Nga Ornela Liperi
Cilët janë sektorët dhe kompanitë më fitimprurëse në vend. Gara për më shumë fitime në vitin e vështirë 2013. Cila ia doli dhe cila iu “nënshtrua” vështirësive të krizës?
Të rrisësh fitimet, apo edhe thjesht të dalësh me një rezultat financiar pozitiv në kohë krize nuk është e lehtë, aq më tepër me konsumin që tkurret, partnerët që kërkojnë të shkurtojnë sa më shumë shpenzimet, apo afatin e likuidimit të pagesave që sa vjen e zgjatet. Të dhënat e përpunuara nga “Monitor” në bazë të bilanceve të kompanive më të mëdha të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, flasin për një ulje të fitimeve të 100 VIP-ave në total me rreth 7% në vitin 2013, në krahasim me një vit më parë[1], të udhëhequr nga përkeqësimi i rezultatit financiar të sektorit financiar, rënies së fitimeve të Vodafone dhe humbjeve të Albtelecom.
Por, ka pasur dhe sipërmarrje që kanë arritur të rrisin fitimet, ku kryesojnë Kurum, KESH, AMC, apo kompani ndërtimi. Të tjera, të ulin humbjet, si CEZ, Energji Ashta, Bankers Petroleum, Plus Communication.
Normat më të larta të fitimit të VIP-ave luhaten në 20-30%, ku kryesojnë si zakonisht disa kompani telekomunikacioni, disa kompani shtetërore, si Autoriteti Portal i Durrësit apo Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe KESH, sipërmarrjet e call center, që po rriten me shpejtësi, por akoma edhe disa kompani ndërtimi, me gjithë krizën e sektorit.
Me normat e fitimit më të ulëta rezultojnë dy segmente kryesore, ai i tregtimit të naftës dhe i distributorëve të shumicës, që luhaten nga 0.5-5%.
(Për ecurinë e qarkullimit vjetor dhe fitimeve të sipërmarrjeve VIP shikoni tabelën 1 “Renditja e kompanive më të mëdha sipas xhiros dhe rezultati i tyre financiar”) si dhe tabelën 2 “Renditja e 100 kompanive me fitime më të larta në vitin 2013”. Të dhënat janë përpunuar nga Monitor, në bazë të bilanceve që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Më të fituarit
Në vlerë absolute, sipërmarrja që ka realizuar më shumë fitime është KESH, kompania shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike, me një rezultat neto pozitiv para taksave prej 9.3 miliardë lekësh.
I dyti, me një diferencë relativisht të lartë, renditet Raiffeisen, me një fitim para taksave prej gati 4.9 miliardë lekësh.
Renditjen e fituesve më të mëdhenj e vijojnë kompanitë e telekomunikacionit, AMC dhe Vodafone, ndjekur nga BKT, Kurum, OST, Alb-Star, Copri Aktor, fabrika e çimentos në Fushë-Krujë, Simmons Edeco Limited (shërbime në hidrokarbure), Mane TCI etj.
Rritjen më të madhe të fitimeve mes VIP-ave e kanë shënuar Kurum dhe Mane TCI, përkatësisht me 481% dhe 200%.
Humbësit më të mëdhenj 2013
ARMO është kompania që ka shënuar humbjet më të larta në vlerë absolute gjatë vitit 2013, prej 48 miliardë lekësh (apo 344 milionë euro), nga 12 miliardë lekë që kishin qenë po humbjet në vitin 2012. Të ardhurat e rafinerisë së naftës ishin vetëm 3.34 miliardë lekë në 2013-n. Humbjet e larta operative dhe rivlerësimi i pronës, “zhytën” në humbje kompaninë, që në gusht të vitit 2013 kaloi në pronësi të azerëve të Heaney Assets Corporation[2].
