Çdo kandidat e di se si ta nisë një intervistë pune – në kohë, me një buzëqeshje dhe një shtrëngim duarsh.
Por është më pak e qartë se si ta përfundoni një intervistë pune, në mënyrë që të dalloni nga gjithë të tjerët. Sipas
Suzy Welch, eksperte në menaxhim, minutat e fundit të një interviste pune mund të krijojnë apo të prishin mundësitë tuaja për ta fituar atë vend punë. Por ka një gjë që mund t’ju dallojë nga kandidatët e tjerë.
Pasi intervista e punës të ketë përfunduar, mos thoni thjesht “faleminderit” dhe të largoheni. Para se të dilni, këshillohet të thoni: “Unë vërtet e dua këtë punë!”
Ndërkohë që ju mund të shqetësoheni që duke u treguar i sinqertë mund të tingëllojë si një rast i dëshpëruar, Welch shprehet se ia vlen të rrezikosh. Deklarata demonstron tre tipare të karakterit që menaxherët kërkojnë te një kandidat:
1.Sinqeritet
Të thuash “E dua vërtet këtë punë” kur jeni duke dalë, tregon për sinqeritetin që ju karakterizon. Kjo i “godet njerëzit në mënyrën e duhur” – thotë Welch. Studimet tregojnë se për kandidatët e kualifikuar dhe me përvojë, sinqeriteti është një vlerë që do t’ju shpërblejë.
2.Guxim
Shprehja me guxim se ju e dëshironi këtë punë tregon për forcën tuaj personale. “Personi që e dëgjon e di që është e vështirë që të thuhet kjo gjë”- thotë Welch. Drejtuesit i vlerësojnë punonjësit që tregojnë guxim në punë, si në rastin kur duhet të marrin nisma në mënyrë të besueshme apo të flasin atëherë kur diçka nuk shkon siç duhet.
3.Përulësi
Të pranoni se sa shumë e dëshironi këtë punë tregon se nuk jeni krenar dhe shumë të sigurt te vetja. “Ky është ai momenti kur duhet të pranoni ‘Ju jeni blerësi, unë shitësi. Këtë e kuptoj’”, – thotë Welch. Kjo i lë të nënkuptojë menaxherit të Burimeve Njerëzore se janë ata që marrin vendimin. Dhe kjo tregon se ju keni respekt.
“Jepni gjithçka” – thotë Welch. “Dhe diku nga fundi i intervistës sigurohuni që të kuptojë se si ndiheni vërtet”.
*Suzy Welch është bashkëthemeluese e Jack Welch Management Institute, gazetare e njohur në fushën e biznesit dhe komentuese televizive
Burimi: CNBC