Njësitë vendore rritën shpenzimet për paga. Qeveria i fuqizon teorikisht. Po financiarisht?
A ka funksionuar reforma territoriale? Çfarë risish sjell ligji i ri “Për financat e qeverisjes vendore” dhe e drejta që u jepet bashkive për të përdorur koncesionin si formë për mbledhjen e të ardhurave…
Reforma territoriale, në vitin e dytë të saj, mbetet një refren i përsëritur i politikës për mënyrën e administrimit të pushtetit vendor dhe pavarësinë që iu dha atij. E ashtu siç ndodh me shumicën e çështjeve, qëndrimet janë ekstreme, njëra palë sheh gotën plot, ndërsa pala tjetër bosh. Argumenti pas së cilës u kap qeveria për reformën ishte ajo e shërbimeve më të mira për qytetarët, përmes delegimit të kompetencave tek pushteti vendor, i cili do të fuqizohej financiarisht duke ndarë më shumë fonde për investime sesa për paga. Në vitin 2015, Kryeministri Edi Rama do të shprehej se e kaluara përfaqësonte humbje kolosale në financa nga ana e vendorëve. “Ne synojmë që, reforma territoriale, si një proces shtet-ndërtues, për të transformuar njësitë e trashëguara administrative në njësi të zhvillimit ekonomik, nuk ka qenë një lumë fjalësh në fushatën e shkuar zgjedhore”.
Në fakt, sot në dyvjetorin e zbatimit vlen të bëhet edhe një bilanc, duke vendosur në peshore ato që premtoi një reformë transformuese dhe atë që paraqesin sot shifrat, dokumentet zyrtare dhe qëndrimet e aktorëve që kanë interes direkt në këtë çështje. Autonomia vendore, decentralizimi, krijimi i më shumë hapësirave për financim, përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, planifikimi më i mirë buxhetor dhe menaxhimi më i mirë i shpenzimeve duke zhvendosur paratë nga administratat e fryra tek investimet, ishin disa nga zhargonet që shoqëruan mbrojtjen e kësaj reforme. Sot? Sot, në fakt, kemi një projekt që ka mbaruar fazën e parë dhe po nis të dytën, që lidhet direkt me këtë reformë dhe që njihet si STAR 2, aktualisht në fazë konsultimi. Kemi një ligj të ri për financat e vetëqeverisjes vendore, si dhe tregues jo dhe aq optimistë mbi eficencën e shpenzimit të parave me administrata të tejfryra. Të gjitha këto janë elemente të rëndësishme në vlerësimin tërësor të suksesit apo jo, të reformës. E në një rast si ky, përgjegjësia ndahet në dy, mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore.
Vendorët autonomë teorikisht, po financiarisht?
Parlamenti tashmë i shpërndarë në fund të sesionit të tij do të miratonte një seri ligjesh, ku mes të tjerash edhe atë “Për financat e vetëqeverisjes vendore”. Në thelb, duket se kemi një rregullim që zgjidh disa nga çështjet më problematike për njësitë vendore, që nis nga ndarja e më shumë të ardhurave mes pushtetit qendror dhe atij vendor, te zgjidhja e problemeve të borxhit dhe emergjencave në planifikimin afatgjatë të buxheteve dhe projekteve. Por ligji, edhe pse synon që të forcojë financiarisht njësitë vendore, duke ju dhënë një autonomi më të madhe, të paktën teorikisht, në shifra ka preferuar të jetë përcaktues, duke mos negociuar variantet e dhëna nga shoqatat e bashkive. Konkretisht, ligji përcakton se taksat kombëtare që ndahen me njësitë e vetëqeverisjes vendore janë: 97% e të ardhurave nga taksa e kalimit të pronësisë për pasurinë e paluajtshme për individë, personat fizikë dhe juridikë; 25% e të ardhurave nga taksa vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura; 5% nga renta minerare; 2% nga tatimi për të ardhurat personale.
Ky është varianti që propozoi qeveria dhe që i qëndroi deri në fund. Por Shoqata Shqiptare e Bashkive, rreth së cilës janë të mbledhura bashkitë e djathta, kërkoi që të paktën ndarja për tatimin mbi të ardhurat personale të ishte 5% si dhe përfshirja e TVSH-së tek taksat që ndahen. Por kjo pikë nuk u mor parasysh. Shoqata për Autonominë Vendore, rreth së cilës janë bashkitë e majta, duket se ka pasur kërkesa edhe më ambicioze. “Ky draft nuk ka marrë parasysh kërkesat e arsyeshme të njësive të vetëqeverisjes vendore për ndarjen e tyre, madje janë shmangur disa parashikime që janë diskutuar në versionet e mëparshme të draftit, ku veçojmë: Përfitimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në masën 5% të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale; përcaktimin e mënyrës së ndarjes ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore të pjesës së përfitimit nga tatimi mbi të ardhurat personale; përfitimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në masën 50% të të ardhurave nga taksa vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura; përfitimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në masën 25% e të ardhurave nga renta minerare; përfshirjen e TVSH-së në taksat e ndara”, thuhet në kërkesën zyrtare të kësaj shoqate. Fuqia e vërtetë e njësive vendore nuk qëndron te përcaktimi teorik se kush e monitoron veprimtarinë e tyre dhe sa herë kontrollohen, por tek të ardhurat dhe këto të fundit, nëse i kërkuan me shumicë, duket se do t’i marrin me pikatore. Kjo bën që sytë të mbeten tek transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara të qeverisë që, për mënyrën sesi janë trajtuar, tradicionalisht kanë hapur debat.
Pikëpyetjet për taksat
Ka dy probleme që ngrenë shoqatat e bashkive, si ajo e të majtëve dhe ajo e të djathtëve. Së pari, për tatimin mbi të ardhurat personale. “Ne insistojmë në sugjerimin tonë për një rritje të përqindjes së të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale nga 2% në 5%. Mbetet ende për t’u sqaruar se mbi ç’bazë do të shpërndahet kjo taksë, sipas vendbanimit apo vendit të punës”, – thuhet në rekomandimet që i bëhen qeverisë mbi ligjin. Por pavarësisht kësaj, në ligj nuk detajohet se cila do të jetë baza e shpërndarjes, duke e lënë këtë mekanizëm evaziv. Nga ana tjetër, vendorët e majtë në shoqatën e tyre marrin në konsideratë metamorfozën që po pëson taksa e pronës, e cila në finale nuk dihet se çfarë rezultati do të ketë. Gjithsesi ligji ka parashikuar një pikë ku thuhet se, në rastet e ndryshimeve në politikën fiskale, që shoqërohen me ulje të niveleve, normave dhe taksave të ndara, njësitë e vetëqeverisjes vendore kompensohen financiarisht, në përputhje me nivelin e uljes së të ardhurave. Pavarësisht kësaj, ligji hyn në fuqi më 1 janar 2018, duke lënë kohë për të marrë në konsideratë ndërhyrje nga qeveria e re.
8 milionë USD për STAR2
STAR do të ishte projekti që do të kujdesej për implementimin e reformës territoriale dhe do të shtrihej në disa faza. Në vitet 2017-2018 parashikohet faza e dytë e projektit. Aktualisht, Ministria e Çështjeve Vendore është duke diskutuar draftin e projektit STAR 2, i cili do të ketë kosto prej 8.1 milionë dollarësh. Në objektivat e projektit nënvizohen tre aspekte, që lidhen me forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative të njësive të qeverisjes vendore, dhënia e shërbimeve në një kohë më të shkurtër, me më shumë eficencë mbulim, akses dhe përfshirje për femrat dhe meshkujt, si dhe forcimi i demokracisë lokale dhe përfshirja në vendimmarrje. E gjithë kjo synohet që të prekë 61 bashkitë që dolën nga reforma territoriale. Por drafti i projektit sjell në vëmendje një sërë risqesh për zbatimin, që janë në kontrast total me pritshmërinë e një reforme që cilësohet si sukses më vete. E para nis me mungesën e kapaciteteve teknike dhe institucionale në nivel qendror, për të mbështetur fuqizimin e njësive vendore dhe që të koordinojnë zbatimin e projektit. Kjo është si të shkosh në luftë dhe të mos kesh ushtri për të luftuar dhe të pretendosh fitore. Një tjetër aspekt, që në draft konsiderohet si risk, është ndërhyrja me programe të ndryshme që lidhen me asistencën lokale, duke krijuar diferenca të dukshme nga njëra njësi te tjetra. Mbivendosjet i japin shtysë njërës njësi krahasuar me tjetrën, duke e bërë të vështirë dallimin e impaktit që ka dhënë programi që mbështetet nga donatorë dhe qeveria. Një tjetër risk që paraqitet ka të bëjë me ngurtësinë institucionale dhe rezistencën për bashkëpunim. Vlerësimi i performancës për njësitë vendore nuk udhëhiqet nga mënyra objektive dhe neutrale, ose përdoret politikisht, duke devijuar qëllimin. Janë të gjithë këto aspekte rreziqe që konsiderohen potenciale dhe që tradicionalisht i kemi parë të reflektohen edhe në projekte të ngjashme.