Bankers Petroleum është kompania më e madhe në vend, sipas xhiros, me një qarkullim vjetor prej 67.7 miliardë lekësh, me zgjerim 29% me bazë vjetore në 2013-n. Por, operatori që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse në Shqipëri, Patos Marinzë, rezulton me një humbje të tatueshme, prej gati 20 miliardë lekësh (gati 30% e të ardhurave të deklaruara), si rrjedhojë e marrëveshjes koncesionare, në bazë të së cilës rezultati llogaritet pasi, nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori. Ndërsa në listën e kompanive më të mëdha të tatimeve, sipas fitimeve fiskale (ku nuk merren parasysh shpenzimet e pazbritshme), Bankers rezulton me një fitim prej 5.8 miliardë lekësh, i treti me fitime më të mëdha në vend pas KESH dhe CEZ Shpërndarje, por nuk paguan tatimfitimin. Edhe në Bursën e Torontos, Bankers ka deklaruar një fitim për aksion të pritshëm prej 0.39USD[3]. Në Bursën e Torontos, ku është e kistuar, për tremujorin e tretë 2013, kompania ka deklaruar të ardhura neto prej 19.5 milionë dollarë, me një marzh fitimi prej gati 16%, ndërsa në të katërtin të ardhurat neto ranë në 15 milionë dollarë dhe marzhi fitimit në 15%. Për dy tremujorët e parë të 2014-s, Bankers ka deklaruar marzhe më të larta fitimi, përkatësisht 20% në të parin dhe 18.7% në të dytin.
Bankers ka deklaruar se parashikon të dalë me fitim tatimor (të taksueshëm) në Shqipëri për periudhën 2017-2018.
Kompania e shpërndarjes së energjisë CEZ (sot OSHEE-Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike), ndonëse ka një fitim fiskal të deklaruar nga tatimet prej 10 miliardë lekësh, në bilanc ka deklaruar humbje të mëdha prej 26 miliardë lekësh në vitin 2013. Humbja është ulur në raport me një vit më parë, kur ajo arriti në gati 38 miliardë lekë.
Albtelecom (bilanci i konsoliduar me Eagle Mobile) ka deklaruar në vitin 2013 një humbje prej rreth 2.5 miliardë lekësh, nga një fitim prej 1.2 miliardë lekësh (sërish bilanci i konsoliduar) në vitin e mëparshëm. Përkeqësimi i rezultatit të kompanisë ka ardhur jo vetëm si rrjedhojë e uljes së shitjeve neto në pjesen e telefonisë fikse dhe rritjes së kostos së shërbimeve të shitura, por edhe nga disa shpenzime të jashtëzakonshme që kompania rezulton të kontabilizuar këtë vit fiskal.
Rritja e fitimeve të të vegjëlve
Në renditjen e kompanive, sipas fitimeve (shiko tabelën 2), bie në sy rritja e madhe e fitimeve për disa kompani që kanë qarkullime vjetore më të vogla se 1.7 miliardë lekë në vit (kufiri ku renditen 100 më të mëdhenjtë sipas xhiros, pa përfshirë bankat).
Kompani të tilla si Euro Trade Minerals Group (tregtim mineralesh), LIM-EM (prodhim dhe tregtim materialesh ndërtimi), Teuta Konstruksion (ndërtim), Erjoni (ndërtim), Homeplan (projektim/ndërtim), , Classic S&J (ndërtim), Archimed 2001 (ndërtim) kanë parë shumëfishim të fitimeve të tyre në 2013-n, duke i katapultuar ata në renditjen e 50 kompanive me fitime më të mëdha, ndonëse janë larg renditjes së 100 VIP-ave sipas të ardhurave vjetore (shiko tabelën 1). Kjo në disa raste shpjegohet me raportimin e shitjeve për një projekt të caktuar, për të cilin kompania ka mbyllur ciklin e plotë të investimit.
