Shumë shpejt, ambientet e punës mund të bëhen si udhëkryqet rrugore. Dhe jo për trafikun mes rafteve dhe sallave të mbledhjeve, por për dritat, të ngjashme me ato të semaforëve që mund të shfaqen nëpër tryezat e punës.
Cili është kuptimi i këtyre treguesve që ndizen dhe fiken? Niveli i angazhimit të punonjësve në vendin e punës. E gjelbër nëse nuk është duke punuar, e kuqe nëse është i mbingarkuar, e kuqe që ndizet e fiket “mos më shqetësoni” dhe e verdhë kur punonjësi nuk është në vendin e punës.
Llamba quhet FlowLight dhe është e lidhur me tastierën dhe mouse-n e kompjuterit, dhe në varësi të numrit të lëvizjeve, ndizet në ngjyra të ndryshme.
Duke filluar nga një pyetësor
Prototipi i FlowLight është ideuar nga amerikani David Shepard, inxhinier në ABB (kompani e teknologjisë dixhitale) në bashkëpunim me një grup nga Universiteti i Zyrihut. Përpara se të propozonin prodhimin e saj u zhvillua një studim për një muaj, në të cilin morën pjesë 100 punonjës.
“Mblodhëm të dhëna sasiore dhe cilësore në lidhje me ndërprerjet në punë në një ditë pune tipike – shpjegon Shepard – të cilave u shtuam rezultatet e pyetësorëve të pjesëmarrësve. Të dhënat e mbledhura përfshinin numrin e klikimeve mbi tastierë dhe sasinë e lëvizjeve të mouse – duke përfshirë këtu edhe mbledhjet e programuara nga punonjësi gjatë orarit në punë.
E dobishme për drejtuesit (por edhe për kolegët)
E thënë kështu duket si një metodë e shpejtë kontrolli në dispozicion të drejtuesve, që ndërsa ecin nëpër korridore mund të kuptojnë vetëm me një shikim të shpejtë kush është duke punuar e kush jo. Por mund të jetë e dobishme edhe për vetë punonjësit pasi FlowLight lidhet edhe me statusin e chat-it të brendshëm në zyrë (Skype ose me programe të tjera komunikimi) që tregon se kur punonjësi është i disponueshëm ose jo, pa qenë nevoja të ndryshosh manualisht çdo herë ikonën, duke thjeshtëzuar kështu ndërveprimet mes kolegëve.
“Gjatë kërkimit tonë kemi gjetur se me përdorimin e FlowLight ka pasur 46 për qind më pak raste të ndërprerjes gjatë punës dhe kjo do të thotë më shumë produktivitet – pa shpërqendrime jemi në gjendje ta përmbushim detyrën që na është caktuar në më pak kohë”.
Një e dhënë tjetër interesante në fund të testit me FlowLight, ishte se 82,6 për qind e punonjësve u treguan të gatshëm ta përdorin atë edhe në të ardhmen.