Flet ministri/ Pensionet e fshatit, si do ndryshojë skema

18/01/2018 10:23 AM 0 komente

Qeveria do të nisë fushatën e ndërgjegjësimit për pagesat e kontributeve të pensionit për fermerët.

Shkak është bërë ulja e numrit të kontribuuesve. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, informoi dje se së shpejti pritet të nisë komunikimin me çdo fermer, me qëllim sensibilizimin për pagesat e kontributeve të pensionit. Ministri Ahmetaj sqaroi se ndërgjegjë- simi do të bëhet për të rritur numrin e kontribuuesve në fshat.

“Një nga instrumentet që ne do të përdorim dhe, që e kemi të vendosur po në këtë tryezë, është komunikimi me fermerët, për t’i treguar se është e domosdoshme që kontributi është i tyre, mbetet i tyre gjithë jetën dhe i garanton moshën e tretë. Pra, nuk është thjesht një e ardhur për buxhetin e shtetit, sepse është e ardhur sot, shpenzim po sot. Pra, në balancë, jo për të njëjtin njeri, por për brez pas brezi në logjikë. Përderisa parimi kryesor i sistemit të pensioneve sot është kontributi i lidhur me përfitimin, duam që të bëjmë një situatë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi në fshat që është e domosdoshme, është e rëndësishme për ata vetë për jetën e tyre, për familjen e tyre, për moshën e tretë, që të kontribuojnë sot për pensionin e tyre, ditën që do të kalojnë në pension”, tha Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj tha se ende po diskutohen ndryshimet ligjore për kontribuuesit e fshatit. “E vërteta është që ne po diskutojmë akoma ndryshimet ligjore. Megjithatë, dua t’ju informoj se do të ketë një përpjekje shumë serioze për formalizimin e ekonomisë së fshatit, në bashkëpunim me fermerët, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe rritjen e kontribuuesve”, tha ministri.

Kontributi për të përfituar pension në fshat është 62 mijë lekë në vit. Por vetë fermerët paguajnë nga 29 deri në 38 mijë lekë në vit, ndërsa pjesa tjetër e kontributeve subvencionohet nga qeveria. Por edhe me këtë subvencion një pjesë e madhe e fermerëve nuk po sigurohen, shqetësim i ngritur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

/PANORAMA/

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz