Për herë të parë gjatë muajit tetor, ndërtimi në Amerikë ka shënuar ulje të ndjeshme, duke pasqyruar rënien e kërkesës për shtëpi, çka po fillon të vërtetojë frikën e ekspertëve për një flluskë në sektorin e banesave në Botë. Në Shqipëri, rritja e çmimeve vazhdon e pashqetësuar dhe shenjat e një flluske duken tepër larg, teksa sektori i ndërtimit këtë vit ka shënuar një hov të riNdërtimi i shtëpive shënoi një rënie prej 5.6% në tetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri të ditur agjencia Reuters, duke cituar burime të qeverisë së SHBA-ve. Sipas këtyre të dhënave, ndërtimi i shtëpive si për personat që jetojnë vetëm, ashtu dhe për familjet ka rënë, ndërsa rënia e lejeve të ndërtimit është më e madhja e këtyre 6 viteve të fundit. Në fakt, rënia e shënuar në tetor ishte më e larta në përqindje, që nga muaji mars. Lejet për ndërtimet e ardhshme, një tregues i besimit të ndërtuesve, ranë me 6.7% në krahasim me shtatorin, rënia më e madhe që nga shtatori i vitit 1999, kur këto leje u reduktuan me 7.2%, bëri të ditur Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, i cili theksoi se uraganët e kohëve të fundit nuk kanë pasur shumë ndikim në këto të dhëna.Ekonomistët e kishin parashikuar që rritja e interesave të kredive për shtëpi do të çonte në këtë rënie. Institucionet financiare bënë të ditur që interesat e kredive për shtëpi me afat maturimi 30 vjeçar ishin mesatarisht 6.36% gjatë javës së kaluar, nga 5.76%, që ishin një javë më parë.Gjatë pesë viteve të kaluara, interesat e ulëta të kredive për shtëpi kanë mbështetur ndjeshëm tregun e shtëpive, por tani kostot e huamarrjes janë rritur. Ekonomistët pohojnë se interesat më të larta mund të ndikojnë në kërkesën e atyre që duan të blejnë shtëpi dhe të “ftohin” tregun e shtëpive. Dhe të dhënat e muajve të fundit kanë filluar të tregojnë se ky sektor po ndryshon. Pritet që ulja e kërkesës për shtëpi të shoqërohet dhe me një rënie të çmimeve të banesave. FlLuska po plas?!Në literaturën ekonomike, termi flluskë përdoret për kohën kur çmimet e produkteve janë në mënyrë të konsiderueshme më të larta, sesa vlera e tyre reale. Në ekonominë botërore më tipiket janë rastet e shoqërive të internetit (të ashtuquajtura “shoqëritë pikë-com), apo të ashtuquajturës flluskës.com, në vitet 90 dhe të industrisë së telekomunikacioneve në fillim të viteve 2000, aksionet e të cilave shënuan rënie të ndjeshme, pasi kishin shijuar një rritje të shpejtë.Por, flluska më e re, plasjes së të cilës i tremben investitorët kudo në Botë është ajo e shtëpive (që realisht nuk po ndodh shumë në bursë). Dhe shenjat më të dukshme të saj duket se po shfaqen në SHBA, vendit që mbante rekord për rritje çmimesh. Sipas indeksit global të çmimeve të shtëpive, të publikuar nga “The economist”, gjatë 7 viteve të fundit, çmimet mesatare të shtëpive në SHBA janë rritur me 65%, ato në Britani, Spanjë, pothuajse janë dyfishuar dhe pothuajse janë trefishuar në Irlandë dhe Afrikën e Jugut. Gjatë vitit 2004 çmimet u rritën me 10% ose më shumë në 11 shtete. Gjatë tre viteve të fundit vlera e pasurisë së shtëpive në vendet e zhvilluara është rritur me rreth 20 trilion USD, duke arritur në rreth 60 trilion USD. Duke hequr efektin që mund të ketë pasur rënia e dollarit, përsëri mbetet një rritje prej 10 trilion USD. Duke i krahasuar me raportin mesatar të çmimeve të shtëpive me të ardhurat për periudhën 1975-2000, aktualisht çmimet e shtëpive janë pothuajse 30% të mbivlerësuara. Ekspertët tremben se kjo është ndoshta flluska më e madhe financiare në histori. Dhe duket se frika e tyre po fillon të vërtetohet, me shenjat e rënies në një prej ekonomive më të mëdha