Tregetimi i Karburanteve, shumë mund, pak fitime
Janë një nga sektorët me rritjen më të shpejtë të qarkullimit në vitet e fundit, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fitimet e tyre. Sipërmarrësit e karburanteve, për gjithë mundin e tyre në menaxhimin e një aktiviteti voluminoz, duhet të kënaqen me fitime të ulëta.
Norma mesatare e fitimit para taksave të sipërmarrjeve të përqendruara në tregtimin e karburanteve luhatet në 0.5-2% (disa dhe me humbje), duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi.
Kastrati, kompania më e madhe në vend e tregtimit të karburanteve, me një rritje të shpejtë prej 35% të xhiros në 2013-n, në 64 miliardë lekë, shënoi fitime minimale prej 734 milionë lekësh para taksave, me një normë fitimi minimale prej vetëm 1.5%. Norma fitimi të ngjashme apo humbje të vogla raportojnë dhe operatorët e tjerë të të njëjtit sektor.
Luigji Aliaj, një ndër aksionerët dhe drejtuesit e Kastratit, i quan karburantet një biznes të vështirë dhe me kosto të larta.
Megjithatë, sektori vijon të tërheqë aktorë të rinj, të joshur nga rritja e shpejtë e qarkullimit vjetor, si Gulf International, që hyri në treg në fund të 2013-s, apo Orti, një kompani tregtuese, që hyrja në sektorin e naftës e bëri që të rriste me shpejtësi qarkullimin vjetor në 3 miliardë lekë (zgjerim vjetor 55%), ndërsa norma e fitimit mbeti po e njëjta, në rreth 4%.
Përjashtim në këtë segment përbën Bolv-Oil, operatori që ka deklaruar dyfishim të fitimeve në 2013-n, në rreth 1.13 miliardë lekë, me një normë fitimi prej gati 20%.
Edhe distributorët, me marzhe të ulëta fitimi
Grupi tjetër i kompanive të mëdha në listën e VIP-ave, ai i distributorëve, duket se po gëzon efektet e riformatimit të tregut, teksa kompanitë e tjera më të vogla, sidomos ato të cigareve, po heqin dorë nga shpërndarja direkte dhe po ua kalojnë punën operatorëve me rrjete tashmë të ngritura shpërndarjeje, në përpjekje për t’u bërë më eficiente. Marketing Distribution, më e madhja në këtë segment, pasi ka parë një rritje të qarkullimit vjetor me 39% në 15.3 miliardë lekë, i është gëzuar dhe një marzhi më të lartë fitimi prej 2.3% (rreth 350 milionë lekë), nga 1.9% vitin e mëparshëm.
Alfa, kompania e dytë më e madhe në këtë segment, ka deklaruar një fitim prej rreth 500 milionë lekësh, me një marzh prej 3.6%, në rënie në krahasim me 5.1% një vit më parë. Edhe AGNA, pjesë e të njëjtit grup me Alfa-n, ka parë gjithashtu një reduktim të marzhit në 5.4% (615 milionë lekë), nga 6.2% një vit më parë.
Interdistribution Service ka deklaruar një normë fitimi prej 1.4% (182 milionë lekë), nga 1.7% vitin e mëparshëm.
Albanian Distribution & Development ka deklaruar një normë fitimi prej 2.2%.
Në përgjithësi, segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë, operon me marzhe të ulëta fitimi, nga 1.5-5%.
Telekomunikacionet, AMC i rrit fitimet, Vodafone i ul
Dy operatorët më të mëdhenj të tregut të telekomunikacioneve vijojnë të mbeten më fitimprurësit ndër sipërmarrjet e mëdha në vend.
