Çmimet e banesave thelluan më tej rënien në tremujorin e dytë sipas indeksit të Bankës së Shqipërisë. Rënia e çmimeve ishte 11% sipas matjeve të kryera në Tiranë.
Në të kundërt, mësohet se indeksi i çmimeve të qirave ka shënuar rritje, të nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2016.
Ekspertët e tregut pohojnë se çmimet e banesave po bien prej fluksit të lartë të objekteve të reja të banimit që po kryhen në Tiranë.
Dhjetëra blloqe të mëdha banimi po ndërtohen në të gjithë Tiranën duke bërë që çmimi i banesave të vihet nën presion në disa zona.
Sipas vëzhgimeve të Monitor në zonën ish-magazinave në Siri Kodra, një kompleks i ri pallatesh që kishte përfunduar punimet që në fund të vitit 2016 uli çmimet me gati 100 euro për metër katror.
Menaxherët thanë se çmimet u ulën për shkak të fluksit të madh të ndërtimeve të reja që po bëhen në zonë. Nga pritshmëritë se tregu do të ketë një mbiofertë për ndërtime, disa prej ndërtuesve kanë ulur çmimet për banesat e përfunduara nga frika e një flluske të mundshme.
Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, ka analizuar se rritja e treguesve paraprijës të numrit dhe vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, u ndikua kryesisht nga kategoria e ndërtesave për qëllime banimi.
Rritja e numrit të miratuar të lejeve të ndërtimit dhe kontributi pozitiv i investimeve publike sinjalizojnë për vijim të tendencës pozitive të sektorit të ndërtimit edhe në tremujorin e dytë të vitit 2017. Gjithashtu, treguesi i besimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim sugjerojnë se performanca e sektorit ndërtues qëndron në kahun rritës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.