Që prej muajit maj Banka e Shqipërisë nuk ka transferuar fare fitim në buxhet, ndërkohë që plani vjetor i këtij zëri në buxhet është vetëm 1.5 miliardë lekë (që është tejkaluar që muajin prill kur ky zë arriti në 1.8 miliardë lekë), duke e lehtësuar institucionin monetar qendror nga “barra” e transferimit të fitimit…
Financat kanë vijuar me perfomancën pozitiv të mbledhjes së të ardhurave për shtatëmujorin e parë të këtij viti, megjithëse ritmet e rritjes duket se janë ngadalësuar disi. TVSH, tatim fitimi, taksa nacionale, pushteti vendor dhe kontributet e sigurimeve shoqërore janë zërat që po udhëheqin rritjen.
Sipas statistikave mujore fiskale të publikuara nga Ministria e Financave për periudhën janar-korrik 2014, totali i të ardhurave në buxhet arriti në 205 miliardë lekë, me një zgjerim prej 10.7% më bazë vjetore. Për gjashtë mujorin e parë 2014, rritja ishte 11.7%.
TVSH vijon të sjellë më shumë të ardhura në buxhet. Të ardhurat nga ky zë ishin 70.7 miliardë lekë, 16.4% më të larta se janar-korriku i një viti më parë (në total janë arkëtuar 73.8 miliardë lekë, por janë rimbursuar 3.1 miliardë lekë). Ritmet e rritjes së TVSH-së janë ngadalësuar në korrik (për gjashtëmujorin ky zë ishte zgjeruar me rreth 20%). Megjithatë, TVSH vijon të mbajë peshën kryesore në përmirësimin e rendimentit të të ardhurave, duke sjellë mbi 80% të rritjes së të ardhurave nga tatimet e doganat në total.
Të ardhurat nga tatim fitimi arritën 12.6 miliardë lekë, rreth 33% më shumë se janar-korriku i 2013-s. Korriku është muaji i parë i fillimit të tremujorit (që prej janarit të këtij viti tatim fitimi mblidhet mbi bazë tremujore) ndaj ritmet e rritjes pritet të përmirësohen në dy muajt në vijim.
Të hyrat nga akciza ishin gati 20 miliardë lekë, pothuajse sa e njëjta periudhë e një viti më parë, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rënies, që u konstatuan muajt e parë të vitit, teksa bizneset nxituan të rrisnin importet në dhjetor, përpara hyrjes në fuqi të niveleve të rritura të akcizës për disa produkte.
Tatimi mbi të ardhurat vijon të ketë performancë negative, si rrjedhojë e uljes së tij për pagat relativisht të ulëta. Ky zë ishte 16.2 miliardë lekë në fund të korrikut, 5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Zëri “Taksa nacionale dhe të tjera” është rritur me rreth 19%.
Ecuri pozitive kanë pasur dhe të ardhurat nga pushteti vjetor, kontributet nga sigurimet shoqërore e ato shëndetësore, që janë zgjeruar përkatësisht 17.7%, 7.7% dhe 18.2%.
Të ardhurat jo tatimore kanë rënë me 13%, ku ndikimin kryesor e ka sjellë ulja e transferimit të fitimit nga Banka e Shqipërisë, që është tkurrur me 51% me bazë vjetore për shtatë mujorin, nga 4 miliardë lekë në 1.95 miliardë lekë. Që prej muajit maj Banka e Shqipërisë nuk ka transferuar fare fitim në buxhet, ndërkohë që plani vjetor i këtij zëri në buxhet është vetëm 1.5 miliardë lekë (që është tejkaluar që muajin prill kur ky zë arriti në 1.8 miliardë lekë), duke e lehtësuar institucionin monetar qendror nga “barra” e transferimit të fitimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.