Fiskale-paga minimale: Rremuja e pagave

30/06/2009 00:00 0 komente

Nga Elona Gusmari

Pasi publikoi fillimisht një pagë minimale prej 18,000 lekë (VKM datë 13.05.2009) -që në fakt ishte pagë referencë minimale -, qeveria gati një muaj më pas miratoi një tjetër ndryshim të vendimit 1114, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me pagë minimale 16120 lekë dhe sqaroi se cili do të ishte niveli i pagës maksimale. Kështu, ndonëse u deklarua se paga maksimale nuk do të ndryshonte por do të mbetej në nivelin 74,150 lekë, tashmë ajo është rritur në 80,600 lekë.
Ndryshimet e një pas njëshme të pagës minimale dhe maksimale, të cilat përdoren për efekt të pagesës së kontributeve nuk bënë gjë tjetër veçse sollën çoroditje te biznesi, i cili i bëri fillimisht pagesat me nivelet e vjetra, sepse vendimi i fundit i qeverisë doli shumë vonë. Teorikisht biznesi do të rrezikonte gjobë, pasi nuk i pagoi sigurimet mbi bazën e pagave të reja. Por, zyrtarët sigurojnë biznesin se sistemi nuk do të gjenerojë penalizime për pagesën gabim të këtyre kontributeve, sepse vendimi hyri në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare vetëm pak ditë më parë. Pra pa hyrjen në fuqi të vendimi, sistemi nuk mund të gjenerojë gjoba.

Vendimi
Për të gjithë të vetëpunësuarit në biznesin e vogël, paga mujore minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore do të llogaritet në shumën 16,120 lekë nga 14,830 që ishte më parë kjo shumë. Në të njëjtën kohë për të gjithë të punësuarit qofshin ata persona fizik apo edhe juridik paga minimale po për efekt të kësaj llogaritjeje do të jetë 18,000 lekë, ndërsa paga maksimale 80,600 lekë, nga 74,150 që ishte më parë.
Propozimi i ardhur nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, më pas i miratuar në mbledhjen e qeverisë është botuar së fundmi edhe në Fletoren Zyrtare, duke hyrë kështu në fuqi menjëherë. 
Pavarësisht se efekti financiar i ka shtrirë fuqitë e tij në datë 1 maj 2009, sipas drejtorit të Kontributeve të Sigurimeve Shoqërore, pranë DPT-së, Zaim Bajraktari, biznesi i vogël nuk do të penalizohet. Deri përpara datës 21 korrik (kur është edhe afati i fundit për të paguar kontributet e sigurimeve shoqërore), biznesi në bazë të ligjit do të paguaj 3 muaj (prill, maj, qershor). Sipas përfaqësuesve të administratës tatimore, ky i fundit do të paguajë njëherësh shtesën e diferencës së detyrimeve të kontributeve të muajit maj plus detyrimet e muajit qershor.
Një tjetër ndryshim në ligj është edhe paraqitja e listëpagesës, e cila do të jetë tashmë në 3 kopje, ku kopja e tretë do t’i shkojë bankës, ndërsa dy kopjet e tjera me anë të postës do të dërgohen në administratën tatimore. Listë pagesat nuk do të jenë më për çdo tremujor më vete, por në një format dhe aty do të ketë edhe nëndarjet përkatëse. Sipas drejtorit të Kontributeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të vetëpunësuarit nuk pritet të paguajnë më shumë, pasi rritja është vetëm 8.7 pikë përqindje, kundrejt 5% (ose 15 pikë për qindje), që është ulja që pësoi pjesa e kontributit që paguan punëdhënësi.
Nga ana tjetër, në bazë të ndryshimeve të reja në ligj, që nga data 1 maj shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit do të jetë 4,497 lekë.

Kontributet

Ligji ka përcaktuar pagën minimale dhe maksimale që duhet të paguajë një person i siguruar në një muaj, por gjithçka përllogaritet në bazë të kategorive që janë përcaktuar. Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për kategorinë e të vetëpunësuarve dhe për pjesëtarët e familjes që nuk trajtohen me pagë, do të jetë 7% e pagës minimale mujore. E kthyer në para është në vlerën e 1,128 lekë. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të punësuarit do të jetë 27.9% e pagës bruto mujore, sipas listëpagesës, ku pjesa që do të paguajë punëdhënësi do të jetë 16.7% dhe pjesa e të punësuarit 11.2%. Kontributet llogariten nga punëdhënësi, mbi pagën bruto, të përcaktuar në këtë vendim. Ai mban nga paga e punëtorit 9.5%, për sigurim shoqëror dhe 1.7%, për sigurim shëndetësor, dhe së bashku me pjesën e tij 15% të pagës për sigurim shoqëror si dhe 1.7% të pagës për sigurim shëndetësor. Punëdhënësi ka detyrë t’i deklarojë të siguruarit dhe të ardhurat dhe t’i derdhë në llogarinë bankare që është përcaktuar për kontributet.