Sipërmarrja e telefonisë së lëvizshme AMC (që operon në Shqipëri tashmë prej 15 vitesh dhe që është në prag të rimarrjes së licencës për një term tjetër 15 vjeçar) rezulton operatori me fitimin më të lartë si në vlerë absolute, ashtu dhe në marzh. Kompania ka deklaruar një normë EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) prej 46.1%, nga 46.6% në 2012-n. Por, në sajë të kursimeve administrative dhe mbledhjes së pagesave të prapambetura, AMC ka arritur të rrisë fitimet në 4.4 miliardë lekë (para tatimit) në 2013-n, nga 3.55 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Megjithëse kompania është larg marzheve të larta të para pak viteve, kur arrinte deri në mbi 50%, norma e saj e fitimit (fitimi para taksave/të ardhurat) u rrit në 2013-n në 30.3%, nga 23.8% në 2012-n. Ruajtja e këtyre normave të fitimit gjatë gjithë periudhës së ekzistencës në treg e ka bërë që AMC të jetë tejet e interesuar të marrë rinovimin e licencës së saj dhe me siguri që do të jetë e gatshme të paguajë një çmim që gjithsesi nuk mund të jetë edhe i ulët, duke parë fitimet që siguron ky biznes prej shumë vitesh tashmë.
Vodafone Albania me sa duket është “kënaqur” me fitime më të ulëta në 2013-n, të cilat kanë zbritur në 3.56 miliardë lekë, nga 5 miliardë lekë në 2012-n.
Tkurrja e fortë e të ardhurave të Vodafone, me 21% në 18.4 miliardë lekë (mjaft e çuditshme, pasi ishte i vetmi operator që pati ulje drastike të të ardhurave, ndërsa të tjerët qëndruan në nivele të ngjashme me vitin e kaluar) është arsyeja kryesore që ka ndikuar në performancën e dobët të kompanisë për sa u përket fitimeve. Sipas të dhënave të detajuara në bilanc, ka qenë pikërisht rënia e të ardhurave nga interkoneksioni dhe posaçërisht nga terminimi i thirrjeve ndërkombëtare (nga 10.8 miliardë lekë në 6.8 miliardë lekë), ajo që ka bërë diferencën (shiko tabelën: të ardhurat e Vodafone sipas zërave).
Ndonëse është vështirë të gjykohet për rezultatin financiar të Eagle, pasi tashmë raportohet brenda shifrave të konsoliduara të Albtelekom, nga humbja e thellë e raportuar prej këtij të fundit, vlerësohet që Eagle vijon të ketë performancë negative financiare edhe për vitin e shtatë të operimit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Plus, i cili ndonëse ka rritur të ardhurat nga viti i kaluar me mëse 17% dhe ka bërë të ditur se në vitin 2014 ka kaluar edhe periudha me EBITDA pozitive, mbetet akoma me humbje të konsiderueshme.
Bankat, bien fitimet
Ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve për provigjionime kanë bërë që bankat të shënojnë rënie të fitimeve që deklarojnë te tatimet sipas standardeve ndërkombëtare (IFRS)
Ndërsa të dhënat e Bankës së Shqipërisë, sipas standardeve kombëtare të kontabilitetit (GAP) treguan rritje të ndjeshme të fitimeve të sistemit bankar në 2013-n, panorama është e ndryshme në raportimet e bankave në bilancet e tyre, sipas standardeve ndërkombëtare, IFRS (këto të fundit janë standardet mbi bazë të të cilave bankat deklarojnë rezultatet e tyre financiare te tatimet dhe paguajnë tatimfitimin).
Sipas rezultateve financiare me standardet IFRS, të publikuara nga 15 bankat në bilancet e tyre (mungojnë të dhënat për Bankën e Kreditit të Shqipërisë, që gjithsesi ka një peshë të papërfillshme), fitimi i tyre neto në total ishte 7.5 miliardë lekë, me një tkurrje prej 19.4% me bazë vjetore.
Dy ishin arsyet kryesore të këtij përkeqësimi të rezultatit. Së pari, bankat në përgjithësi panë një rënie të të ardhurave nga interesat, ndërsa në kahun e shpenzimeve, situata u rëndua nga rritja e shpenzimeve për provigjionime.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, me raportimet e standardeve lokale, fitimi i sistemit bankar në fund të vitit 2013 arriti në 6.5 miliardë lekë, nga 3.76 miliardë lekë në 2012-n. Përgjithësisht, fitimet e bankave, sipas standardeve lokale, rezultojnë më të ulëta, për shkak të kritereve më të rrepta që përdoren për provigjionimet (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar kreditë e pakthyera në afat).
Norma e fitimit të bankave në vitin 2013 luhatej nga 3% deri në 22%.
Raiffeisen Bank ka arritur të ruajë fitime të larta në 2013-n, ndonëse ato janë reduktuar në raport me një vit më parë. Rezultati financiar neto i bankës ishte rreth 4.5 miliardë lekë, 5.1 miliardë lekë në 2012-n. Tkurrja ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e rënies së të ardhurave nga interesat, por dhe shtimi i zërit “humbje neto nga zhvlerësimi i huave”.
Banka Kombëtare Tregtare ka deklaruar në bilancin e saj të konsoliduar (duke përfshirë dhe degën e Kosovës) një fitim neto prej gati 3 miliardë lekësh, me një rritje prej 10% në raport me vitin e mëparshëm, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave nga interesi në Shqipëri dhe përmirësimit të rezultatit në degën e Kosovës.
Dega e Kosovës sjell rreth 10% të të ardhurave të konsoliduara të BKT-së, ndërsa ka prodhuar një humbje prej rreth 340 milionë lekësh në 2013-n (humbjet janë përgjysmuar në raport me një vit më parë). Filiali i Shqipërisë rezulton më fitimprurësi, me një fitim prej 3.3 miliardë lekësh në 2013-n, me rënie prej 2.3% me bazë vjetore, si rrjedhojë e shtimit të shpenzimeve për provigjionime. Banka ka një peshë të ulët të kredisë së pakthyer në afat, në 12.1%.
Intesa Sanpaolo Bank ka shënuar një vit pozitiv në 2013-n, duke qenë ndër të paktat banka që kanë rritur fitimet. Rezultati i saj financiar neto ishte 981 milionë lekë në fund të 2013-s, 23% më i lartë me bazë vjetore, si rrjedhojë e uljes së shpenzimeve, që ka amortizuar dhe tkurrjen e të ardhurave nga interesat.
Banka Credins ka deklaruar një tkurrje të fitimeve në vitin 2013 me rreth 273 milionë lekë. Kjo ecuri ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e rënies së të ardhurave nga interesat, ndërkohë që shpenzimet janë arritur të mbahen nën kontroll. Treguesi i huave të pakthyera në afat të bankës është rritur lehtë me 1.6 pikë përqindjeje, në 14.6%, por ai mbetet nën mesataren e sistemit.
Pas një fitimi prej 39.3 milionë lekësh në 2012-n, Alpha Bank ka rezultuar me një humbje prej 14.4 milionë lekësh një vit më pas. Sipas të dhënave nga bilanci, arsyet e këtij përkeqësimi të rezultatit lidhen me rënien e të ardhurave neto nga interesat dhe shtimit të zërit “Humbje nga zhvlerësimi i kredive”. Megjithatë, në 2013-n, Alpha Bank ka arritur ta ulë treguesin e kredive të pakthyera në afat me rreth 5 pikë përqindjeje, në 38.6%, ende një ndër më të lartit në sistem.
Tirana Bank ka shënuar humbje të thella në rendin e 1.3 miliardë lekëve në vitin 2013, më e larta në sistem, nga minus 197 milionë lekë, që e kishte këtë tregues vitin e mëparshëm. Bankës i kanë rënë ndjeshëm të ardhurat nga interesat dhe komisionet. Në 2013-n, Tirana Bank kishte nivelin më të lartë të huave të pakthyera në afat në sistem, në 50.5%, me një rritje prej 9.1 pikë përqindjeje me bazë vjetore.
