Si u nda tregu i fluturimeve ajrore në tetor, 700 pasagjerë kompensohen për vonesat

05/12/2018 12:23 PM 1 koment

Kompania e fluturimeve ajrore “Blu Panorama” është mbizotëruese në treg, duke ofruar 21% të lëvizjeve për muajin tetor, duke transportuar rreth 48 mijë pasagjerë.

Kompania tjetër Ernest S.p.A zotëroi 13% ndaj totalit me 30,342 pasagjerë, duke vijuar me dy kompanitë “Albawings” dhe “Alitalia” secila me 10% ndaj totalit, sipas të dhënave nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Bazuar në të dhënat zyrtare, muaji tetor ka vijuar të ketë një numër të madh pasagjerësh që kanë udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme. Kështu rezulton se në muajin tetor janë regjistruar 226,351 pasagjerë, 10,329 pasagjerë më shumë se e njëjta periudhë e 2017-S. Krahasuar me 2016, shifra është 26,048 pasagjerë më shumë.
Përqindjen më të madhe të tregut në transportin ajror për muajin tetor 2018 vazhdon ta zotërojë Italia, duke zënë 54% të totalit, ndjekur nga dy kompanitë turke me 10% në total.

Ndërsa raportohet se numri i kompensimeve ka ardhur në rritje ndaj pasagjerëve të cilët kanë përjetuar vonesa mbi 2 orë apo anulimet e fluturimeve që kanë ndodhur në Aeroportin ‘Nënë Tereza’.

Nga të dhënat që sektori i pasagjerëve në TIA ka marrë nga kompanitë ajrore, rezulton se numri i personave që u janë pranuar kërkesat e ankimimit është rritur, duke shkuar në 700 kompensime nga 250 euro, ose me bileta të reja avioni në rreth një vit. Duke u bazuar në këto shifra, rezulton se janë pranuar rreth 45% e ankesave të ardhura nga pasagjerë që kanë hasur probleme në udhëtimin e tyre. Nga analiza e të dhënave rezulton se nga muaji tetor në nëntor, numri është rritur me rreth 200 kompensime më shumë.

Sipas të dhënave, rezulton se kompania që ka edhe numrin më të lartë të kompensimeve është “Blue Panorama”, me 509 kompensime në total. Ndërkohë kanë filluar trajtimet e ankesave për ngjarjet e datës 02 – 03 shtator 2018.

“Fly Ernest” vazhdon të jetë në numrin 96 total, ndërkohë kjo kompani, duke shfrytëzuar edhe legjislacionin europian, nuk ju është përgjigjur ende pasagjerëve që kanë regjistruar probleme gjatë stinës së verës dhe vjeshtës. Çështje për të cilën Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar ka vënë në dijeni edhe Autoritetin e Aviacionit Civil në Itali dhe Komisionin Europian, që janë duke e ndjekur situatën.

Kompania Ajrore “Albawings” ka dërguar informacion mbi trajtimin e ankesave të pasagjerëve dhe rezulton se ka pranuar 31 raste në total, ndërkohë sapo ka filluar të trajtojë edhe ankesat e stinës së vjeshtës.

Kompania Lufthansa, nga të dhënat referon për një numër që në total shkon në 32 pasagjerë. Austriakja “Austrian Airlines” ka kryer gjithsej 12 kompensime. “Air Serbia”, 2 kompensime. Ndërsa kompanitë e tjera rreth 16 në total.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Anonymous Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Anonymous
Guest
Anonymous

off topic: Po me Air Albania cpo behet? Vdiq?