FMN: Borxhi i lartë dhe varësia e financimit nga bankat, rreziku i ekonomisë shqiptare

10/03/2015 11:42 AM 0 komente

Fondi rekomandon konsolidimin fiskal që do të vijë gjerësisht përmes masave në drejtim të të ardhurave dhe eliminimin e subvencioneve të energjisë…

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e fundit ‘Ballkani Perëndimor, 15 VJET TRANZICION EKONOMIK” jep një panoramë të politikave fiskale, duke veçuar sfidat dhe duke dhënë rekomandime për politikat që duhen ndjekur.
Për Shqipërisë sfida kryesore, theksohet në raport se është borxhi i lartë dhe nevojat e financimit, të cilat janë gjerësisht të varura nga bankat.
Raporti rekomandon konsolidimin fiskal që do të vijë gjerësisht përmes masave në drejtim të të ardhurave dhe eliminimin e subvencioneve të energjisë. Ekspertët e FMN-së thekojnë se subvencionet e energjisë janë një mënyrë shumë jo eficiente për të shpenzuar paratë publike.
Për të gjitë rajonin, raporti rekomandon që konsolidimi fiskal duhet të plotësohet nga ndryshime në përbërjen e tij, duke reduktuar në veçanti peshën që zënë shpenzimet korente. Kontrollet në sektorin e gjerë publik duhet gjithashtu të përmirësohen, teksa shpenzimet sociale dhe subvencionet vazhdojnë të komplikojnë planifikimin e buxhetit në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Në pjesën më të madhe të vendeve masat në drejtim të të ardhurave duhet të shihen si një plotësues për rregullimet që ndodhin në kahun e shpenzimeve. Reformat strukturore fiskale duhet të përqendrohen në zgjerimin e bazës së taksapaguesve dhe luftën ndaj ekonomisë informale.

Varësia e borxhit nga bankat
Muajt e fundit financat janë hasur me vështirësi në financimin e borxhit për shkak të tërheqjes së bankave nga blerja e letrave me vlerë të qeverisë. Kjo ka sjellë një rritje të kostos së borxhit, me yieldin e bonove një vjecare që i ka kaluar 3.5%, nga nën 3%, që ishte një vit më parë, pavarësisht politikës monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në 2% aktualisht. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, bankat blejnë 70% të borxhit të brendshëm të qeverisë. Borxhi publik në total arriti në 71.6 % të PBB në fund të 2014. (shënim i Monitor)

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of