Banka Societe Generale ka arritur një fitim prej rreth 408 milionë lekësh, rreth 8% më pak se një vit më parë. Ndonëse banka ka nivelin më të ulët të huave me probleme dhe e ka tkurrur më tej atë në 2013-n, në 8.9%, rënia e fitimit ka ardhur nga rritja e shpenzimeve (administrative, personeli, provigjionime për huat) me ritme më të shpejta se të ardhurat.
ProCredit ka deklaruar humbje prej 167 milionë lekësh në 2013-n, nga një fitim prej rreth 60 milionë lekësh një vit më parë. Ky përkeqësim i rezultatit ka ardhur kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave nga interesi, ndërkohë që shpenzimet nuk kanë arritur të frenohen, pavarësisht kursimeve operative, si rrjedhojë e rritjes së zërit të “humbjeve nga zhvlerësimi i huave), që u zgjeruan nga 585 milionë lekë, në 780 milionë lekë në 2013-n. Banka e rriti treguesin e huave me probleme me 1.6 pikë përqindjeje në 16%.
NBG Bank ka rezultuar me një fitim neto prej 84.3 milionë lekësh në 2013-n, me një rritje të lehtë me bazë vjetore. Banka kishte në fund të vitit një nivel të huave të pakthyera në afat prej 34.1%, 0.5 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë.
Union Bank ka zgjeruar ndjeshëm fitimet në 60.4 milionë lekë në 2013-n, nga 11 milionë lekë një vit më parë, si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave nga interesi. Banka ka shënuar zhvillime pozitive në treguesin e huave me probleme, duke e ulur me 1.3 pikë përqindjeje në 12.2%.
Credit Agricole vijon të rezultojë me humbje të mëdha, ndonëse ka arritur t’i reduktojë ato në 431 milionë lekë në 2013-n, nga 693 milionë lekë në 2012-n. Tkurrja e humbjeve ka ardhur si rrjedhojë e reduktimit të shpenzimeve operative, por në pjesën më të madhe nga ulja e zërit “humbje nga zhvlerësimi i huave neto”, që ishte 524 milionë lekë në 2013-n, nga 982 milionë lekë në vitin e mëparshëm. Banka ka arritur të ulë dhe nivelin e humbjeve me rreth 2 pikë përqindje në 2013-n, në 33%.
Banka Veneto, ka deklaruar një rënie të lehtë të fitimeve, me 3%, në 75.7 milionë lekë. Rënia e fitimeve ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për provigjionime, ndonëse të ardhurat nga interesi dhe komisionet shënuan rritje.
Banka Ndërkombëtare Tregtare (ICB) ka dyfishuar fitimet në rreth 47 milionë lekë, si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave operative, kryesisht atyre nga tarifat e komisionet. Kreditë me probleme qëndruan pothuajse të pandryshuara, në 18.8%.
FIB, megjithëse ka trefishuar humbjet neto nga zhvlerësimi i huave, në 119 milionë lekë, si rrjedhojë e shtimit të të ardhurave nga interesat (me rreth 35% në rreth 1 miliard lekë) ka arritur të dalë me fitime më të larta se një vit më parë, në 118.3 milionë lekë (rritje 18.7%). Treguesi i saj i huave të pakthyera në afat u rrit me 3.4 pikë përqindjeje, në 11.8%, duke mbetur gjithsesi ndër më të ulëtit në sistem.
Banka e Bashkuar është një ndër më modestet në sistem, me të ardhura minimale në 2013-n, prej vetëm rreth 420 milionë lekësh. Banka ka thelluar humbjet në vitin 2013 në 60 milionë lekë, si rrjedhojë e shtimit të shpenzimeve administrative dhe rënies së të ardhurave nga zëri “Rimarrje nga zhvlerësimi neto për të arkëtueshmet”. Kjo bankë ka një nivel shumë të lartë të huave me probleme, në 47% në fund të vitit 2013.
