Sistemi bankar nuk ka kaluar një vit të mbarë për sa i përket përfitueshmërisë. Sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit për vitin 2016, i raportuar sipas standardeve lokale, ishte 9.27 miliardë lekë (rreth 67 milionë euro), me një rënie prej 41% në raport me vitin e mëparshëm.
Arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë rënie të fitimeve është rritja e fortë e shpenzimeve për provigjionime (fondet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar huatë e pakthyera në afat), të cilat pothuajse u katërfishuan për të arritur në 18.4 miliardë lekë. Pas rënies të huave me probleme në 18.22% në fund të 2015-n, më pas filloi sërish rritja graduale, që kulmoi në gusht 2016, në 21.44%, për të rënë sërish në rreth 18.3% në fund të 2016-s, por kryesisht si rrjedhojë e fshirjes së huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen.
Një tjetër arsye që ka ndikuar në rënien e fitimeve është reduktimi i të ardhurave neto nga interesat, me rreth 1.8 miliardë lekë. Ndryshe nga viti 2015, ku bankat përfituan nga rënia më e shpejtë e interesave të depozitave (kostos së fondeve) në raport me normën e kredisë (të ardhurat e bankave), në 2016 ku efekt kishte përfunduar. Një pjesë të të ardhurave bankat e rikuperuan përmes rritjes së ndjeshme të të ardhurave neto nga veprimtaria (me 9.7 miliardë lekë).
Në vitin 2015, sistemi bankar arriti një fitim rekord prej 15.7 miliardë lekësh, por ai ka rezultuar vetëm në letra, teksa tatimi i paguar ishte vetëm 2.3 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë lekë që u paguan në 2016-n.
Sipas ekspertëve bankarë, fitimi i arritur në 2016-n vlerësohet i pakënaqshëm për sistemin. Norma e kthyeshmërisë ndaj kapitalit (fitimi/kapitalit rregullator) duhet të jetë mesatarisht mbi 15%, që investimi të konsiderohet eficient, ndërsa për vitin 2016 ai llogaritet në 6.6%.
Fitimi i sistemit bankar (mln lek) 2012-2016 | ||||||||
Kodi | Përshkrimi i treguesit | T IV 2012 | T IV 2013 | T IV 2014 | T IV 2015 | T IV 2016 | Ndyshimi në vlerë 2016/2015 | Ndyshimi në % 2016/2015 |
1 | Të ardhurat neto nga interesi (1.1-1.2) | 39,771 | 39,532 | 44,621 | 48,984 | 47,152 | -1,832 | -4 |
1.1 | Të ardhura nga interesi | 76,732 | 74,310 | 67,077 | 63,408 | 57,946 | -5,462 | -9 |
1.2 | Shpenzime për interesa | 36,961 | 34,778 | 22,456 | 14,425 | 10,794 | -3,631 | -25 |
S1 | – | – | – | – | – | |||
2 | Të ardhura neto nga veprimtari të tjera (2.1-2.2) | -442 | 5,442 | -962 | 981 | 10,648 | 9,667 | 985 |
2.1 | Të ardhura nga veprimtari të tjera | 58,187 | 62,118 | 105,641 | 98,720 | 52,095 | -46,625 | -47 |
2.2 | Shpenzime për veprimtari të tjera | 58,629 | 56,676 | 106,603 | 97,739 | 41,446 | -56,293 | -58 |
S2 | – | – | – | – | – | |||
3 | Shpenzime për provigjone | 8,823 | 9,864 | 4,203 | 5,025 | 18,440 | 13,415 | 267 |
4 | Të ardhura bruto të veprimtarisë (1+2-3) | 30,506 | 35,110 | 39,457 | 44,940 | 39,360 | -5,580 | -12 |
5 | Shpenzimet e veprimtarisë | 25,931 | 26,223 | 27,002 | 28,504 | 29,143 | 639 | 2 |
S3 | – | – | – | – | – | |||
6 | Të ardhurat neto të veprimtarisë (4-5) | 4,575 | 8,887 | 12,455 | 16,436 | 10,217 | -6,219 | -38 |
7 | Të ardhurat neto të jashtëzakonshme | 789 | -778 | 1,538 | 1,807 | 1,754 | -53 | -3 |
8 | Taksa të tjera përvec taksave mbi të ardhura | 204 | 208 | 181 | 214 | 300 | 86 | 40 |
S4 | – | – | – | – | – | |||
9 | Të ardhurat neto para taksave (6+/-7) | 5,160 | 7,900 | 13,812 | 18,028 | 11,672 | -6,356 | -35 |
10 | Tatimi mbi të ardhurat | 1,391 | 1,336 | 2,620 | 2,329 | 2,402 | 73 | 3 |
11 | Të ardhurat neto (8-9) | 3,769 | 6,564 | 11,192 | 15,699 | 9,270 | -6,429 | -41 |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.