Ndërsa kompanitë e huaja po riinvestojmë më pak kapitalin, ato nuk po ngurrojnë të rrisin transferimin e fitimeve të tyre jashtë vendit.
Sipas statistikave të Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, zëri i “të ardhurave nga investime-debi”, i cili në pjesën më të madhe tregon transferimet e fitimeve jashtë, për periudhën janar shtator 2014 ishte 139 milionë euro, duke u rritur me 140% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja ka qenë ve[anërisht e fortë në tremujorin e tretë të këtij viti, ku fitimet e transferuara jashtë kërcyen në 64 milionë euro, nga 10 milionë euro në periudhën qershor-shtator 2013.
Transferimi i fitimeve jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme në periudhën 2007-2009, duke qenë dhe një nga faktorët që zhvlerësoi lekun në vend (kërkesa e kompanive për valutë ishte shumë e madhe në një treg që vlerësohet se këmben rreth 3-5 milionë euro në ditë, duke ndikuar ndjeshëm kursin e këmbimit). Më pas ky zë shënoi rënie, teksa kompanitë filluan të ndienin presionin e krizës ekonomike.
Por, në 2014-n, fitimet e transferuara po rriten, një dukuri që mbetet disi e pashpjeguar, duke pasur parasysh që sipas të dhënave që “Monitor” disponon nga bilancet e kompanive, fitimi i kompanive celulare dhe bankave kryesore të huaja në vend, në total, është tkurrur me rreth 14% me bazë vjetore në vitin 2013. Teksa tatimi mbi dividentin do të bëhet 15% në 2015, duket se kompanitë e huaja po nxitojnë të bëjnë shpërndarjen e dividendit këtë vit, duke mos i lënë ato për 2015-n.
Transferimi i çmimit, kompanitë e huaja do deklarojnë transaksionet mbi 50 mln lekë
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit transferimi i çmimeve është zhvilluar në një nga problemet më të rëndësishme tatimore ndërkombëtare me të cilin përballen qeveritë si dhe kompanitë shumëkombëshe. Kompanitë shumëkombëshe e shikojnë transferimin e çmimeve si një pjesë të rëndësishme të procesit të tyre të vendim-marrjes për investim, dhe përafrimi i sistemeve tatimore me normat ndërkombëtare është një sfidë kritike për vendet e rajonit për të tërhequr investime ndërkombëtare dhe për të nxitur tregtinë e huaj.
Të gjithë biznesët që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe janë degë të kompanive të huaja do të duhet të deklarojnë në tatime çdo transaksion mbi 50 milionë lekë në vit, si detyrim që lind nga ligji për transferimin e çmimit, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
“Nëse subjekti ka realizuar transaksion shitje apo blerje (pa kompensimin e shitjeve me blerjet) me palët e lidhura, shuma, e të cilave e kalon kufirin e 50 milionë lekëve në vit detyrohet të plotësojë dhe dorëzojë formularin në drejtorinë rajonale tatimore ku është i regjistruar. Ky deklarim bëhet deri me 31 mars për vitin e shkuar, së bashku më pasqyrat financiare dhe bilancin e shoqërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Shqipëria sapo e ka miratuar ligjin për transferimin e çmimit, i cili ka hyrë në fuqi vetëm pak kohë më parë.
“Zbatimi i ligjit mbi Transferimin e Çmimit do të jetë një mburojë e mirë për të mbikëqyrur shumat e kapitalit që dalin jashtë vendit, që do të mundësojë një stabilitet ekonomik më të madh dhe të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit, pa e pasur të nevojshme rritjen e shkallës tatimore dhe pa dobësuar performancën e kompanive lokale”, pohon Olindo Shehu, ekspert taksash.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.