Gati gjysma e fitimeve shkojnë për kompanitë me kapital të huaj
Kanë shfrytëzuar avantazhin e të hyrit në pozicione strategjike të ekonomisë shqiptare një apo dy dekada më parë, kur bizneseve vendase u mungonte kapitali dhe njohuritë e nevojshme. Dhe sot, kompanitë e huaja po i gëzohen ende këtij avantazhi. Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, duke marrë për bazë listën e 100 kompanive me fitime më të mëdha, 48% e totalit të fitimeve të tyre ka shkuar për sipërmarrje që në shumicën e tyre zotërohen nga kapitali i huaj.
Listën e kryesojnë bankat, (me Raiffeisen në krye) të ndjekura nga shoqëritë e telefonisë celulare (AMC e Vodafone), Kurum, fabrikat e çimentos etj, që kanë dhe marzhe të larta fitimi. Sipërmarrësit e huaj i janë larguar sektorëve me norma të ulëta fitimi, si psh tregtimi i naftës, ku prej një dekade revanshin e kanë marrë vendasit, apo dhe distribucionin, ku nuk ka kompani të mëdha të huaja në këtë segment.
Ndërtimi i rrugëve mbetet i lakmuar nga të huaj, me norma të larta fitimi, mbi 15%, ndërsa nuk synojnë shumë tregun e ndërtimit të pasurive të paluajtshme, që fiton më pak (nën 10%) dhe ku mbizotërojnë sipërmarrjet vendase.
Megjithatë, teksa biznesi vendas po rritet, po investon në teknologji, kapital njerëzor e po përmirëson standardet e administrimit, po shikon tashmë një rritje më të shpejtë të fitimeve në raport me të huajt. Në vitin 2012, 56% e fitimeve të 100 kompanive më të mëdha shkoi tek sipërmarrësit e huaj, nga 48% në 2013-n.
Kompanitë e ndërtimit të rrugëve, me fitime të larta
Ishte viti 2008, kur Bechtel Enka, kompania që ndërtoi segmentin kryesor të rrugës Durrës-Kukës do të rezultonte jo vetëm komania me xhiron më të madhe në vend, por do të deklaronte edhe një normë të lartë fitimi prej rreth 33%. Ndërsa sot, sipërmarrja turke-amerikane nuk ushtron më aktivitet në Shqipëri, “vendin” e saj po e zë kompania greke Aktor, përmes dy filialeve të saj, Shoqëria e thjeshtë Copri-Aktor, që ka deklaruar një normë fitimi prej 15% (1.46 miliardë lekë fitim) në 2013-n, pas një humbjeje prej 68 milionë lekësh në 2012-n dhe Aktor Shoqëri Anonime Teknike, me një normë fitimi prej gati 10%.
Alb-Star, një nga kompanitë më të mëdha vendase të ndërtimit të rrugëve dhe veprave të artit, ka rezultuar mjaft fitimprurëse në 2013-n, me një marzh prej 27% (1.5 miliardë lekë), nga 20% në vitin e mëparshëm.
Për Gener 2, 2012-2013 gjithsesi nuk ka qenë një periudhë shumë e mbarë, me normat e fitimit që kanë rezultuar minimale, përkatësisht 1 dhe 2.3%.
HEC-et private fillojnë të dalin me fitime të mëdha
Teksa është ashpërsuar debati dhe shoqëria civile ka shtuar protestat për ndikimin e hidrocentraleve private në mjedis (kujtojmë këtu rastin konkret të Langaricës), kompanitë private të prodhimit të energjisë kanë filluar të gjenerojnë fitime të larta.
Erdat Lura, kompania më e madhe private per prodhim energjie, që ka ndërtuar në vitet e fundit me skemën koncesionare, që menaxhon hidrocentralet Lura 1, 2 dhe 3 ka deklaruar në 2013-n, një fitim prej 364 milionë lekësh, duke u renditur e 35, sipas kompanive me fitim më të madh, nga një humbje prej 33 milionë lekësh një vit më parë. Të ardhurat nga shitja e energjisë në 2013-n ishin 577 milionë lekë. Kompania gjeneroi një prodhim prej 53,296 MWh në 2013-n, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë.