botërore, atë të SHBA, që po ndjek tashmë rëniet e çmimeve në vendet e tjera të zhvilluara, si në Australi, Britani etj. Dhe çdo të ndodhë në rast se flluska plas, ashtu siç duken të gjitha sinjalet. Ekonomistët parashikojnë që kur tregu i shtëpive fillon të bjerë, konsumatorët fillojnë të shkurtojnë shpenzimet e tyre dhe të kursejnë më shumë, në mënyrë që të kompensojnë humbjen e pasurisë së tyre. Dhe një kërkesë më e ulët konsumatore normalisht do të thotë një ngadalësim i Prodhimit të Brendshëm Bruto, në shtetet kryesore të Botës. Po Shqipëria?!Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2005, ndërtuesit pohojnë se ka pasur një rritje të çmimeve të apartamenteve prej 10%. Këtë rritje ata e justifikojnë me rritjen e shpenzimeve për ndërtim, kryesisht të materialeve të ndërtimit, kostos së fuqisë punëtore, çmimit të karburanteve etj. Megjithatë, indeksi i kushtimit në ndërtim, i publikuar nga INSTAT për tremujorin e tretë të vitit 2005, tregon se kosto e ndërtimit nuk ka shënuar ndonjë rritje të konsiderueshme, sidomos gjatë tremujorit të tretë dhe të dytë të vitit 2005, me përjashtim të një rritjeje të ulët në tremujorin e parë. Kjo tregon që rritja e çmimeve ka qenë më shumë e orientuar nga kërkesa për blerje apartamentesh. Ndërtuesit presin që rritja e çmimeve të vazhdojë, sidomos vitin e ardhshëm në pritje të hyrjes në fuqi të TVSH-së në banesa, zbatimi i së cilës u shty për në vitin 2007. Në fakt, gjatë katër viteve të fundit, situata në Shqipëri ka qenë e ngjashme me atë në vendet e zhvilluara. Çmimet e apartamenteve pothuajse janë dyfishuar gjatë 5 viteve të fundit, duke arritur aktualisht mesatarisht 600-800 euro/m2, nga 300-400 euro/m2 në vitin 2000. Por, në Shqipëri ende nuk duken shenja për tu shqetësuar që kemi një flluskë të banesave. Rritja e çmimeve po vazhdon dhe mbi të gjitha kërkesa është e lartë, e ndihmuar dhe nga shtimi i bankave që japin kredi për shtëpi (kredia për shtëpi është dhënë kryesisht në euro, interesat e të cilës kanë qenë dhe pritet të jenë të qëndrueshme, ndryshe nga interesat e dollarit që janë rritur ndjeshëm dy vitet e fundit). Të ardhurat e tjera janë nga emigracioni, apo dhe veprimtari të dyshimta. Ndërtuesit pohojnë se kërkesa dhe fuqia blerëse mbeten më të larta se oferta, dhe kosto e ndërtimit është në rritje. Në mbajtjen e një fuqie të lartë blerëse ndikon dhe fakti që apartamentet e reja në përgjithësi paguhen me këste për periudha që mund të zgjasin edhe tre vjet, duke u dhënë mundësi blerësve të gjejnë para gjatë kësaj periudhe. Të paktë janë ata, pohojnë ndërtuesit, që paguajnë menjëherë.Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se importet e materialeve të ndërtimit janë rritur me gati 30% gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2005, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndryshe nga viti 2004, kur për të njëjtën periudhë, importi i materialeve të ndërtimit u ul me rreth 6%. Pra, sektori i ndërtimit po shënon një rigjallërim të ri. Nga ana tjetër, në Shqipëri problemi i strehimit mbetet i pazgjidhur dhe rreth 80% e atyre që blejnë apartamente, siç pohojnë përfaqësuesit e agjencive, i duan për strehim, jo për investim. Ekspertët e pyetur nga revista “Monitor”, në rubrikën “Ku të investojmë”, (pas uljes së interesave të depozitave në lekë), kanë rekomanduar kryesisht investimin në pasuritë e paluajtshme, për shkak të tendencës në rritje të këtij sektori. Investimi konsiderohet me leverdi, nëse ai bëhet me mendimin për të shitur banesën më vonë, kur të rritet çmimi dhe jo për ta dhënë me qira, pasi çmimet e qirave të shtëpive të reja nuk kanë shënuar ndonjë rritje të