Kategoritë

Kontributi për të punësuarit me kontratë pune dhe kohëzgjatje më pak se 87 orë pune në muaj, do të derdhin 26.7% të pagës bruto, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.6% dhe pjesa e të punësuarit 11.1%. Por jo më pak se niveli minimal i pagës bruto, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit. Kontributi i detyrueshëm për këtë kategori, por që puna zgjat më pak se 1 javë, të jetë 3.7% të pagës bruto, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 2% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se niveli minimal i pagës mujore, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit.
I vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, në masën 30% (23% sigurim shoqëror dhe 7% sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh, të barabartë me 4 836. Këta persona llogarisin kontributet për vete dhe për pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë dhe i paguajnë në llogarinë bankare të përcaktuar për kontributet. I vetëpunësuari për pjesëtarët e familjes së vet mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi) paguan kontribut të detyrueshëm, në masën 30% të pagës mujore minimale prej 16,120 lekësh, e barabartë me 4,836 lekë në muaj.

Detyrimet, procedurat për regjistrimin e të punësuarve

Një tjetër ndryshim në ligj është edhe reduktimi i procedurave për regjistrimin e të punësuarve. Sipas ndryshimeve më të fundit, të bëra në ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësi dhe i vetëpunësuari janë të detyruar: të regjistrojnë në regjistrin vjetor të gjithë të punësuarit; të njoftojnë në organet tatimore për ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve sipas procedurave të përcaktuara me ligj; të bëjnë sigurimin nga dita e parë kur i punësuari fillon punë; të dorëzojnë në organet tatimore dokumentacionin ku evidentohen paga dhe kontributi për çdo të punësuar, sipas formatit dhe afateve të përcaktuara me ligj. Rregullat e lëvizjes së informacionit dhe të dokumentacionit ndërmjet punëdhënësit, strukturave tatimore dhe strukturave të sigurimeve shoqërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas nenit të mëparshëm, numër 79, për detyrimet e punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, këta të fundit duhet të kryenin një procedurë të gjatë ligjore për regjistrimin e të punësuarve. Personat juridikë, publikë, privatë dhe personat fizikë që fillojnë veprimtari ekonomike për herë të parë, janë të detyruar të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në strukturat tatimore, sipas rregullave të përcaktuara me ligj. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, personat që nisin veprimtari ekonomike rishtas duhet të regjistroheshin në agjencitë e sigurimeve shoqërore. Regjistrimi i subjekteve, në bazë të të dhënave të sigurimeve shoqërore dhe mbyllja e veprimtarisë bëhen sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Regjistrimi është akt administrativ, që nuk tregon detyrim për mbulimin me sigurime shoqërore.

Pagesa e kontributeve për kategoritë

Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë, të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 1,200 lekë.
Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, që nuk janë të punësuar diku tjetër, duhet të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7%
të pagës mujore minimale, prej 16,120 lekë.
Të vetëpunësuarit në bujqësi, duhet të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 14,400 lekë. Këtu bëjnë përjashtim të vetëpunësuarit, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 9,360 lekë.
Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, të jetë 1,200  lekë në muaj.
Kontributi i detyrueshëm për aksidente dhe sëmundje profesionale, për kohën e formimit profesional, të personave të punësuar në subjekte, që punojnë me material të porositësit, të jetë 0,3% e pagës bruto minimale dhe paguhet totalisht nga punëdhënësi.

Shuma bazë e përfitimeve

-Shuma bazë e përfitimit do të jetë 10, 276 lekë në muaj.
-Shuma e përfitimit për personat që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e masës së pensionit, është 6,344 lekë në muaj.
-Për sigurimet shoqërore, të ndryshuar, shuma bazë e përfitimit për gratë, të cilat e kanë periudhën e fundit të sigurimit si të vetëpunësuara në bujqësi, nga data 1.5.2009 e në vazhdim, është 6, 344 lekë në muaj.

Të vetëpunësuarit, asnjë efekt nga ulja e kontributit të sigurimeve
Ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit nga 33.2% në 30% nuk ka sjellë asnjë efekt për ta, si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale nga 14,830 në 16,120 lekë. Të vetëpunësuarit do të paguajnë vetëm 87 lekë më pak në muaj!

Paqartësia

Zëvendësdrejtori i Insitutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, pohoi me daljen e vendimit fillestar të qeverisë për pagën minimale 18,000 lekë në muaj, se për çdo të punësuar llogaritja e masës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore do të bëhet mbi pagën 18,000 lekë dhe nuk lejohet pagesa e një punëtori nën këtë nivel, ndërsa për të vetëpunësuarit paga minimale, mbi të cilën do të paguhen këto kontribute do të vazhdojë të jetë 14,830. Sipas, z.Hado po mbi këtë pagë (14,830) bëhet edhe llogaritja e pagës bazë maksimale mujore e cila llogaritet me formulën sa peshëfishi i kësaj të fundit, pra 74,150 lekë.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.