Kompania HEC i Tërvolit, një tjetër koncesionar që operon me hidrocentralin me të njëjtin emër, ka dyfishuar fitimet në 230 milionë lekë në 2013-n.
GJO-SPA POWER, është operatori tjetër në këtë segment, që sërish ka rezultuar me një rezultat pozitiv prej 243 milionë lekësh, duke u renditur në vendin e 59 ndër 100 kompanitë me fitim më të madh në vend.
EURON ENERGY GROUP është një tjetër operator privat energjie, që hyn në listën e 100 më të mëdhenjve sipas fitimeve, me një rezultat financiar para taksave prej 171 milionë lekësh, në vitin e parë që ka shitur energji.
Ndonëse kanë rezultuar me fitime në bilance, një pjesë e tyre kanë probleme me arkëtimin e pagesave nga shitja e energjisë, duke hyrë në vorbullën e krizës që po kalon sistemi energjetik në Shqipëri, në të gjitha hallkat e tij, nga prodhimi deri tek shpërndarja te konsumatori fundor. Ministria e Energjetikës ndërkohë ka deklaruar se do të rishikojë kontratat favorizuese që qeveria e mëparshme kishte nënshkruar me këta operatorë (sipas të cilave KESH ua ble prodhimin 10% më shtrenjtë se çmimi i tregut, pasi kjo po krijon një barrë tjetër për operatorin shtetëror të prodhimit të energjisë.
Gjatë vitit 2013, në Shqipëri prodhuan energji elektrike 80 centrale hidrike me fuqi të përgjithshme të instaluar prej rreth 240 MW, nga të cilat rreth 44 MW përbëjnë HEC-et që nisën prodhimin po gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të ERE-s, prodhimi i përgjithshëm për vitin 2013 nga gjeneruesit privatë/koncesion ishte 759 GWh duke kontribuar me 11.1% ne prodhimin e përgjithshëm neto te energjise elektrike vendas të vitit 2013. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013, ndodhi edhe shkëputja e HEC-eve Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1, 2 nga prodhuesi publik KESH sh.a. Në gjashtëmujorin e dytë, këto HEC-e u administruan nga Kurum International sh.a. dhe realizuan një prodhim prej 126 GWh nën administrimin e shoqërisë Kurum International. Të dyja kompanitë kanë gjeneruar një fitim prej 573 milionë lekësh. Në fund të vitit 2013, Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1, 2 janë çregjistruar pa likuidim dhe janë përthithur nga mëma, Kurum International, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
[1] Nga kjo llogaritje janë përjashtuar disa kompani me aktivitet specifik që kanë shënuar humbje të mëdha në 2013-n, si Bankers Petroleum, CEZ, ARMO, në mënyrë që të tregohet një tendencë më e qartë e ecurisë së sipërmarrjeve të tjera në përgjithësi.
[2] Në gusht 2013, pjesa më e madhe e aksioneve të ARMO-s, iu shit kompanisë azere Heaney Assets Corporation, teksa ky i fundit bleu 80% të Anika Enterprises, që zotëronte 85% të aksioneve të ARMO-s (20% të aksioneve të Anika mbetën në pronësi të Refinery Associates of Texas). Shteti zotëron pjesën tjetër prej 15%.
Më parë, ARMO ishte në pronësi 15% të shtetit dhe 85% të Anika Mercuria Refinery Associated Oil, aksioneri kryesor i së cilës ishte Rezart Taçi, që e bleu kompaninë nga shteti në vitin 2008, me plane të mëdha për përpunimin e naftës në vend, por që nuk u zbatuan.
[3] http://www.bloomberg.com/quote/BNK:CN
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.