TIRANE- Në përfundim të vizitës dy javore Fondi Monetar Ndërkombëtar anulon konferencën përmbyllëse në Tiranë, e cila ishte parashikuar për ditën e sotme. Mendohet që shkak për anulimin e kësaj konference të jetë bërë axhenda e ngjeshur e takimeve, por edhe situatën e krijaur në BSH, pas arrestimit të Guvernatorit Fullani.
Kujtojmë që zyrtarët e shtetit kanë kryer sot takime të ngjeshura me zv/guvernatoren Elisabeta Gjoni. Po ashtu edhe zyrtarët e FMN-së janë takur me të, ku gjatë takimit FMN ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me këtë situatë.
Vlen të theksohet që mund të jetë hera e parë që FMN largohet nga Shqipëria pa një deklaratë përmbyllëse. Ndër të tjera bëhet me dije se pritet që FMN të mbërrijë së shpejti në Tiranë, për të diskutuar në lidhje me buxhetin e vitit 2015.
Po sot në ambientet e Ministrisë së Financave u zhvillua një takim përmbyllës me qeverinë shqiptare. Të pranishëm në takim ishin Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, si dhe Guvernatorja e komanduar e Bankës së Shqipërisë Elisabeta Gjoni.
Gjatë këtyre dy javëve që FMN ka qëndruar në Shqipëri janë diskutuar çështje të rëndësishme si reforma energjetike, ku FMN është pro rritjes së çmimit të energjisë vitin e ardhshëm. Një tjetër çështje e diskutuar ishte edhe fondi i krijuar nga mosrealizimi i investimeve publike. FMN i rekomandon qeverisë shqiptare që këto para të mos i rishpërndajë por të krijojë një fond të posaçëm.
(BalkanWeb)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.