Inteligjenca e Alibaba
Inteligjenca Artificiale ka kapërcyer aftësitë e njeriut edhe në testet e leximit dhe të kuptimit. Alibaba bëri të ditur se Inteligjenca e saj Artificiale ka arritur një rezultat më të lartë se ajo e njeriut në një test të bërë nga Universiteti i Stanford, për të matur aftësitë e të kuptuarit të gjuhës dhe në përgjigjen në mënyrë korrekte të një sërë pyetjeve.
Është hera e parë që një Inteligjencë Artificiale arrin një rezultat të tillë, edhe pse ky rekord u thye shumë shpejt disa ditë më pas nga Inteligjenca Artificiale e kompanisë së Microsoft.
Fitorja në poker
Në shkurt të vitit të kaluar, sistemi Libratus, i projektuar nga Carnegie Mellon University arriti të fitojë 1,7 milionë dollarë përballë një ndër lojtarëve më të fortë të pokerit në botë. Kjo duket gati e pamundur, pasi është hera e parë që një Inteligjencë Artificiale arrin të fitojë përballë njeriut në një lojë që bazohet kryesisht në blofe dhe strategji.
AlphaGo është e pathyeshme
Një ndër fitoret më të rëndësishme të vitit të fundit është ajo e Inteligjencës Artificiale të zhvilluar nga Google përballë një ndër mjeshtërve në lojën japoneze të tavolinës Go (e ngjashme me lojën e damës). AlphaGo mundi një ndër njerëzit më të zotë në botë, në fillim Ke Jie dhe më pas kampionin e botës, Lee Sedol, në një nga lojërat që mat më mirë aftësitë intelektuale njerëzore.
Prova e quiz-it
Në vitin 2011, Inteligjenca Watson e realizuar nga IBM kaloi me lehtësi konkurrentët e tjerë në një quiz të quajtur Jeopardy.
Triumfi në Scrabble
Një tjetër humbje e njerëzve përballë Inteligjencës Artificiale ndodhi në vitin 2007, kur kampioni i botës në Scrabble u mund nga sistemi i Quackle.
Deep Blue përballë Kasparov
Fitorja më e bujshme daton në vitin 1997, kur Deep Blue, superkompjuteri i zhvilluar nga IBM mundi në shah kampionin e botës, Garry Kasparov.
Hera e parë
Fitorja e parë absolute e një makine kundër njeriut daton në vitin 1994 kur Chinook, një program i zhvilluar nga Universiteti i Alberta-s mundi Marion Tinsley, lojtarin më të mirë në botë në lojën e damës.
Burimi: Corriere della Sera