dukshme. Gjithsesi, edhe ekspertët nuk shikojnë ndonjë burim flluske në këtë sektor, të paktën në të ardhmen e afërt. Flluska e shoqërive “.com”Rreth vitit 1994, interneti, filloi ti shërbente publikut të gjerë. Më përpara, një formë primitive e tij, kishte qarkulluar që nga viti 1969. Kjo formë e mëparshme e internetit quhej DARPANet dhe ishte krijuar nga qeveria si një formë eficiente për të komunikuar informacionin ushtarak në kompjutera, që ndodheshin në vende të ndryshme. Ndërsa në vitet 90, interneti evoluoi, si një mënyrë komunikimi, duke përdorur postën elektronike, dhomat e komunikimit dhe shikimin e informacioneve nëpër faqe interneti. Pothuajse menjëherë, bizneset e panë internetin si një mundësi të madhe fitimi, sidomos në Amerikë. “America On line” e bëri internetin të përdorshëm për të gjithë. Makina e kërkimit të “Yahoo” filloi në vitin 1994. “Amazon” u bë dyqani i parë i shitjes në linjë të librave në vitin 1994. “EBay” filloi në vitin 1995 si një shërbim për shitjen e produkteve në linjë. Teksa interneti kaloi nga një shërbim për hobi, në një industri të orientuar nga tregu, bizneset në linjë u bënë me të vërtetë të shëndetshme. Shumë nga aksionerët fillestarë, duke përfshirë dhe punonjësit u bënë milionerë “sa hap e mbyll sytë”. Shoqëritë vazhduan ti paguajnë punonjësit e tyre me aksione, vlera e të cilëve rritej, me rritjen e bursave. Në fund të viteve 90-të, edhe sekretarët kishin portofolet e tyre në këto aksione, që vlenin miliona. Disa ekonomistë e etiketuan këtë periudhë si “Ekonomia e Re”, ku inflacioni nuk ekzistonte dhe rënia e bursës së tyre ishte e vjetëruar. Ndërsa termi “Ekonomi e vjetër” i referohej aksioneve të produkteve industriale, si mesatares së aksioneve të 30 shoqërive “Dow Jones”. Nga viti 1996 në 2000, këto shoqëri në bursën e Nasdaq u rritën nga 600 në 5,000! Firmat “Pikë-com”, të cilat administroheshin nga njerëz që ende nuk i kishin mbushur të 30-at, listoheshin në bursë, duke rritur me qindra milion dollarë kapitalin e tyre. Këto shoqëri nuk kishin madje asnjë planbiznesi, ndërsa disa të tjera nuk kishin as fitime! Për shembull, Pets.com nuk ishte fitimprurëse dhe u listua, duke e rritur kapitalin në miliona dollarë. Këto shoqëri humbnin me miliona dollarë. Ka shumë histori të këtyre firmave, ku punonjësit nuk e merrnin fare parasysh të punuarit, madje ata vinin vërdallë nëpër zyra dhe luanin futboll gjithë ditën. Arriti një çast, kur një milioner i ri krijohej çdo 60 sekonda. Por, në fillim të viteve 2000, realiteti filloi të ndriçojë. Investitorët shpejt e kuptuan që ëndrra pikë-com ishte thjesht një flluskë. Brenda disa muajsh numri i formave të Nasdaq ra nga 5,000 në 2,000. Qindra aksione të tilla si ato të “Pet.com”, të cilat vlenin miliarda u zhdukën nga qarkullimi, po aq shpejt sa ato u shfaqën. Shfaqja e panikut tek investitorët bëri që ata të fillonin të shisnin dhe të humbnin miliona dollarë. Bursa ra ndjeshëm. Një sërë skandalesh financiare u bënë publike, duke treguar se si shoqëritë kishin fitime relativisht të larta. Humbjet nga kjo situatë ishin të mëdha. Në vitin 2001, ekonomia amerikane hyri në një recesion dhe rezervat federale të SHBA-ve vazhdimisht ulën normat e interesit, duke u përpjekur të përmirësonin këtë situatë. Miliona punonjës mbetën pa punë dhe humbën kursimet e tyre. Është e qartë se “Ekonomia e re” ishte veç një farsë dhe parimet tradicionale ekonomike vazhdojnë të qëndrojnë. Më e keqja dhe më e rrezikshmja është se ka gjasa që flluska të tilla të ndodhin dhe në të ardhmen. Dhe kur ato ndodhin, investitorët e çmendur thonë: “Këtë herë është ndryshe”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.