurosh.
Zëvendësministri shqiptar i energjisë, Sokol Dervishaj, u tha gazetarëve në 10 dhjetor, se në rast se Vetro nuk do të arrinte të jepte paratë, qeveria do të pretendonte 10% e ofertës, që sipas rregullave ishte garantuar nga një institucion i respektueshëm financiar, në këtë rast American Chartered Bank me bazë në Çikago.
Por siç rezultoi javën e kaluar, duket se American Chartered nuk ishte dhënë një garanci të tillë për 10% e ofertës së Vetro. “American Chartered nuk mund të japë specifika të marrëdhënieve të saj me klientë, por mund të konfirmoj se American Chartered Bank nuk është e përfshirë në transaksionin në fjalë,” ka shkruar këshilltari ligjor i American Chartered në një email që daton në 13 dhjetor 2012.
Duket se Federal Deposit Insurance Corporation (FDIC), një institucion federal që garanton sigurinë e llogarive të depozituesve të bankave anëtare, ka konfirmuar se nuk ka pasur garanci.
Në fakt, American Chartered është një bankë lokale e Illinois, me aktive totale në fund të vitit 2011 që llogariteshin në 2.3 miliardë dollarë, – dhe një garanci prej 85 milionë eurosh do të përfaqësonte 5% të aktiveve të tij totale.
Dhënia e një garancie të tillë është thelbësore për çdo privatizim të madh, ndaj dështimi për ta dhënë atë do të çonte në një shkualifikim të menjëhershëm.
Gjithsesi, Vetro nuk u shkualifikua menjëherë vitin e kaluar. Pretendimi për një garanci bankare nga American Chartered u mbështet nga deklaratat nga komitetit qeveritar në ngarkim për procesin e tenderit dhe u tha se ai ishte konfirmuar nga këshilltari i tenderit, Patton Boggs, një firmë ligjore me bazë në Uashington që bën punë përkrahëse për qeverinë shqiptare në SHBA.
Patton Boggs tha në një email: “Patton Boggs në mënyrë kategorike mohon se ka pasur keqinterpretim të ndonjë çështjeje të klientit tonë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë, dhe çdo sugjerim i kundërt thjesht nuk është i mbështetur.”
Një zëdhënës nuk komentoi detajet e çështjes së garancisë. Email-a tha: “Ne duhet t’ia drejtojmë të gjitha shqetësimet e tjera Ministrisë.”
Pyetjet lidhur me aspektin financiar të ofertës së vetor drejtuar ministrisë së ekonomisë dhe zyrës së kryeministrit, mbetën të gjitha pa përgjigje.
Dyshimi në lidhje me garancinë e bankës ishte vetëm një nga çështjet që rrethojnë privatizimin e Albpetrol, aktivi më me vlerë i vendit.
Bankers Petroleum, e cila ofroi vetëm106 milionë euro në tender, i shpjegoi bne në nëntor, se diferenca e madhe në madhësinë e ofertave lidhej me dhënien Albpetrlit të drejtës për transmetimin e gazit për 30 vjet vetëm pak ditë përpara afatit të dorëzimit të ofertave në 7 shtator. Bankers nuk kishte pasur kohë që të rishikonte ofertën.
Për më tepër, kur kryeministri Berisha njoftoi fituesin e tenderit në 3 tetor, fituesi u përshkrua si një kompani ndërkombëtare – ofertë e kompanisë me bazë në Çikago Vetro Energy, përmes konsorciumit të regjistruar në Singapor, Vetro Silk Road Equity.
Vetëm dy ditë më vonë rezultoi se konsorciumi fitues zotërohet konkretisht 51% nga Taçi, që zhvilloi në 5 tetor një konferencë për shtyp dhe tha se e kishte mbajtur përfshirjen e tij sekret nga publiku për shkak se nuk donte që jo të kishte ndikim në ofertë.
Analistët spekulojnë se vonesa mes kërkesës që Vetro të paguante 170 milionë euro dhe njoftimit të 8 shkurtit për të shpallur të pavlefshme ofertën është bërë që t’i lihej kohë Taçit që të siguronte financimin. Gjithsesi, në klimën aktuale ekonomike dhe duke pasur parasysh natyrën e diskutueshme të tenderit, ai nuk arriti që ta siguronte atë, përfundon artikullin e zgjeruar Financial Times.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.