Pushuesit shqiptarë për të shmangur çmimet e larta të biletave në vend po u drejtohen aeroporteve fqinje, në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni….
Shqiptarëve do t’iu kushtojnë më lirë pushimet jashtë vendit nëse edhe te ne do të operonin kompanitë ajrore me kosto të ulët. “Monopoli” i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës u kushton shqiptarëve rritje me të paktën 25% të kostos së fluturimeve.
Në këto kushte (të paktën në dy vitet e fundit) dhe të favorizuar edhe nga shkurtimi i distancave rrugore, shqiptarët kanë nisur të “përdorin” për fluturime ekonomike aeroportet e fqinjëve, kryesisht atë të Prishtinës, Shkupit dhe disi më pak ai i Podgoricës, që janë të aksesueshme me makinë për 2 apo tre orë nga kryeqyteti shqiptar dhe po përdorën nga udhëtarët shqiptarë si aeroporte “sekondare”.
Vetëm pak ditë më parë, aeroporti “Adem Jashari” u vlerësua nga kompania ajrore britanike me kosto të ulët “EasyJet” (siç thuhet edhe në njoftimin zyrtar të kompanisë): “Për kontributin e çmuar në ofrimin e shërbimeve për kompaninë ajrore ‘EasyJet’, duke i mundësuar arritjen e targetit të performancës në kohë. Kategoria e aeroporteve (volum i ulët, që procesojnë 50 fluturime të EasyJet në muaj) përfshin jo më pak se 100 aeroporte të ndryshme ku ANP “Adem Jashari”, koncesionari “Limak Kosovo” merr këtë mirënjohje”. Ndaj, jo rastësisht (pra falë edhe udhëtarëve shqiptarë) Aeroporti i Prishtinës arriti gjatë vitit 2013 shifra rekord të pasagjerëve, duke arritur në 1.6 milionë. Kështu, për shembull, për të shkuar në Verona, nga Aeroporti i Prishtinës duhen vetëm 69 euro, për në Bazel 59 euro, për në Cyrih 69 euro, për në Berlin 91 euro, në Munih dhe Hanover, 79 euro, ndërsa në Shtutgart 59 euro. Siç thuhet, çmimet janë më konkurruese në krahasim me udhëtimet që nisin nga aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas.
E njëjta situatë vlen edhe për shtetin maqedonas, ku hungarezja “Wizz Air”, ka shtuar ndjeshëm destinacionet e saj nga dy aeroportet e Maqedonisë, Shkupi dhe Ohri. Kjo kompani operon vetëm nga Shkupi me 14 destinacione europiane.
Nga aeroportet e Malit të Zi ofrohen më shumë fluturime nga shoqëritë me kosto të ulët. Më e madhja është “Norvegian airlines”, që ofron 102 fluturime dhe ndiqet nga “Airberlin dhe Niki Airlines” me 60 fluturime. Prej disa kohësh këtu vepron dhe kompania Easyjet, që ofron fluturime drejt Londrës, që nisin nga 70 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.