Nevoja për të financuar konsumin ka dominuar kërkesën e kredisë konsumatore në banka.
Banka e Shqipërisë ka vërejtur se 36% e kërkesës për kredi të individëve i dedikohet konsumit të përditshëm. Kërkesa për të blerë blerjet e përditshme me hua bankare ka shënuar rritje të fortë të në dy tremujorët e fundit të 2016.
Teksa shihet se kërkesa e kredisë për banesa ka një rritje më të moderuar në vetëm me 2,2 dhe 2.5% në dy tremujorët e fundit.
Por, edhe pse me këto raporte të zhdrejta të kërkesës konsumatore për kredi, bankat preferojnë të financojnë blerjen e banesave.
Rritja e kredisë për sektorin privat vitin e kaluar u udhëhoq nga kredia për individë. Ecuria e këtij portofoli ka ndjekur trajektore rritëse, duke shënuar norma vjetore prej 4.3% në tremujorin e tretë.
Banka e Shqipërisë ka arsyetuar më parë nëpërmjet raporteve të politikës monetare se ecuria e mirë e kredisë për individë reflekton rritjen e kërkesës, por edhe ofertat tërheqëse të bankave për këtë segment.
Krahas uljes së normave të interesit, bankat kanë vijuar të raportojnë lehtësim të vazhdueshëm të standardeve, jo mbiçmim të kreditimit për individët në dy vitet e fundit. Zgjerimi i tepricës së kredisë për këtë segment mbështetet kryesisht nga kredia konsumatore, e cila ka shënuar rritje mesatare me 11.6% në muajt korrik-gusht.
Kredia për blerje banesash ka shfaqur gjithashtu rritje të qëndrueshme në terma vjetorë (3.3%), ndërsa në terma mujorë, ajo rezulton me rritje më të ulët se një tremujor më parë
Gjithashtu rritja e kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e katërt të 2016 është nxitur nga disa faktorë, ndër të cilët rritja e nevojës për financimin e konsumit dhe financimin e blerjes së banesës, përmirësimi i kushteve të kreditimit, si dhe zhvillimet pozitive në tregun e pasurive të paluajtshme.
Ndërkohë, ekspertët bankarë raportojnë se prania e burimeve alternative dhe besimi konsumator kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve.
Sipas përgjigjeve të agreguara të bankave, standardet u lehtësuan për kreditë konsumatore, ndërsa kanë mbetur thuajse të pandryshuara për kreditë për blerje banese. Bankat u shprehën se standardet e kredisë të individëve do të lehtësohen edhe në tremujorin e parë të vitit 2017, por në një masë më të ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.