Bashkitë rritën fondet e pagave
Një ndër premtimet e reformës territoriale ishte ajo e një administrate eficente, në numër më të reduktuar, më e trajnuar dhe që do të përçonte një shërbim më të mirë te qytetarët. Referuar shifrës zyrtare të Ministrisë së Pushtetit Vendor, të paktën deri në mes të vitit të kaluar, në rang kombëtar, numri i punonjësve të punësuar në njësitë e qeverisjes vendore, sipas ndarjes së vjetër territoriale, ishte 19.625 punonjës. Sot nuk ka një shifër sesa është numri i tyre, por ajo që është e sigurt lidhet me faktin se administrata vendore ka shënuar rritje të fondit të pagave që automatikisht përkthehet në rritje të numrit të të punësuarve, sepse rritje pagash nuk ka pasur. Kështu, në fund të vitit 2016, fondi i pagave për njësitë e qeverisjes vendore ishte 13.5 miliardë lekë, kur totali i shpenzimeve për njësitë e pushtetit vendor shënoi 43.5 miliardë lekë. Fondi i pagave kalohet në mënyrë modeste vetëm nga shpenzimet kapitale dhe financimi i brendshëm. Në vitin 2015, kur nisi reforma territoriale, shpenzimet për paga ishin 9.1 miliardë lekë. Diferenca mes fondit të pagave dhe atyre për shpenzime kapitale ishte më e dukshme sesa në vitin 2016. Në vitin para reformës, 2014, shpenzimet për paga nga njësitë e qeverisjes vendore ishin 9.6 miliardë lekë ndërsa totali i tyre 32.9 miliardë lekë. Nga viti 2014, kur nuk kishim reformë territoriale deri në vitin 2016, kur kemi plotësisht një vit me reformë territoriale, fondi i pagave u rrit me 3.9 miliardë lekë.
Të ardhurat, bashkitë mund të kalojnë mbledhjen me koncesion
Qeveria, e cila ndër vite ndezi dritën e gjelbër me disa dhjetëra koncesione në sektorë të ndryshëm, duket se ka menduar që edhe vendorët të aplikojnë skema të ngjashme. Një ndër to duket se lidhet me mbledhjen e të ardhurave. Në nenin 12, pika 3 e ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore” saktësohet pikërisht kjo praktikë. “Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të hyjnë në marrëveshje me njëra-tjetrën apo me agjentë tatimorë për mbledhjen e të ardhurave vendore me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas një procedure transparente dhe konkurruese”, – thuhet në pikën 3. Kjo do të thotë që një bashki, e cila ka burimet e nevojshme njerëzore mund të mbledhë taksat e një tjetër bashkie duke marrë në kthim një përfitim të rënë dakord paraprakisht.
Togfjalëshi “agjent tatimor”, nga ana tjetër, nënkupton kompani private që janë të gatshme të ofrojnë këtë shërbim, pra mbledhjen e të ardhurave për llogari të njësive bashkiake. Përfitimi i tyre mund të llogaritet me tarifë fikse dhe përqindje në bazë të suksesit, disa modele që nuk kanë kaluar pa u lakuar edhe më herët. Një shembull i tillë ishte rasti i skemës së TVSH-së që ju propozua dikur Ministrisë së Financave por që nuk arriti të mbyllej me një marrëveshje.
Por si paraqitet situata sot. Me rregull, bashkitë kanë drejtoritë e tyre të tatim-taksave të cilat bëjnë mbledhjen e taksave vendore. Në rastet e mbledhjes me forcë hyn në lojë edhe Policia Bashkiake. Vendorët e kanë marrë këtë kompetencë prej shumë vitesh, në kuadër të decentralizimit, dhe mbledhja e taksave kaloi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tek drejtoritë vendore. Gjithsesi sot ligji shton një opsion të ri që njësitë vendore të hyjnë në bashkëpunim me njëra-tjetrën ose të marrin këtë shërbim nga privati duke synuar mbledhje më efikase të të ardhurave dhe kosto më të ulët për këtë punë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.